E Diel, 1 Nëntor 2026

Fratini: Italia së shpejti do të ratifikojë protokollin për anëtarsimin e vendit tuaj në NATO

Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Franco Frattini, përshëndet Konferencën vjetore të Ambasadorëve shqiptarë

Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Franco Frattini, konfirmoi sot në Tiranë, se "Italia do të ratifikojë së shpejti Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO".
Ministri i Jashtëm italian ishte sot i ftuar nderi në Konferencën vjetore të Ambasadorëve shqiptarë, e cila po zhvillon punimet në ambientet e Hotel "Tirana International", ku dhe mbajti një fjalë me temë "Italia dhe Europa Juglindore: Së bashku drejt integrimit në Bashkimin Europian. Prania ime këtu konfirmon mbështetjen, ndihmën dhe inkurajimin që qeveria italiane ushqen ndaj qeverisë shqiptare dhe ndaj Shqipërisë, të cilin ne e shohim afër nesh jo vetëm nga pikëpamja gjeografike, por edhe të lidhur me ne nga një histori e thellë e përbashkët", tha ministri Frattini. Sipas tij, "Shqipëria është një vend i cili po ecën me forcë drejt integrimit euroatlantik, ndaj dhe Italia do të ratifikojë në javët në vijim Protokollin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO". Për Shqipërinë ka ardhur koha të shohë përpara me besim, tha ministri i Jashtëm i Italisë, duke nënvizuar të dhënat që flasin për rritjen e jashtëzakonshme ekonomike. "Flitet për një rritje ekonomike të prodhimit të brendshëm bruto që në vitin 1991 kapte 6 miliardë dollarë dhe sot tejkalon 20 miliardë dollarë. Kaq i madh ka qenë hovi i situatës ekonomike në Shqipëri", përmendi ministri Frattini. Duke konfirmuar rëndësinë e diplomacisë ekonomike, z Frattini vuri në dukje se "për Italinë diplomacia ekonomike përfaqëson një nga misionet themelore". Në këtë drejtim, ai u shpreh se "ambasadorët e Shqipërisë janë kartvizita e imazhit të këtij vendi. Ne i shohim shqiptarët që jetojnë dhe punojnë sot në Itali, si një mundësi. Dhjetë vjet më parë bashkësia shqiptare në Itali shihej me shqetësim, por bota ka ndryshuar dhe janë 400 mijë shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë duke respektuar ligjet e vendit tim", tha ministri Frattini. Sipas tij, "Shqipëria deri tani ka qenë një konsumator i sigurisë, ndërsa që sot e tutje duhet të jetë një prodhuese e sigurisë". Duke e konsideruar këtë si një sfidë të rëndësishme për vendin tonë, ministri i Jashtëm italian vuri në dukje kontributin e Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin në rajon si dhe angazhimin e saj me forca paqeruajtëse në Afganistan. Kreu i diplomacisë italiane kërkoi që "Shqipëria të bëjë përpjekje të mëdha për realizimin e reformave që ka nisur, veçanërisht për realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian".
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›