Cikli: Eksperimenti me emrin komunizëm/ “Triumfi” i rremë i një utopie

Parrullat për popullin, paqen dhe mirëqënien për të gjithë, bënë që Revolucioni të fitonte, por lufta civile që pasoi solli dikaturën bolshevike, u mori fshatarëve me dhunë tokat e të korrat dhe ngriti në këmbë një regjim terrori, i cili formën më të egër e njohu në vitit ‘30
Udhëheqësit e Partisë bolshevike dhe sidomos “strategu i tyre Lenin” e dinin se kryengritja e tyre përbënte në vetvete një eksperiment historik me pasoja të paqarta. Përpjekja e tyre për të ngritur një shoqëri socialiste, nuk ishte e para vetëm në rang botëror. Aty në fakt mungonin kushtet dhe rrethanat e vërteta që do të mund të sillnin një zhvendosje sociale, ashtu sikurse kishin parashikuar në studimet e tyre Marksi dhe Engelsi. Klasikët e marksizmit e kishin paraparë lindjen e një shoqërie të re si një fenomen organik, të cilin ata e krahasonin me procesin e mbarsjes dhe të lindjes. Diçka e re mund të lindte vetëm atëherë kur në mitrën e shoqërisë së vjetër, të ishin pjekur të gjithë elementët e kërkuar për të lindur një shoqëri të re. Sipas kësaj teorie, Revolucioni Socialit duhej të konceptohej si një fryt që vinte nga një shoqëri civile, plotësisht e ndërgjegjësuar dhe me nivel të kualifikuar të masave të gjera të punëtorëve, si bazamenti më vital.
Të dyja këto aspekte në Rusinë e vitit 1917 as që mund të bëhej fjalë të haseshin. Në krahasim me Europën Perëndimore, ekonomia dhe shoqëria aty ishin në një prapambetje të jashtëzakonshme; një industri moderne e rëndë mund të hasej vetëm në dy metropolet; Moskë dhe Petrograd. Shumica e popullsisë, me distancë, përbëhej nga fshatarët. Ata donin më në fund të kishin në pronësi një copë tokë të vetën dhe tek e fundit as që ia kishin idenë dhe as që do të donin të përfshiheshin në “projekte madhore” kolektivizimi, siç ndodhi më vonë.
Kryengritja bolshevike i solli botës një Revolucion, të cilin më parë ajo nuk e kishte njohur. Në të njejtën kohë, si një mur mbrojtës për Revolucionin rus duhet të ishte shkaktimi i trazirave sociale në vendet e zhvilluara perëndimore, me të cilët bolshevikët u desh madje që përkohësisht të bashkëpunonin pjesërisht ( mbajmë parasysh këtu Gjermaninë ). Para së gjithash, resurset e pabarabarta të shoqërive të Europës Qendrore dhe Perëndimore - besonin ata - pas Revolucionit në Perëndim do të mund t’i vinin si një ndihmë materiale dhe kulturore “eksperimentit” rus e kështu do të arrihej marrja e pushtetit politik dhe ngritja hap pas hapi e një shoqërie socialiste nën shembullin sovjetik. Përballë pasojave shkatërrimtare dhe krizës së thellë që solli Lufta e Parë Botërore, në shumë shoqëri europiane, përpjekja për të kaluar në një shndërrim social të shpejtë, ishte më pak konkrete sesa mund të duket sot në kontekstin historik.
Mendimi se “revolucioni botëror” do të mund të aplikohej në terma afatmesëm ose afatgjatë në fazën fillestare të revolucionit rus, nuk shihej në horizont për udhëheqësit e tij si diçka primare apo urgjente. Frika më e madhe dhe preokupimi kryesor për ta ishte se si një vend i izoluar me një sistem ekzemplar do të mund ta ruante veten e tij nga sulmet e jashtme. Sigurisht se në propagandë, “diktatura e proletariatit” sovjetik ishte bastioni i parë shtetëror, ekonomik dhe ushtarak i Revolucionit botëror, por praktikisht, në fazën që po flasim, ai nuk pati ndonjë ndikim të fortë e të qëndrueshëm në vendet e tjera të Europës dhe në lëvizjet e tyre punëtore. Kur në mars 1919 u themelua Internacionalja Komuniste (Komintern) si një organizatë që do të udhëhiqte Revolucionin botëror me qendër në Moskë, kreu i parë i saj, Grigori Zinovjev, ishte i bindur se “brenda një viti, Europa do të bëhej e gjitha komuniste”.
Simptomatike për prioritetin strategjik të bolshevikëve ishte plani sipas së cilit, selia e Kominternit duhej të zhvendosej nga Moska në Berlin, menjëherë sapo qendra gravitacionale revolucionare të zhvendosej në Perëndim, kur edhe në Gjermani të fitonte Revolucioni. Por, historia europiane nuk ishte e thënë të ndiqte skenarin e kobshëm “revolucionar” të parashikuar nga ruso-sovjetët. Bolshevikët, të cilët ia kanë borxh suksesin e tyre të shkurtër masave popullore në vjeshtë të 1917, rrethanave favorizuese, fatit e sidomos premtimit të dhënies sa më shpejt fund të luftës, e cila shkatoi humbje të mëdha në vendin me bazë agrare. E gjithccka ndodhi edhe me ndihmën e vetë gjermanëve, tw cilwt në mars 1918 korrwn atw qw kishin mbjellw me shumw mund, para e diplomaci, “Traktaktin e Paqes së Brest-Litovsk-it”. Historiani britanik Orlando Figes e cilëson traktatin e mësipërm si “kapaku i Revolucionit leninist” e diku më poshtë edhe si “pika më e ulët e Revolucionit të Tetorit”
Ashtu siç ndodhi edhe në miratimin për “Kryengritjen e Madhe”, Lenini në partinë e tij, edhe kur mori këtë vendim fitoi me një shumicë shumë relative e hasi në kundërshti. Këtë radhë, një opozitë brenda radhëve kërkonte një “luftë revolucionare” kundër Gjermanisë, në vend të “paqes së turpshme”. Lenini ndërkohë, në vend të një Revolucioni të shfrenuar në Perëndim, preferoi më mirë “hapësirë në këmbim të kohës” - siç thoshte ai - sesa shkatërrimin e Revolucionit të tij, nëpërmjet ushtrisë së Vilhelmit II ( Kajzerit gjerman). E në këtë pikë u duk se ai paskësh qenë shumë realist: fshatarët, të cilët në mënyrë masive kishin dezertuar nga fronti i luftës, nuk do të pranonin më të mobilizoheshin kundra Gjermanisë. Përsa kohë që Revolucioni pritej të shpërthente - sipas sovjetëve - shumë shpejt edhe në Gjermani, rusëve nuk u ngelej gjë tjetër veçse t`i nënshtroheshin kushteve për paqe. Gjithsesi, kjo nuk ishte një zgjidhje aftagjatë dhe këtë sovjetët e dinin mirë. Pas paqes së Brest- Litovsk-it, Lenini tha më mars 1918, në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Bolshevike, qartë dhe prerë: “Pa Revolucionin gjeman, ne jemi të humbur”. Dhe kjo u duk më e qartë në çastin kur në Rusi shpërtheu lufta civile në disa fronte. Partia social-revolucionare e majtë, e cila tërhiqte një pjesë të madhe të fshatarësisë ruse, si protestë, në mënyrë demonstrative i tërhoqi antëtarët e saj nga këshillat qeverisës të “komisarëve të popullit”. Dhe kështu që bolshevikët vijuan të qeverisnin si parti e vetme.
Njëri nga social-revolucionarët, që ishte anëtar i traditës fanatike komuniste, pjesëtar i grupimit terrorist “Narodniki”, vrau madje ambasadorin gjerman në Moskë për të treguar se nuk ishte dakord me “akordin e paqes”. Bolshevikët reaguan me valë të nxehta arrestimesh dhe vrasjesh në radhët e social-revolucionarëvee të tjerëve. Një tjetër social-revolucionare, Fanni Kaplan, arriti madje ta plagoste rëndë Leninin në vitin 1919 gjatë një atentati, duke i dhënë udhë kështu nisjes së një fushtate të egër terrori të kuq nga ana e bolshevikëve. Në të njejtën kohë u formuan grupimet kundërrevolucionare “të bardha” që u shpërndanë në fronte të ndryshme. Kasaphana e Luftës së Parë Botërore u pasua në Rusi, në vitin 1918, nga një luftë cilvile, e cila për nga forma, përmbajtja dhe pasojat, i kaloi tmerret e së parës, duke e dërrmuar edhe më shumë popullin edhe ashtu mëse të raskapitur rus. Gjatë periudhës tre-vjeçare që pasoi, fati u duk se do t’ i buzëqeshte Ushtrisë së Kuqe. Përsa i përket kundërshtarëve të saj, ata nuk ishin vetëm të bardhët monarkistë, por edhe ushtarët gjermanë në Ukrainë, Legjioni Çek dhe trupat intervencioniste britanike në veri, japonezët dhe amerikanët në Lindjen e Largët dhe francezët në jug.
Në pranverë 1918, “të kuqtë” nxorrën dekretin për mobilizmin e detyrueshëm ushtarak e armata e tyre në fund të vitit 1920 arriti të sillte nën uniformë 5 milionë ushtarë. Por ekonomia plotësisht e rrënuar e vendit, nuk ishte në gjendje të plotësonte nevojat me veshmbathje, ushqime e karburante (ndërkohë që armata e të bardhëve, vetëm në gjysmën e parë të vitit 1919, ishte furnizuar nga aletaët me armë e furnizime që kapnin buxhetin e një viti të tërë të prodhimit sovjetik).
Regjimi shumë i centralizuar e autoritar i “komunizmit luftarak” militarizoi dhe shtetëzoi në një kohë rekord fabrikat dhe i orientoi degë të ndryshme të industrisë drejt nevojave të luftës. Në të njejtën kohë, pushteti i Partisë bolshevike nëpër këshilla u “çimentua”, deri sa që në fillim të 1919, sindikatat pushuan së ekzistuari në funksionin e tyre primar dhe u shpallën “rripa transmisioni të partisë”.
Që të kuqve në fund u buzëqeshi fitorja, kjo ndodhi sepse pjesa më e madhe e fshatarëve rusë i druhej rikthimit të zotërve të vjetër më shumë sesa qeverisjes së zotërve të rinj. Këta të fundit i futën me dhunë fshatarët në radhët e Ushtrisë së Kuqe dhe Komisari i Ushtrisë së Kuqe, Leon Trocki, ekzekutonte pa mëshirë ata që rezistonin, të cilët ai i cilësonte armiq e dezertorë. Por Revolucioni gjithsesi, objekt kryesor kishte goditjen e pronarëve të mëdhënj e të vegjël, dhe nga ana tjetër ia doli në fazën fillestare të realizonte ëndrrën e vjetër të fshatarëve për të pasur një copë tokë, të cilën ata sigurisht nuk kishin më ndërmend ta kthenin mbrapsht me asnjë çmim, pa e ditur se kjo do u merrej sërish në funksion të kolektivizimit të detyrueshëm. Përveç kësaj, Ushtria e Kuqe përbëhej nga njerëz të thjeshtë që flisnin “gjuhën” e fshatarëve, ndërkohë që trupat e armatosura kundër-revolucionare, në një masë të madhe përbëheshin nga oficerë të rekrutuar, por sigurisht edhe nga 3 mijë vullnetarët e Gjeneralit të bardhë, Lavr Kornilov, si dhe një dyzinë me mijëra ushtarë. Fshatarët nuk është se i donin komunistët, madje shumë prej tyre i urrenin kur shihinin se vinin me dhunë në fshatrat e tyre e shkatërronin të mbjellat, u vinin flakën shtëpive, ose grabisnin duke mbushur thasët për të ushqyer Ushtrinë e tyre. Por sidoqoftë, edhe fitoren e të bardhëve fshatarët nuk e donin, pasi edhe brutalitetiti i tyre nuk qëndronte pas atij të të kuqve.
Kështu Gjenerali Kornilov deklaronte hapur se: “Nëse është e nevojshme për të shpëtuar Rusinë tonë, atë do ta bëjmë edhe sikur të na duhet të kemi shkatërruar gjysmën e Rusisë dhe kur të kemi derdhur gjakun e ¾ të popullsisë”.
Në nëntor 1920, trupat e fundit bjellogardiste u larguan me anije duke udhëtuar në Detin e Zi nga porti i Sevastopulit - kështjella e tyre e fundit - drejt Turqisë. Në aspektin ushtarak, me këtë hap tashmë Revolucioni kishte fituar, por në aspektet e tjera, shumëçka kishte mbetur pezull. Përpjekjet për të kryer Revolucion social jashtë mureve të Rusisë me ndihmën e Armatës së Kuqe, u dëshmuan të dështuara që në fillim gjatë fushatës që në historiografinë e sotme njihet si “lufta ruso-polake”. Pas përzënies së Armatës polake nga Kievi, bolshevikët e shndërruan luftën mbrojtëse në një luftë ofensive kundër Polonisë. Ata shpresonin se punëtorët polakë, me të parë avancimin e Ushtrisë së Kuqe drejt Varshavës, do të hidheshin në krah të kësaj të fundit e kështu do të shpërthente Revolucioni. Por punëtorët polakë as që kishin ndërmend t`i shihnin “vëllezërit” e tyre punëtorë nga vendi fqinj, si shpëtimtarë. Shumë më tepër se kaq, atyre u erdhën ndërmend kujtimet e errëta e të urryera të imperializmit rus dhe në verë të vitit 1920 u vendosën pa mëdyshje në krah të trupave të tyre qveritare, të cilët patën sukses duke i bërë ruso-sovjetët të tërhiqeshin me turp.
Pjesa e 2-te
Që të kuqve në fund u buzëqeshi fitorja, kjo ndodhi sepse pjesa më e madhe e fshatarëve rusë i druhej rikthimit të zotërve të vjetër më shumë sesa qeverisjes së zotërve të rinj. Këta të fundit i futën me dhunë fshatarët në radhët e Ushtrisë së Kuqe dhe Komisari i Ushtrisë së Kuqe, Leon Trocki, ekzekutonte pa mëshirë ata që rezistonin, të cilët ai i cilësonte armiq e dezertorë. Por Revolucioni gjithsesi, objekt kryesor kishte goditjen e pronarëve të mëdhënj e të vegjël, dhe nga ana tjetër ia doli në fazën fillestare të realizonte ëndrrën e vjetër të fshatarëve për të pasur një copë tokë, të cilën ata sigurisht nuk kishin më ndërmend ta kthenin mbrapsht me asnjë çmim, pa e ditur se kjo do u merrej sërish në funksion të kolektivizimit të detyrueshëm. Përveç kësaj, Ushtria e Kuqe përbëhej nga njerëz të thjeshtë që flisnin “gjuhën” e fshatarëve, ndërkohë që trupat e armatosura kundër-revolucionare, në një masë të madhe përbëheshin nga oficerë të rekrutuar, por sigurisht edhe nga 3 mijë vullnetarët e Gjeneralit të bardhë, Lavr Kornilov, si dhe një dyzinë me mijëra ushtarë. Fshatarët nuk është se i donin komunistët, madje shumë prej tyre i urrenin kur shihinin se vinin me dhunë në fshatrat e tyre e shkatërronin të mbjellat, u vinin flakën shtëpive, ose grabisnin duke mbushur thasët për të ushqyer Ushtrinë e tyre. Por sidoqoftë, edhe fitoren e të bardhëve fshatarët nuk e donin, pasi edhe brutalitetiti i tyre nuk qëndronte pas atij të të kuqve.
Kështu Gjenerali Kornilov deklaronte hapur se: “Nëse është e nevojshme për të shpëtuar Rusinë tonë, atë do ta bëjmë edhe sikur të na duhet të kemi shkatërruar gjysmën e Rusisë dhe kur të kemi derdhur gjakun e ¾ të popullsisë”.
Në nëntor 1920, trupat e fundit bjellogardiste u larguan me anije duke udhëtuar në Detin e Zi nga porti i Sevastopulit - kështjella e tyre e fundit - drejt Turqisë. Në aspektin ushtarak, me këtë hap tashmë Revolucioni kishte fituar, por në aspektet e tjera, shumëçka kishte mbetur pezull. Përpjekjet për të kryer Revolucion social jashtë mureve të Rusisë me ndihmën e Armatës së Kuqe, u dëshmuan të dështuara që në fillim gjatë fushatës që në historiografinë e sotme njihet si “lufta ruso-polake”. Pas përzënies së Armatës polake nga Kievi, bolshevikët e shndërruan luftën mbrojtëse në një luftë ofensive kundër Polonisë. Ata shpresonin se punëtorët polakë, me të parë avancimin e Ushtrisë së Kuqe drejt Varshavës, do të hidheshin në krah të kësaj të fundit e kështu do të shpërthente Revolucioni. Por punëtorët polakë as që kishin ndërmend t`i shihnin “vëllezërit” e tyre punëtorë nga vendi fqinj, si shpëtimtarë. Shumë më tepër se kaq, atyre u erdhën ndërmend kujtimet e errëta e të urryera të imperializmit rus dhe në verë të vitit 1920 u vendosën pa mëdyshje në krah të trupave të tyre qveritare, të cilët patën sukses duke i bërë ruso-sovjetët të tërhiqeshin me turp.
Mendimi utopik se shkëndija revolucionare do të mund të ndizej edhe në Varshavë e prej andej do të përhapej edhe në Perëndim, u shua shpejt. Ndërkohë një valë e madhe reblimi shpërtheu përkundrazi në vitin 1920-1921 në vetë Rusinë. Vuajtjet e kushtet e vështira ekonomike bënë që vetë punëtorët dhe fashatërët që kishin luftuar kundër të bardhëve, të ngriheshin në grupe të organizuara ose jo të organizuara, në protesta spontane e kryengritje kundër praktikave të vazhdueshme “të kuqe” të mbledhjes me detyrim të të korrave. Njolla të vogla rebelimi filluan të shtypeshin në mënyrën më brutale dhe sollën kështu reagimin e kundërt, duke sjellë luftrat fshatare. Para së gjithash, kjo u ndje në zonën e Vollgës ku shpërtheu një uri masive e cila, në vitin 1921 solli vdekjen e milionave njerëzve, duke shkaktuar tmerr e panik. Në qytetet e boshatisura nga popullsia, në fillim të vitit 1921 shumë kolektiva të fabrikave u ngritën kundra drejtuesve dhe këshillave “të popullit”. Në gjithë vendin, në vitin 1921 mbizotëronte një atmosferë shpërthyese. Kështu, në shkurt Pertogradi përjetoi një valë grevash dhe demonstratash. Rebelimi i marinarëve, përvecc atij të punëtorëve dhe fshatarëve ishte një sinjal i qartë ose një parathënie kuptimplotë e dështimit politiko-moral të eksperimentit komunist që në gjenezën e tij. Kjo pasi vetë garnizoni i marinarëve me emrin “Kronstadt”, në vitin 1917 kishte qenë edhe furnitori kryesor me trupat e tij elitarë për suksesin e revolucionit bolshevik. Nëse i referohemi Trockit, ata ishin “lavdia dhe krenaria e revolucionit”. Por vetë anëtarë e këtij garnizoni, pas tre vjetësh, akuzonin me forcë ata për të cilët ata dikur ishin ngritur për t’i sjellë në pushtet, se kishin tradhëtuar idealet e parashpallura dhe e kishin degjeneruar kauzën e tyre. Ata kërkonin zgjedhje të menjëhershme për “këshillat e popullit” dhe e kërkonin këtë sipas parimeve demokratike të votës së fshehtë dhe të barazisë në votim si dhe donin t’ u sigurohej liria e fjalës dhe e shtypit për të gjitha partitë. Por këtu kishte një handikap të madh e të gabuar. Ata e kërkonin këtë vetëm për partitë e majta anarkiste dhe socialiste dhe sindikatat, duke përjashtuar të tjerët. Por gjithsesi, shkurt “këshilla pa komunistët”. Regjimi bolshevik ndodhej pothuajse në buzë të greminës. Më 2 mars 1921, ai reagoi me shpejtësi dhe brutalitet duke dekretuar si hap të parë gjendjen e jashtëzakonshme për të gjithë provincat e Petrogradit. Kjo u pasua me dërgimin e trupave ushtarake të përqëndruara atje. E sërish këtë radhë u zgjodh Trocki si njeri që mund të përmbushte “detyra të veccanta”. Por edhe këtë radhë organizatori i flaktë i Revolucionit dhe kreu i Ushtrisë së Kuqe, nuk kishte të bënte më me “armiq të klasës” por me ata të cilët dikur e kishin ndihmuar të vinte e të drejtontë shtetin dhe t`i përfaqësonte.
E megjithatë ai nuk druajti asnjë sekondë të vepronte me të njejtin brutalitet e ashpërsi kundër tyre, duke i dhënë konkretisht një ultimatum garnizonit “të nëmur” dhe si përfundim e shtypi revoltën me gjak e zjarr. Bilanci i katër viteve të para pas Revolucionit rus ishte katastrofal. Revolucioni dhe kundërrevolucioni, lufta civile dhe luftërat lokale kishin shkaktuar një shifër prej rreth 10 milionë viktimash, e cila në vetvete përbënte 4-fishin e asaj që shkaktoi në total lufta botërore, shkruan historiani Manfred Hildermeier, i cili është marrë gjatë me pasojat e periudhës post- revolucionare në Rusi. Rreth 2 milionë njerëz, ndër të cilët një pjesë e madhe elitë e vendit në të gjitha aspektet, u detyruan të linin vendin në panik e të shkonin në emigracion. Pasojat më të këqija i vuajtën sigurisht shtresa më e varfër, fshatarët, që u detyran të përjetonin një katastrofë të paparë të një urie masive që nuk e kishin njohur prej shekujsh. Prodhimi industrial u ul me 12 deri 16 % të nivelit të vitit 1912. Në këtë moment historik, më 8 mars 1921, ndërsa protesta e garnizonit të marinarëve ishte akoma më këmbë, u zhvillua Kongresi i 10-të i Partisë Bolshevike në Moskë. Lenini i inatosur u hodh mbi përfaqësuesit punëtorë opozitarë brenda partisë dhe i akuzoi ata se po vepronin në pozita sektare, duke përfaqësuar më shumë interesa sindikale sesa ato të partisë. Ai madje i akuzoi ata si simpatizantë të garnizonit “Kronstadt”, duke polemizuar me argumentin se kryengritësit donin të rrëzonin pushtetin e sovjetëve. Atmosfera në këtë kongres reflektote rrezikun vdekjeprurës që sillte më vete forcimi i këtij pushteti. Atmosfera e frikës në këtë kongres bëri që 30 nga 694 delegatët të votonin kundër rezolutës së sjellë nga Lenini, e cila dënonte opozitën në parti. Kjo përsa i përket zhvillimeve brenda partisë dhe kampit të tij punëtor, sepse përsa i përket partive të tjera dhe jetës politike në përgjithësi, ajo ishte shpallur ilegale me kohë. Rruga drejt tiranisë tashmë ishte e hapur. Një nga vendimet që u morr në këtë kongres ishte edhe përfundimi i të ashtuquajturit “komunizmi luftarak” dhe mbledhjes së detyrimeve; të të korrave, të mbjellave, dhe shpallja e planit të ri ekonomik. Në mënyrë shumë të kufizuar, ky plan i hapi pak rrugë ekonomisë private - teorikisht të ndaluar - dhe u dha përkohësisht fshatarëve lirinë ekonomike të premtuar. Pa një aleancë të re të mbështetur në treg me fshatarët, pushteti sovjetik nuk mund të mbijetonte - theksonte asokohe Lenini. Kjo, sipas tij, edhe për arsye se meqë në Perëndim revolucioni akoma nuk kishte fituar, proletariati kishte mbetur pa aleatë. Zërave akoma më ekstremë në parti, të cilët thonin se me këtë akt ai kishte shpallur kapitullimin para kapitalizmit, ai u përgjigjej se gjithsesi, shteti i kishte në dorë të gjithë “komandot strategjike”, si ekonominë, tregëtinë me jashtë, bankat, sistemin e transportit dhe industrinë e rëndë. Sigurisht se ky plan nuk ishte konceptuar si një kthesë drejt ekonomisë së lirë të tregut, por vetëm si një manovër e përkohshme mbijetese, ashtu sicc kishte ndodhur 3 vjet më aprë me nënshkrimin e Traktatit të Paqes në Brest-Litovsk-it. Në aspektin ekonomik, ky hap solli në fakt një sukses pas asaj që vendi kishte kaluar, e jeta nëpër qytete e fshatra nisi sërish të gjallërohej. Madje, përvecc tezgave nëpër rrugë, kafeneve e restoranteve, u ngritën edhe klube nate e bordello nëpër qytete. Ndërkohë dhjetra -mijëra punëtorë në harkun e viteve 1921-‘ 22 grisnin të inatosur librat e tyre të partisë. Kështu me përmirësimin relativ të ekonomisë, u vunë re edhe tensione të lokalizuara sociale. Ndërkohë një pabarazi ekonomiko-sociale filloi të ndihej shpejt. Në këtë pikë që po flasim, Lenini u godit në mars të 1922 nga infarkti i parë dhe në dhjetor të atij viti, pësoi edhe goditjen e dytë në zemër. Pas kësaj i sëmuri për vdjekje tashmë nuk ishte më në gjendje të vepronte politikisht. Si pasues u panë anëtarët e rrethit të tij më të ngushtë të rrethit bolshevik. Kandidati kryesor më potencial shihej Trocki. Për të penguar këtë të fundit në rrugën drejt pushtetit, shefi i Komintern-it, Grigori Zinovjev, Lev Kamenev dhe Josif Stalin, në prill të 1922 formuan një aleancë të njohur si “Trojka”. Dy të parët, të cilët për nga lavdia dhe “bëmat revolucionare” ia kalonin Stalinit, nuk e morën seriozisht këtë të fundit dhe menduan më së shumti ta përdornin për synimet e veta. Ata e mbanin atë për njeri energjik, të zellshëm, por si një organizator me aftësi mediokre dhe pa shanse konkrete për t`u ngritur në krye të partisë. Kjo rezultoi një gabim fatal, pasi në 1936 ata e paguan naivitetin, neglizhencën dhe tolerancën e tyre me jetën e vet. Kjo pasi në aparatin e të vetmes parti-shtet ndërkohë askush nuk kishte më shumë fuqi e ndikim sesa gjeorgjiani që nuk njihte skrupuj. Pa rënë shumë në sy, por jashtëzakonisht eficcient, ai u dëshmua se diti të shfrytëzonte në maksimum rrethanat të cilat duket sikur i vinin atij për shtat, qëkurse Lenini kishte marrë tatëpjetën shëndetësore. Para Revolucionit askush nuk mund ta mendonte se atij do t`i buzëqeshte fati në mënyrë të skajshme. Në këtë periudhë ishte shumë herët të flitej për privilegje apo përfitime. Por pas revolucionit, përkundrazi, të gjithë anëtarët e lartë të partisë e panë të rrethuar veten nga privilegje për të cilat ata edhe xhelozoheshin me njëri-tjetrin për vdekje.
Pjesë nga letra “testament”:
Lenini mbi Stalinin
Shoku Stalin pasi është emëruar Sekretar i Përgjithshëm, ka mbledhur në duart e veta një pushtet të pamasë dhe unë nuk jam i bindur se ai do të mund ta kuptojë atë gjithmonë sicc duhet e ta përdorë atë me kujdesin e kërkuar... Stalini është shumë i vrazhdë dhe kjo mangësi në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm nuk duhet toleruar. Për këtë arsye, unë propozoj që shokët të mendojnë njëherë opsionin e shkarkimit të Stalinit dhe në vend të tij të vendosin një tjetër, i cili... duhet të jetë më tolerant, më luajal, më i sjellshëm dhe më i vëmendshëm e i hapur ndaj shokëve.
Pjesa e 3-te
Përsa i përket regjistrit të partisë, nga 1917 deri 1920 ajo njohu 1.4 milionë anëtarësime të reja prej të cilave rreth gjysmat nuk kishin fare arsim. Në prill të 1922, në parti krijohet edhe posti i Sekretarit të Përgjithshëm, që zihet pikërisht nga Stalini. Ai e përdor këtë funksion për të mbledhur në mënyrë sistematike përkrahës dhe përjashtuar e goditur kundërshtarë. Në rrjedhën e vitit 1922, ai urdhëron zëvendësimin e plot 10 mijë funksionarëve provincialë me kuadro të rinj, shumica të rekomanduar e miratuar ngë vetë Stalini. Nga ana tjetër, ai shfaqet në dukje shumë i shqetësuar e aktiv për shëndetin e Leninit, duke marrë në dorë drejtimin e një komisioni që do të kujdesej për të dhe vizitat e mjekëve. Por kjo nuk e pengoi Leninin që nga shtrati i sëmundjes t’ i rriste dozat e kritikës ndaj Stalinit dhe metodave të tij, duke i sjellë si shembull edhe ashpërsinë e zellin në shtypjen e nacionalizmit gjeorgjian. Kështu Lenini i propozon Trockit një lloj aleance për të relativizuar pushtetin e Stalinit dhe burokracinë partiake. Ky i fundit gjithsesi refuzon të konfliktohet direkt me Trojkën dhe nuk ia vë veshin këshillës së Leninit për t`u bërë zëvendësi i tij në Këshillin e Komisarëve të Popullit, praktikisht Zëvendëskryeministër. Me ç’ duket, ai kishte edhe komlekse të tjera përtej frikës politike, siç ishte origjina e tij hebreje. Pasi Stalini kishte ofenduar hapur të shoqen e Leninit, kur kjo e fundit e akuzonte atë se ai kishte injoruar këshillat e mjekëve për burrin e saj të sëmurë, Lenini në një letër të shpejtë e kërcënon Stalinin për prerje të të gjitha marrëdhënieve më të. Në atë që njihet si “testamenti politik” i Leninit, vërehen karakteristika të udhëheqësve të lartë të partisë dhe si domosdoshmëri del në pah rekomandimi i Leninit për ta shkarkuar Stalinin nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm, pasi ky i fundit - sipas tij - kishte mbledhur në duar pushtet të pakufizuar dhe ishte shumë i vrazhdë në marrëdhëniet e komunikimin e tij me shokët. Në fund të vitit 1922 dhe në fillim të 1923, Lenini dikton këshillat dhe mendimet e tij të fundit para se të vdesë dhe shkruan kështu një artikull për gazetën partiake “Pravda”, i cili shpreh shqetësim të madh rreth cilësisë së aparatit shtetëror, prapambetjes kulturore të Rusisë dhe shanseve për mbijetesë të regjimit sovjetik përballë mundësisë gjithnjë e më të madhe për mossukses të Revolucionit përtej mureve të Rusisë. Por shanset ai i shihte më shumë në Lindje e shpresat i kishte në lëvizje nacionaliste e anti-imperialiste në Azi. Gjithsesi në atë artikull duket sikur Lenini në fund torturohet nga një parandjenjë se “eksperimenti” i tij, i përgatitur gjithë zell, do të mund të ishte në terma afatmesëm dhe afatgjatë një dështim. Përse Trocki në vitin e fundit të jetës së Leninit vendosi të sillej në mënyrë pasive, në vend që të bënte aleancë me shefin e tij e të shpllate hapur pretendimin e tij për pasardhës, kjo mbetet edhe sot e kësaj dite e vështirë për t’ u shpjeguar. Në një letër drejtuar udhëheqjes së partisë, Trocki shpreh në vjeshtë të vitit 1923 një farë shqetësimi për demokracinë e brendshme në parti, por gjithsesi, tashmë ishte shumë vonë. Nga mesi i janarit 1924, Stalini zotëronte plotësisht konferencën e 13-të të partisë. I shoqëruar nga duartrokitjet frenetike të shumicës së funksionarëve që ai vetë i kishte “bekuar”, ai i ngriti lart tonet e kritikës, duke kaluar në kërcënime të hapura ndaj çdo lloj opozite të brendshme në parti, duke u mbyllur kështu gojën çdo tentative për diskutim alternativ.
Më 21 janar 1924 Lenini vdes. Një gjymë milioni njerëz u mblodhën rreth sarkofagut të tij për t`i bërë nderimet e fundit të organizuara në frymën alla-komuniste. Stalini vendosi që kufoma e tij të konservohej dhe trupi të ekspozohej në një mauzole të ngritur enkas për të; të gjitha këto në kundërshtim me dëshirën e të vdekurit, i cili kishte kërkuar të varrosej pranë së ëmës në Petrograd. Plotësimin e dëshirës së fundit të Leninit e kishin kërkuar edhe e veja e tij si dhe “bashkëluftëtarët” e tij, Trocki, Buharin dhe Kamenev. Stalini kishte nevojë për legjitimimin e pushtetit të vet, duke përdorur për këtë kultin e Leninit, tashmë të vdekur, si dhe ngritjen e një ideologjie të re, agresive e revanshiste, të njohur me emrin “Leninizëm” që në fakt do të duhej të ishte “stalinizëm”. Këtë nocion ai dhe Zinovjev, në vjeshtë të vitit 1923 e kishin parashtruar së bashku me synimin për ta damkosur Trockin si një antileninist dhe për ta mënjanuar politikisht. Stalini ia doli me ndihmën e aleatëve të tij Zinovjev dhe Kamenev ta relativizonte dhe ta çmobilizonte paralajmërimin e Leninit ndaj partisë që lidhej me bruatlitetin që rrethonte personin e Stalinit. Që nga ajo kohë deri në vdekjen e tij, Stalini do të ishte i vetmi që në mënyrë ekskluzive do të vendoste se çfarë ishte leniniste dhe çfarë jo. Definicioni i Stalinit mbi “leninizmin” njohu më pas ndryshime të shpeshta. Kështu, ndërsa deri në maj 1924 ai kishte përsëritur aspektin internacionalist të leninizmit, në dhjetor të 1925, ai tashmë thoshte se “nëse revolucioni stopohej në vende të tjera, populli sovjetik, nëpërmjet mësimeve të Leninit mund t`i menaxhonte problemet edhe me forcat e veta”. Tashmë parrulla e re e Stalinit e “ndërtimit të socializmit në një vend, sipas mësimeve leniniste” ishte në konflikt me “internacionalizmin proletar” të propaganduar fort nga Trocki, i cili në këtë rast tashmë ishte ekspozuar hapur ndaj ideve të Stalinit. Në vitet që pasuan, edhe funksioni i Komintern-it pësoi ndryshime themelore. Ai tashmë nuk i shërbente më Revolucionit Internacionalist, por interesave nacionale të Bashkimit Sovjetik stalinist. Komunistja gjermane, Clara Zetkin, deklaronte në vitin 1929 e zhgënjyer se: Komintern-i ishte shndërruar nga një organizëm politik aktiv, në një mekanizëm të vdekur, i cili nga njëra anë thith verbërisht urdhrat në gjuhën ruse, e nga ana tjetër, i vjell e pështyn ato të shpërndara në gjuhë të ndryshme. Pika përfundimtare e këtij zhvillimi u arrit në vitin 1943 kur Stalini në mënyrë verbale dhe zyrtare urdhëroi shkrirjen e Komintern-it. Kjo sepse - sipas tij - ai kishte degjeneruar në rolin e tij, si pasojë e bashkëpunimit me fuqitë perëndimore kapitaliste, duke kthyer në prioritet koalicionin “anti-Hitler” e duke lënë kështu pas dore interesat strategjike të proletariatit. Opozitën e fundit të brendshme partiake - ku spikatën emrat e bolshevikëve të vjetër e të zhgënjyer, Zinovjev dhe Kamenev, që në vitin 1926 iu bashkuan Trockit - Stalini arriti pa shumë mundim ta vinte nën kontroll dhe punëtorët e fshatarët në Bashkimin Sovjetik, të cilët prej kohësh ishin dekurajuar politikisht, përballë këtyre sherreve dhe luftës së brendshme për pushtet qëndronin në pjesën më të madhe pasivë dhe indiferentë, sepse tek e fundit, ata kishin plot halle që jeta e përditshme në një shtet totalitar ia bënte edhe më të mëdha.
Pasi Trocki atakon Sekretarin e Përgjithshëm (Stalinin), në tetor 1926 si “varrmihës të Revolucionit”, Stalini vendos përjashtimin e tij nga partia në vitin 1927 dhe përzënien e tij nga vendi dy vjet më vonë, duke e shpallur “armik” e “devijator”. Në ekzil, ndërsa vërtitej nga një vend në tjetrin, Trocki nisi të shihej nga ajo pjesë e zhgënjyer nga Stalini, si profeti i një të ashtuquajturi “Revolucioni Permanent”. Ai arriti të ndërtojë jashtë BS-së një rrjet ndërkombëtar komunistësh idealistë, me të cilët në vitin 1938 themelon një Internacionale të re komuniste. Ai e quajti atë “të katërtën”, pas asaj të parës të themeluar nga Marksi, të dytës së themeluar nga socialdemokratët dhe të tretës, të “ristrukturuar” nga Stalini. Mirëpo organizata e ngritur nga Trocki nuk arriti kurrë të kishte një peshë të mirëfilltë politike në të majtën botërore.
Kjo erdhi edhe sepse vetë inspiruesi i saj, Trocki, u qëllua për vdjekje në një atentat të kurdisur nga KGB-ja dhe të urdhëruar nga Stalini në vitin 1940, pikërisht në vendbanimin e fundit të Trockit në një provincë meksikane. Kështu “eksperimenti” revolucionar leninist përfundoi në zbërthimin dhe zbatimin e formulës së re ideologjike “Ndërtimi i socializmit vetëm në një vend” - dhe në ngritjen e një perandorie totalitare terrori me në krye Stalinin.
Çudira nga vendi i sovjetëve në vitet ‘20
“Tetorizimi” në vend të “pagëzimit”
Në vend të pagëzimit si rit religjoz që aplikohej deri atëherë, në fillim të viteve ’20 një zakon i ri kishte filluar të zinte vend në radhët e fshatarësisë e të punëtorëve rusë. Ajo ishte ceremonia e njohur si “tetorizimi”, ku prindërit pagëzonin fëmijët e tyre duke u predikuar idealet komuniste me të cilat duhet të rriteshin dhe ku shpesh këndoheshin këngë revolucionare dhe dhuroheshin foto të Leninit në moshën e njomë. Një kuriozitet në ato vite na dëshmon se emra të tillë si Marlen (që simbolizoin bashkimin e emrave Marks dhe Lenin), Melor ( bashkimi i inicialeve Marks, Engels, Lenin dhe Revolucioni i Tetorit), Molot ( çekiç) e të tjerë, ishin bërë të preferuar. Shumë popullor ishin edhe emra të tillë si “Diktatura” dhe “Terrora”. Ndër ta kishte dhe emra e kreatura shumë artificiale me prejardhje të huaj, por me origjinë revolucionare si, “Traviata”, “Embryo”, Vinaigrette”, etj. Ndërkohë në dasmat e sovjetëve, çifti drejtohej shpesh tashmë drejt një portreti të madh të Leninit, në vend që t’ i drejtohej altarit të kishës dhe kështu i premtonin njëri-tjetrit dashurinë e përjetshme, nën frymën e mësimeve komuniste.
...