E Martë, 3 Nëntor 2026

Moti nuk i pengon turistët, fundjavë me fluks lëvizjesh në doganën e Morinit

Ulja e temperaturave dhe reshjet e shiut që karakterizuan këtë fundjavë nuk i kanë penguar turistët t’i drejtohen bregdetit të vendit tonë.

Edhe këtë fundjavë në doganën e Morinit është shënuar fluks i lartë lëvizjesh si në hyrje dhe në dalje.

Sipas të dhënave nga drejtoria e kufirit vetëm në 24 orët e fundit kanë hyrë në Shqipëri rreth 30 mijë shtetas. Në palën shqiptare po procedohet me kapacitet të plotë, me 7 sportele pavarësisht se nuk kryhen kontrolle dhe regjistrime deri në fund të sezonit veror, për pasojë nuk krijohen as radhë pritjeje dhe problematika të tjera.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për palën kosovare ku edhe pse procedohet me kapacitet të plotë sportelesh, pas rikthimit të taksës së policës për emigrantët, krijohen radhë dhe pritje.

Kjo politikë u diskutua edhe nga dy ministrat e brendshëm, Shqipëri-Kosovë, Balla dhe Zveçla në takimin e përbashkët në Morin zhvilluar disa ditë më parë,  për gjetjen e një zgjidhje në mënyrë që të mos krijohen problematika për turistët.

Ndërkohë edhe muaji korrik u mbyll me bilanc pozitiv krahasuar me një vit më parë,  ku mesatarja javore sipas të dhënave nga drejtoria e kufirit gjatë korrikut arrin deri në 50 mijë shtetas.

Gazetar: B.Gërmizi

/RTSH

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›