E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Misionet e diplomacisë duhet të jenë misione ekonomike

Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot, në Konferencën vjetore katër ditore të Ambasadorëve shqiptarë një ndryshim rrënjësor të punës së diplomacisë shqiptare, duke theksuar se “diplomacia ekonomike duhet të jetë përparësi në punën e tyre”. “Misionet e diplomacisë sonë duhe të shndërrohen në misione ekonomike”, theksoi Kryeministri në fjalën e tij në këtë konferencë që po mbahet në mjediset e Hotel Tirana International, ku përshëndeti dhe ministri i Jashtëm italian, Franko Frattini, i cili zhvillon sot një vizitë zyrtare një ditore në Shqipëri. Sipas Kryeministrit, ne jemi larg këtij objektivi që është një kusht thelbësor, ndaj dhe ambasadorët duhet të ndryshojnë veten e tyre nga punëtorë politikë duhet të shndërrohen në punëtorë ekonomikë. “Nuk ka rrugë më të sigurt që ju mund të kontribuoni në marrëdhëniët me vendet e tjera sesa bashkëpunimi ekonomik”, theksoi ai, duke shprehur besimin se "ju do ta përmbushni me dinjitet këtë objektiv”. Kryeministri sugjeroi krijimin e Task Forcës në ambasadë. “Në këtë task forcë ju mund të angazhoni shumë nga shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në vendin ku ju jeni akredituar dhe që kanë arritur rezultate të larta në punën e tyre, shumë qytetarë të atyre vendeve mike për të punuar në zgjerimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, tha ndër të tjera Kryeministri. Ai kërkoi nga ministria e Jashtme që t’i japë përparësi angazhimit të ekonomistëve në diplomaci, ndërsa nga diplomatët “takime konstante me përfaqësues të botës së biznesit, pasi Shqipëria më shumë se çdo gjë tjetër ka nevojë për investime të huaja”. Për Kryeministrin Berisha diplomacia shqiptare duhet të jetë shumë aktive në drejtim të promovimit të imazhit të vendit. Krahas kësaj, në fjalën e tij, kryeministri vlerësoi punën e çmuar të ambasadorëve shqiptarë dhe kontributin e rëndësishëm që ata kanë dhënë gjatë vitit 2008, të cilin e konsideroi si vitin e ndryshimit të madh, vit historik. Kreu i qeverisë veçoi me këtë rast marrjen e ftesë së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në prill të këtij viti dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës. “Në 3 prill 2008 udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s votëbesuan reformat e këtij vendit”, tha Kryeministri, duke cilësuar se puna e tyre ka patur një rëndësi të dorës së parë. Detyra jonë, vijoi ai, është që të vazhdojmë me kursin e reformave për të plotësuar standardet e kërkuara. “Promovimi i këtyre reformave në vendet e tjera mbetet detyra juaj”. Kryeministri u ndal dhe në fillimet e vitit ’90 kur ndryshimi i regjimeve e gjeti Shqipërinë një nga vendet më të varfëra të planetit. “Shqipëria sot nuk përfshihet më në grupin e vendeve me të ardhura të ulëta, por kategorizohet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme”, tha z. Berisha, duke cilësuar në këtë kuadër se reformat kanë qenë dhe mbeten promotor i kësaj arritje. Ai vlerësoi dhe mbështetjen e vendeve mike, që e ndihmuan Shqipërinë me miliarda euro e dollarë, ndërsa shprehu mirënjohjen për të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe vendet mike, që me bujari, lehtësuan rrugën e Shqipërisë në këtë transformim. Duke u ndalur tek pavarësia e Kosovës , z. Berisha tha se “ajo shënon kalimin përfundimtar të shqiptarëve nga shtypja në liri. Diplomacia shqiptare ka qenë në krye të përpjekjeve për promovimin e kësaj çështjeje të drejtë”, tha Kryeministri, i cili nënvizoi se deri tani pavarësia e Kosovës është njohur nga 51 vende dhe se kjo nuk ka ardhur si pasojë e një akti armiqësor ndaj Serbisë. Ai theksoi se së fundi Kosova është njohur nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Emiratet e Bashkuara, vendi i parë arab që njeh këtë shtet të ri. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›