Cikli: Eksperimenti me emrin komunizëm

Revolucioni i Tetorit që në fillimet e tij u trajtua si triumf i pastër i forcave proletare të udhëhequra nga bolshevikët. Por dokumentat tregojnë se shumëçka u errësua me qëllim nga propaganda komuniste e suksesi i tij i dedikohet në një masë shumë të madhe e të pamohueshme kontributit naiv të Kaizerit gjerman, Vilhelm II, duke e bërë atë të cilësohet pa mëdyshje si një “Revolucion i blerë”. Cili ishte njeriu me pseudonimin “Parvus”që ndërmjetësoi mes bolshevikëve e Rajhut gjerman për të siguruar fitoren e kauzës leniniste e rrëzimin e monarkut rus? Cila ishte masa e ndihmës në para e llogjistikë dhe si funksiononte rrjeti agjenturor në ndihmë të tyre?
Revolucioni “i blerë” i Leninit
Revolucioni i Tetorit që në fillimet e tij u trajtua anëmbanë botës si triumf i vërtetë i forcave proletare të udhëhequra nga bolshevikët. Por dokumenta të pazbuluara deri vonë, zbulojnë masën në të cilën u përfshinë në bashkëpunim të fshehtë dhe mbështetjen që Kaizeri Gjerman Vilhelm II i dha bolshëvikëve për të ardhur në pushtet. Kujtimet e dala në dritën e botimit të personit që historia sovjetike nuk i rezervoi asnjë rresht dhe të mbuluara nga pluhuri i kohës, si dhe një cikël i gjerë studimor, i një grupi autorësh gjermanë - botuar muaj më parë në disa edicione speciale të prestigjozes “Der Spiegel” - hedhin dritë më së miri me fakte e dëshmi, se ky Revolucion, i trumbetuar si një “super-revolucion”, i ardhur nga vetë populli nën udhëheqjen e një trupe idealistësh puritanë, nuk ishte gjë tjetër veçse një kauzë e mundësuar me anë të parave e kontributit të tjetërkujt. Për vite me radhë, Perandoria gjermane furnizoi me armë, para e logjistikë bolshevikët për të përmbysur regjimin carist, duke menduar ta përdorë këtë për synimet e veta.
I konsideruar si misteri më mirë i fshehur i Luftës së Parë Botërore, merr fund më 4 nëntor 1918 një farsë. Me urdhër nga lart, policët gjermanë lejojnë kontrabandimin e disa broshurave revolucionare në një kuti të valixhes diplomatike të stafit diplomatik sovjetik. Kur një korrier në stacionin e metrosë të rrugës “Friedrich” në Berlin tenton të ngjisë materialet me ashensor, shpërthen edhe përmbajtja konspirative. Një dyzinë me materiale propagandistike me mbishkrime si "Qëlloni për vdekje Junkerat (një përcaktim ofendues për gjermanët )!" derdhen nëpër ambientin e platformës së metrosë. Menjëherë vjen edhe protesta e ish-ambasadorit moskovit në Berlin, Adolf Abramoviç Joffe në Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme kundër asaj që ky i fundit e cilësonte si “provokacion të sajuar me synime të paracaktuara”. Më kot përpiqej ai, sepse Sekretari i Shtetit për Punët e jashtme, siç quhej asokohe Ministri i Jashtëm gjerman, urdhëroi Joffe-n dhe bashkëpunëtorët e tij të linin Gjermaninë mbrëmjen e ditës së ardhshme me urgjencë. Sovjetikëve kjo u ra si “rrufe në qiell të hapur", sipas një bashkëpunëtori.
Dy ditë pas kësaj përplasjeje, rezidenca tek rruga e njohur "Unter den Linden", ku ndodhej edhe Ambasada e Republikës Federative Sovjetike Ruse (RSFSR), paraardhëses së Bashkimit Sovjetik, mbyllet. Opinioni botëror nuk u habit shumë me ngrirjen e marrdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Qysh prej Revolucionit të Tetorit, një vit më parë, në Rusi tashmë po qeveriste Vladimir Iliç Uljanov, i mbiquajtur Lenin. Udhëheqësi radikal i Partisë së bolshevikëve, nuk linte asnjë dyshim se po synonte Revolucionin botëror, e brenda këtij synimi ishte dhe rrëzimi i vetë Kaizerit gjerman, Vilhelm II. nga froni. Fshehtazi, dhe këtë e dinte vetëm një grusht njerëzish, duhej të sajohej diçka dhe çdo gjë duhej të përfundonte me ndërprerjen e marrëdhëneive diplomatike mes dy vendeve që nga aspekti ideologjik ishte e çuditshme se si ekzistonin duke, përbërë aleancën më të çuditshme deri në atë kohë: mes “revolucionarëve të Leninit” dhe “imperialistëve gjermanë” të udhëhequr nga oborri i “Hohenzollern”-ëve.
Ishte bashkëpunimi i armiqve të betuar ideologjikë, i mbajtur më këmbë vetëm nga intrigat e rafinuara dhe qëllimet me sfond djallëzor. Me pasoja që do të kishin përmasa historike botërore: pa ndihmën e Kaizerit Vilhelm II, për Leninin Revolucioni i Tetorit që ndodhi para më shumë se 90 vjetësh nuk do të kishte pasur me siguri sukses. Dhe për më shumë: pa mbështetjen gjermane, bolshevikët e Leninit as që do të mund t’ i rezistonin dot qëndrimit në pushtet gjatë vitit të tyre të parë. Me shumë gjasa, s’do kishte pasur as Bashkim Sovjetik si pasojë, dhe as ngritje të komunistëve në pushtet e bashkë me të, sigurisht as gulagë, krime e miliona viktimata pafajshme në një hark kohor të gjatë.
Aleanca “jo e shenjtë” gjermano-ruse u mbajt më këmbë nga armiq të përbashkët, sipas devizës së moçme të “realpolitikës” prusiane, se “armiku i armikut tim, është miku im”.
Një logjikë komode kjo, ku në më të shumtën e rasteve tentonte të fshihte humbjet e veta, siç ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore: nëse gjermanët do të kishin reduktuar synimet e veta të çmendura e revanshiste në Lindje, nuk do të kishte pasur as shërbime në favor të Leninit. Por kështu Rajhu gjerman zhvilloi konspiracion me liderin e bolshevikëve kundër Car Nikollës II e aleatëve të tij; Francës e Britanisë së Madhe. Në fund, Romanovët u gjendën përballë fitores së gjermanëve dhe humbjes së pushtetit në favor të Leninit. Katër vjet me radhë, Berlini zyrtar mbështeti bolshevikët dhe revolucionarë të tjerë të rrymave të ngjashme në Rusi me para e armatime dhe kontriboi kështu dukshëm në rënien e monarkisë cariste.
Të paktën 26 milionë marka, apo rreth 75 milionë Euro (sot), pati derdhur Ministria e Jashtme gjermane për suksesin e Revolucionit e rrëzimin e Carit deri në fund të vitit 1917. Kur Car Nikolla u rrëzua përfundimisht në Revolucionin e shkurtit 1917 dhe kur Lenini akoma ndodhej në Zvicër, në ekzil, autoritetet perandrorake gjermane i mundësuan atij - ndërkohë që lufta ishte në kulmin e vet - rikthimin në atdhe. "Hyrja e Leninit në Rusi është arritur me sukses. Ai po punon sipas planit tonë", shkruhej në telegramin e datës 17 prill 1917 dërguar nga drejtuesi i shërbimeve informative gjermane në Stokholm, për Shtabin e Përgjithshëm gjerman në Berlin. Në fakt, çdo gjë po shkonte kundër qeverisë provizore me seli në Petrograd. Një gjysëm viti më vonë, Lenini merr pushtetin me anë të Revolucionit të Tetorit. Pak pas kësaj shteti i ri sovjetik arrin “marrëveshje paqeje” me Rajhun gjerman, akt që i dha gjermanëve menjëherë një lehtësim e njëkohësisht ndikim shumë të madh në fatet e Europës Qendrore e Lindore. “Misioni është përmbushur - të paktën përkohësisht“, deklaronin agjentët gjermanë asokohe me krenari. Vilhelmi ëndërronte madje për një lloj "Aleance – apo marërdhënie miqësor" – të përbashkët kundër Perëndimit, ashtusikurse bëri 20 vjet më vonë Hitleri dhe Stalini.
Që ata donin ta shihnin njëri-tjetrin në fakt të varur në litar - megjithë kontaket e shpeshta - të dy “aleatët” nuk e harruan kurrë. Por kjo pati pasoja paradoksale për vetë gjermanët: Lenini i sponzorizuar nga Kaizeri gjerman u erdhi në ndihmë “shokëve” komunistë gjermanë në parapërgatitjet e tyre për të sjellë edhe në Gjermani një Revolucion që do t’ i bënte në fakt gropën monarkisë. Dhe Vilhelmi II sërish vendosi të mbështeste luftën civile ruse, pra jo vetëm bolshevikët, por edhe kundërshtarët e tyre. Sot, aleanca që bëri bujë në historinë botërore mes drapër-çekanit dhe kurorës mbretërore, thuajse është harruar fare, megjithëse para shumë dekadave për këtë temë janë shkruar vepra e studime. Gjithsesi kanë mbetur akoma shumë pyetje pa përgjigje, e sidomos mbi masën e mbështetjes gjermane ndaj bolshevikëve. Pasi në Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme, faturat që vërtetojnë pagesat e suksesshme, janë zhdukur. Shumëçka mund të zbulohet vetëm në bazë të dëshmive, dhe për këtë duhet kërkuar në vende të pazakonta.
Redaksia e revistës gjermane “Der SPIEGEL” e ka bërë këtë dhe gjatë kërkimeve ka hasur në më shumë se dhjetra materiale që deri vonë kishin mbetur të patrajtuara e të pazbuluara në mbarë Europën: Analiza dhe letra të zyrtarëve e nëpunësve të sigurisë të shtetit suedez, të atij zviceran dhe britanik, dokumente të policisë prusiane të kohës, nota verbale e marrëveshje të mbetura në Arkivën e Ministrisë së Jashtme gjermane dhe sigurisht, edhe në arkivat ruse. Detajet e gjendura mundësojnë ta zbardhjen edhe më tej të asaj bote që diplomatët e Rajhut gjerman hasën ndërsa ia hynë rrugës së revolucionarizimit të Rusisë, pa e ditur se po i bënin kështu – me siguri - gropën edhe vetes.
Çdo gjë nisi me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore në verë të vitit 1914. Megjithëse Kaizeri Vilhelm II dhe Cari Nikolla II ishin kushërinj, perandoritë e tyre i përkisnin blloqeve të ndryshme: nga njëra anë fuqitë e bllokut: Austro-Hungaria dhe Rajhu Gjerman, e në anën tjetër, Antanta që përbëhej nga Republika Franceze, Monarkia konstitucionale Britanike dhe Rusia me Monarkinë e saj autokratike – një aleancë e rrallë, që kishte si synim vetëm pengimin e pritshëm të hegjemonisë gjermane mbi Europën. Shumë shpejt u bë e qartë se prodhimi dhe furnizimi i palëve me armë do të bënte edhe diferencën. Ushtri të stërmëdha u derdhën përballë njëra-tjetrës, për herë të parë gjeneralët ushtarakë e drejtuan me duf e zell të paparë të gjithë dinamikën e zhvillimeve industriale që bota kish njohur deri më atëherë, në funksion të vrasjes së miliona njerëzve. Me këtë hap u bë edhe ndarja klasike mes frontit dhe atdheut. S’ishte çudi që strategët nuk kërkonin vetëm të mundnin armikun, por edhe ta dobësonin atë nga brenda me lloj-lloj mënyrash. Shprehja e përdorur se "çdo mjet është i përshtatshëm për të mposhtur armikun" ishte një detyrim, theksonte asokohe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rajhut gjerman, Helmuth von Moltke.
“Zyra e Thesarit” e Rajhut (Das Reichsschatzamt), për këtë qëllim vuri në dispozicion qindra miliona rajchsmark-a që marokenët për shembull, apo dhe indianët e popuj të tjerë të kolonizuar nga britanikët e francezët, të ngriheshin kundër zotërve të tyre dhe të afroheshin më shumë me habsburgët apo me aleatët e tyre osmanë. Perandoria e mykur cariste ruse, me një prapamebetje të dukshme, krahasuar me pjesën tjetër të Europës, ofronte disa pika të dobëta të favorshme për "shkatërrimin e linjave armike nga brenda " (sipas kancelarit të atëhershëm gjerman, Theobald von Bethmann Hollëeg). Rreziku i urive masive ishte gjithnjë kërcënues për banorët e saj para lufte, gjë që i kishte shpënë shpesh fshatarët në revolta të përgjakshme. Në qytetet ruse, njerëzit jetonin nën kushte çnjerëzore; dekretimi i javës 79-orëshe të punës u vlerësua si përparim. Qysh në vitin 1905, për këtë arsye u zhvillua një Revolucion, të cilin Cari e shtypi me gjak.
Nën më shumë se 100 nacionalitetet dhe grupimet etnike të perandorsië shumetnike cariste, situata ishte akoma më e keqe; polakët, ukrainasit, estonezët, finlandezët dhe pakicat e tjera kombëtare ëndërronin për shtete nacionale, gjë që i shkonte në fakt për shtat gjermanëve. Vilhelm II ndiqte strategjinë e ashtuquajtur të “lëkurëve të portokallit”: ashtusikurse lëkura e frutit ekzotik veçohej nga trupi, ashtu duhej të shkëputeshin edhe popujt e territoret joruse nga zotërimi i Carit. Shtetet e reja që do të ngriheshin më pas, Kaizeri pastaj kishte si qëllim final t’ i vinte nën hyqmin e vet – një hap ky që do t’ i siguronte kësisoj Gjermanisë rrugën drejt një superfuqie botërore. Kështu, nën këtë synim, u hartua një plan financimi për shumë persona e lëvizje që në thelb kishin aventurën politike, të cilat me shpërthimin e luftës u lajmëruan tek pikëkomandot e zyrat gjermane.
Kundërshtarë faktikë e të pretenduar të Carit, nisën të mburreshin e të siguronin se ata mund të krijonin me ndjekësit e tyre trazira në flotën ruse të Detit të Zi, kryengritje në Ukrainë, apo dhe trazira sociale në vetë qytetet e mëdha ruse. Ishte një biznes tërheqës edhe për njerëz me plane të mëdha politike në kokë.
Për një "Revolucion të përgjithshëm kundër Rusisë", Ministria e Jashtme gjermane, në shtator 1914, ngarkoi dy njerëz që pretendohej se kishin "ndikim të madh", të cilët duhej të përfitonin 50.000 Marka në flori. 2 milionë të tjerë “cach” do të duhej të paguheshin, sipas planit, me fillimin real të kryengritjes. Më vonë, “premiot” njohën edhe rritje; kështu, rezulton se diplomatët gjermanë dhe agjentët e shërbimit të fshehtë, ofruan miliona për një rebelim total që synonte rrëzimin përfundimtar të Perandorisë cariste. Situata për Vilhelmin II dhe njerëzit e tij ishte bërë tashmë emergjente. Gjeneralët e Madhërisë së tij tashmë ishin hapur në dy fronte e shuarja e frontit në Lindje do t’u vinte në ndihmë planeve të tyre për fitore rrufe në Perëndim. Kur triumfi kundër Francës dështoi, tashmë Kaizeri dhe ministrat e tij po përpiqeshin ta minonin pushtetin e Carit me trazira e rreziqe; por sidoqoftë, rrëzimi i monarkisë nuk rezulton të ketë qenë fillimisht synimi i vërtetë i gjermanëve.
Ata donin vetëm ta detyronin Carin t’ i nënshtrohej vullnetit të Kaizerit dhe nevojës së tij të ethshme për paqe, për të kursyer vuajtjet dhe dështimet e mëtejshme në njërin front të luftës. Kështu, fare rastësisht rezulton se strategët revolucionarë gjermanë në vjeshtë 1914 u bënë papritur të vëmendshëm ndaj revolucionarit profesionist ( nga profesioni realisht një avokat) me emrin Lenin. Burri trupvogël e shëndetlig, me flokë të pakët në ngjyrë të kuqerreme e me mjekër spic, qysh prej fillimit të shekullit të njëzetë kishte jetuar shumicën e kohës në ekzil, kryesisht në vende perëndimore; me fillimin e luftës, ai u zhvendos nga Austria në Zvicrën neutrale, drejt Bernës.
Lenini, një marksist i lexuar dhe këmbëngulës, asokohe ishte vënë në krye të një grupimi radikalësh të majtë, të shkëputur nga lëvizjet klasike majtiste, të cilët, si për ironi, megjithëse ishin një fraksion i vogël në krahasim me pjesën tjetër të sojit të tyre, e quanin veten “Bolsheviki” dmth. ata “të shumicës”. Lenini ëndërronte të vinte në pushtet me revolucion radikal, megjithëse deri në atë kohë, ai ishte shpeshherë skeptik, nëse do ia arrinte synimit final, sa ishte gjallë. Që ai për përmbushjen e këtij synimi do vinte në lojë çdo gjë, e bëntë atë për gjermaët, shumë atraktiv. Para së gjithash, në krahasim me shumë socialistë të tjerë, Lenini nuk ishte i mbërthyer nga ethet nacionaliste, në dukje, që në verë të vitit 1914 kishin mbërthyer thuajse të gjithë rusët dhe europianët. Ai i binte borisë më shumë në drejtim të rrëzimit të Romanovëve e kontribonte kështu në humbjen e rusëve në luftë.
Pas rrëzimit të Car Nikollës II, Revolucioni botëror dalëngadalë do të merrte udhë, sipas tij. Rezulton se sinjalet e para për bashkëpunim me gjermanët, për Leninin erdhën nga Aleksandër Keskyla, një bolshevik nga Estonia dhe njëkohëissht njëri nga të shumtët personazhe nga popullsitë joruse që vërtiteshin mes rusëve revolucionarë dhe gjermanëve në atë kohë. Keskyla iu paraqit përfaqësisë gjermane në Bernë si propagandist në favor të çështjes së Kaizerit. Ai shpresonte se gjermanët do të ndërhynin e do të mundësonin bashkimin e Estonisë së pushtuar nga rusët, me Suedinë. Keskyla vërtitej gjithsesi në gjykimin e vet mbi Leninin, siç tregojnë disa kërkime që janë bërë mbi aktivitetet e tij nga Redaksia e revistës “Spiegel”. Një herë, ai ankohej se Lenini po bënte shumë pak për Revolucionin në Perandorinë cariste. Më pas, ai sërish bënte thirrje që gjermanët të mbështesnin pa drojë vetëm Leninin, pasi sipas tij, bolsheviku gëzonte tashmë tek revolucionarët në Petrograd dhe Moskë, namin më të mirë.
Ky i fundit vepronte - sipas tij - "pa iu vrarë ndërgjegja" dhe mbartte një energji të pashtershme me prirje brutale". Më vonë, kur Keskyla kishte kuptuar se gjermanët ndiqnin vetëm interesat e tyre në Balltik, ai bëri kthesë e i shërbeu interesave të Antantës, duke e paralajmëruar Leninin – me të njejtat argumenta, siç del nga rrëmimi i dokumentave sekrete britanike të asaj kohe. Për shërbimet e tij, Keskyla përfitoi gjithsesi në total 250.000 Marka, e vetëm një pjesë e vogël e kësaj shume përfundoi në fakt tek bolshevikët. Që Berlini nuk e fuste Keskyla-n e rrjetin e tij me forcë në aksion për të mbështetur Leninin, kishte një arsye të thjeshtë, siç tregojnë dokumentat gjermane.
Keskyla megjithë të shkuarën e tij bolshevike, mbetej vetëm një kokë teorike e Revolucionit. Për suksesin e Revolucionit, gjermanët kishin nevojë, përkundrazi, për “ekspertë” të kalibrit.
Dhe në janar të vitit 1915 njëri syresh iu paraqit atyre si me prorosi, duke iu vënë në dispozicion: ai ishte Aleksandër Helphand, njëri ndër aventrurierët më të mëdhenj politikë të shekullit të ‘ 20. Burri me kokë të bëshme dhe staturën e një skllavi të Mikelanxhelos, me këmbë relativisht të shkurtra" (sipas biografit të tij gjerman, Vinfried Scharlau) jetonte në fillim të luftës si një tregtar i kamur në Stamboll. Pasuria e tij, me shumë gjasa, ishte bërë nëpërmjet ndihmës që ai i ofronte Perandorisë Osmane në përgatitjet e saj për luftë. Sulltani, në nëntor 1914, kishte vendosur të hynte në luftë në krah të fuqive të Aksit. E shkuara e Helphand-it fliste për kualitete revolucionare të atyre që cilësoheshin si “socialistët e salloneve”. Që në vitet e rinisë, hebreu i lindur në Minsk në vitin 1867 ishte regjistruar si njeri që kërkonte rrëzimin e Carit, pasi regjimi i tij shtypte njerëzit e besimit të Moisiut. Me Marksizmin, Helphand ishte njohur në Zvicër, ku ai studionte ashtusikurse edhe shumë rusë të tjerë opozitarë e kundërshtarë me regjimin në vendin e tyre. Në vitin 1891 ai u vendos në Gjermani dhe iu bashkangjit Partisë Socialdemokrate (SPD), e cila asokohe adhurohej nga socialistët e mbarë botës për sukseset e arritura politike – s ‘ duhet të harrojmë se deri në atë kohë, lingua franca ndër revolucionarët e shumë vendeve ishte gjermanishtja.
Shumë shpejt, Helphand zgjoi vëmendjen e publikut me artikujt e tij radikalë me fjali kryengritëse e plot thirrje për përmbysje me dhunë, të cilat i dhanë kësisoj atij namin e një Marksi të dytë, le të themi. Duke sjellë një përshtatje ironike me formën e trupit të tij, ai nisi të thirrej me pseudonimin “Parvus” ("i vogli"). Raprezaljet e motivuara politikisht, të ndërmarra nga policia gjermane e detyruan Helphand shumë shpejt të bënte jetën e një vagabondi; duke lëvizur kështu nga një rajon në tjetrin brenda Rajhut, pasi e përzinin shpesh për aktivitetet e tij, siç bëjnë të ditura disa dokumenta të policisë prusiane, deri kohët e fundit akoma të panjohura për publikun, të zbuluara në arkivën e Policisë së Berlinit. Në Mynih, ai takoi në fillim të shekullit, për herë të parë Leninin, tri vjet më të vogël se ai; e ky i fundit u njoh me Helphand-in në banesën e Roza Luksemburgut, një shoqe e kohës së studimeve e Helphand-it.
Në apartamentin e saj ndodhej për një kohë të shkurtër edhe shtypshkronja ku botohej organi i partisë që drejtonte Lenini. Gjithsesi, vizioni i saj ishte ai i një partie me kuadro të rreptë në aspektin organizativ, me bindje të thella e radikale revolucionare, të cilat mbartnin vetëm caqe ideologjike të skajshme, e që për Helphand-in mbetën deri në vdekje të huaja e utopike. Ai, për këtë arsye shoqërohej më shumë me Leo Bronstein, me pseudonimin “Trotzki”, organizatorin e mëvonshëm “gjenial” dhe “babain” e fitores së bolshevikëve në luftën civile ruse. Trocki mësoi nga Helphand-i, se marrja e pushtetit nga proletariati, nuk ishte "një synim astrologjik", por "një detyrë praktike për t’ u përmbushur gjatë kohës në të cilën ata jetonin".
Kur në vitin 1905 në Rusi shpërtheu Revolucioni, të dy nxituan drejt atdheut; Trocki u vendos në krye të sovjetëve të Shën Petërburgut; Helphand mori ndërkohë në dorë një pjesë të shtypit revolucionar. Ai donte "t’ i hapte rrugën proletariatit revolucionar në Rusi, për të forcuar energjinë revolucionare në Perëndim". Asokohe, në mbarë Rusinë - me territore të pamata – megjithatë regjistroheshin vetëm nja dy milionë punëtorë industrie. Helphand menjëherë u dërgua si i internuar drejt Siberisë, por ai ia doli të arratisej, duke u shfaqur sërish në dimër të 1906/07, në Gjermani. Tek SPD-ja gjermane, Helphand nuk arriti të bënte kurrë shumë shokë. “Shokët” gjermanë ndjenin bezdi nga pikëpamjet e tij radikale e të palatuara, por edhe ndaj dobësisë së tij të theksuar për gratë si dhe pavëmendshmërisë që ai shfaqte ndaj vetë fëmijëve të vet, të cilët i linte pa përkujdesje e të paushqyer si duhej, duke u sjellë me harbutëri.
Kur ai u desh të vihej para një “gjyqi partie”, sepse shkrimtari Maksim Gorki e akuzonte se u ishte nënshtruar borgjezëve e mbretërorëve, Helphand u detyrua ta braktiste Rajhun e të shkonte drejt Stambollit. Atje ai mund të studionte me siguri "poligaminë në burimin e vet të kulluar", talleshin më pas shokët e tij të idealeve. Urrejtja e Helphand-it për Perandroinë cariste duhet të jetë bërë edhe më e madhe gjatë viteve të qëndrimit në brigjet e Bosforit, pasi megjithëse ai konsiderohej akoma “persona non grata” në Gjermani, në fillim të Luftës së Madhe, në vitin 1914, ai ishte rreshtuar në anë të fuqive të Aksit. Ambasadorit gjerman në Kostandinopojë (Stamboll), Helphand i propozoi një aleancë “të detyruar”, shumë joshëse: "interesat eqeverisë gjermane për një moment, përputheshin çuditërisht 100% me ato të revolucionarëve rusë." Diplomati gjerman i siguroi atij akses më në fund në zyrat e nivelet më të larta të Ministrisë së Jashtme të Rajhut, në Berlin. Mbi ecurinë e bisedimeve atje në fund të shkurtit 1915, nuk është bërë asgjë e ditur sakaq, por plani 23-faqësh (të cilin “eksperti” i revolucioneve e paraqiti në rrugën “Vilhelm” në Berlin) për rrëzimin e Carit nëpërmjet grevave masive, është gjendur. Ai kishte menduar për çdo detaj: agjitacioni nën të cilin punëtorët do të ngriheshin në protesta në rajonet industriale, lidhjet me komitetet e grevave, ngycja e pakicave nacionale drejt rebelimit etj. Plani përmbante edhe hedhjen në erë të urave të rëndësishme, t’u vinte flakën rajoneve naftëmbajtëse në Baku ( kryeqytet i Azerbajxhanit ), të çlironte të burgosur politikë në Siberi, të shpërndante broshura propagandistike anticariste jashtë vendit dhe të organizonte transportin e tyre drejt Rusisë. Helphand kërkonte madje "kompetenca të qarta mbi dorëzimin e kalimin e lëndëve plasëse”.
Pjesa II
Letra përfundonte me një listë mbi detyrat më të rëndësishme; në rend të parë shkruhej: "mbështetje financiare për fraksionin në shumicë (dmth bolshevikët) të socialdemokratëve rusë. Udhëheqësit e tij gjenden në Zvicër". Vetëm pak javë më vonë, Helphand mori në dorëzim lëndën plasëse që kërkoi, një pasaportë policie gjermane që i lehtësonte atij udhëtimin dhe padyshim, shumë para: më saktësisht, një milionë marka. Në këtë moment, sigurisht se askush në selinë e qeverisë gjermane nuk mund të shkonte ndërmend se rrëzimi i Carit do të sillte më pas pasoja të rënda edhe për vetë Rajhun e ekzistencën e monarkisë. Kur të dilte ngadhënjimgtar nga Lufta, shkruante përfaqësuesi gjerman në Kopenhagen, Konti Ulrich fon Brockdorff-Rantzau, duke iu referuar punëtorëve në Gjermani, mund të thitheshin edhe elementë të tillë "për bashkëpunim me fronin mbretëror gjerman", të cilët deri në atë moment kishin qëndruar larg. Brockdorff-Rantzau, pinjoll i aristokracisë tradicionale gjermane dhe që kurrë nuk kishte mbetur pa një post, arriti madje të bëhej në kohën e Republikës së Vajmarit edhe Ministër i Jashtëm.
Në fund të majit 1915, Helphand shkon në Bernë, për të – siç bëhej e ditur – folur me Leninin. Ai shfaqet në njërin nga restorantet ruse të qytetit, ku lëvizte e jetonte edhe bolsheviku Lenin dhe ulet në tavolinën ku qëndronte ky i fundit. Sëbashku shkuan më pas në banesën e Leninit. Të dy raportuan në mënyra të ndryshme më vonë se kishin biseduar kokë më kokë dhe se në fund nuk kishin gjetur dot megjithatë gjuhën e përbashkët. Helphand pretendonte se ai i kishte kërkuar Leninit të nxitonte e të përgatiste Revolucionin në Rusi, por ai "ëndërronte për botimin e një reviste komuniste, me të cilën ai besonte se do të shkundte proletariatin europian dhe do ta dërgonte drejt Revolucionit". Lenini përkundrazi, e trajton bashkëbiseduesin si shovinist social gjerman dhe "e lë me bisht ndër shalë", duke i përplasur derën e duke u larguar. Por a qëndron ky version? –
Bolsheviku kishte arsye të kishte një lidhje me Helphand-in. Ndër shokët, ai njihej si spekulant e mashtrues; Roza Luksemburg e kishte prishur miqësinë me të, Trocki gjithashtu. Sipas disa thashethemeve që qarkullonin, ai ishte tashmë një agjent në shërbim të gjermanëve – dhe ky dyshim nuk tolerohej lehtë nga asnjë politikan rus. Disa indicie flasin megjithatë në favor të versionit të Leninit. Ky i fundit, pas takimit jetonte akoma në kushte fare modeste; mungesa e parave ishte një temë e vazhdueshme në letrat e tij. Dhe Helphand u shpjegonte gjithnjë e më shpesh punëdhënësve të tij gjermanë se Lenini duhej përkrahur vetëm kur midis të dy bashkëbiseduesve të rrëzohej ajo gjendje e tensionuar dhe të nisej bashkëpunimi". Një pjesë të parave nga Ministria e Jashtme gjermane, Helphand, me shumë gjasa, i kishte kthyer në letra me vlerë, në vend që t’ i investonte për suksesin e Revolucionit – e këtë ide e përforcojnë më shumë dokumentat që vërtetojnë lëvizjet në kontot e tij bankare. Policia zvicerane i bllokoi më pas në vitin 1919 ato, duke i konfiskuar edhe dokumentat. Nga ana tjetër, këto dokumenta tregojnë se nuk mund të mohohet se kishte edhe bolshevikë që përfituan nga paratë e Helphand-it, gjithsesi vetëm në shuma prej dhjetra mijëra frankash zvicerane. Edhe Valter Nicolai, ish-shefi i shërbimit të fshehtë gjerman shkruante më pas duke kujtuar ato kohë se “Lenini e pati furnizuar shërbimin tim me lajme që flisnin për gjendjen në ...Rusinë Cariste".
Para së gjithash, kundër tezës për “pastërtinë” e bolshevikëve e mosbashkëpunimit e mospërfitimit nga gjermanët, flet rrjeti që Helphand ngriti pas bisedës me Leninin. Pasi në vendet kyçe gjendeshin gjithnjë e më shumë revolucionarë të partisë së Leninit. Moissej Urizki për shembull, i cili më vonë u bë shef i shërbimit të fshehtë bolshevik (Çeka-s) në Petrograd, punonte në atë kohë për Helphand; edhe Jakob Fyrstenberg, njëri ndër njerëzit më të besuar të Leninit dhe pas triumfit të Revolucionit të Tetorit, edhe drejtor i Bankës Kombëtare sovjetike, apo dhe avokati ilegal, Mieczyslav Koslovski, që gjithashtu renditej tek themeluesit e Çeka-s. Ata njiheshin me Parvus-in nga koha e ekzilit, e ishin me njëri-tjetrin shpesh edhe të afërm me lidhje farefisnore, çka e përforcon edhe më shumë, gatishmërinë për lojalitet të skajshëm e diskrecion.
Si pikë mbështetëse, Helphand zgjodhi Kopenhagenin, por operonte edhe nga Stokholmi, pasi Danimarka ashtusikurse Suedia, gjatë gjithë kohës së zhvillimit të Luftës së Parë ruajtën neutralitetin ( dhe Suedia asokohe ndahej me kufinj me Rusinë). Prej këtej, Revolucioni mund të drejtohej e ndihmohej më kollaj. Qysh në gusht 1915 një bashkëpunëtor i Ministrisë së Jashtme gjermane lavdërohej për "mënyrën gjeniale", se si Helphand poe përmbushte detyrën e vet. Në biseda me diplomatët, ai themeloi një ndërmarrje eksporti, e cila donte të përfitonte nga thyerja e tregut të Lindjes gjatë luftës: kompania tregtare mbante emrin "Handels- og Exportkompaniet A/S". Njeriu që përfaqësonte Helphand-in ishte një tregtar berlinez, që ishte agjent i shërbimit informativ gjerman; dhe i besuari i Leninit, Fyrstenberg, një akrobat poliglot bankar gojëkyçur, mori përsipër menaxhimin e ndërmarrjes në fjalë. Për ekspertët gjermanë të Revolucionit, kjo nuk ishte një marrëveshje e pazakontë. Ata fshihnin shpesh shpenzimet e partisë pas aktiviteteve komerciale.
Një “shoku” tjetër iu ble një patentë për një aparat sterilizimi, në mënyrë që ai të arrinte të shpjegonte arritjen e një niveli kaq të shpejtë mirëqenieje, të cilën ai e përdorte për “kauzën e socializmit”. Nga ndërmarrjet e Helphand-it priteshin të vinin shumë rezultate, siç raportonte nga Kopenhageni i dërguari gjerman Brockdorff-Rantzau: "Fitorja, dhe si çmim vendi i parë në botë, është e jona, nëse ia dalim ta revolucionarizojmë Rusinë në kohën e duhur dhe kështu të mund të thyejmë aleancën armike". Por Berlini nuk këmbëngulte vetëm ta vinte Carin nën presion nëpërmjet krijimit të trazirave, por synimi ishte dhe rrëzimi i tij nga froni tashmë. Helphand vendosi kontakte në SHBA, Holandë, Britani të Madhe dhe natyrisht, edhe në Rusi. Pjesërisht ilegale, pjesërisht me ndihmën e deklaratave fallce dhe kontrabandës – dhe ai eksportonte drejt apo importonte nga Perandoria cariste metale me ngjyrë dhe kimikate, automjete të përdorura dhe mjete lundrimi e peshkimi, medikamente, konjak , haviar, lapsa e mjete kancelarie, drithëra, vaj balene e deri tek kondomët. Dhe ngado që ai shfaqej me aktivitetet e tij, haseshin bolshevikët: ndërmarrja , e cila i shiste mallrat jashtë kufijve rusë në tregun e zi, angazhonte si jurist, avokatin Koslovski.
Shefja e financës e kompanisë, e cila transferonte shumat drejt Kopenhagenit ose Stokholmit, ishte në lidhje farefisnore me Fyrstenberg-un, njeriun e Leninit. Në bankat që kryenin transaksionet financiare, në pozicionet e larta drejtuese, ishin bolshevikët. Merret me mend lehtësisht se Lenini e përdori këtë rrjet për të dërguar para drejt Petrogradit, apo dhe për të mbushur arkën e partisë së tij me fitimet që bëheshin në Rusi nga akvititeti i firmës. Një dëshmi interesante është edhe adresa e firmës së Helphand-it, që u gjend në bllokun e adresave të Leninit, rastësisht më vonë. Dhe menaxheri i firmës, Fyrstenberg, e kjo del nga hetimet e suedezëve, udhëtonte rregullisht drejt Rusisë. E sigurtë është se: për ta vënë në punë Revolucionin, bolshevikët kishin nevojë për para. Si një fasho mbi një plagë të keqe shtrihej asokohe fronti lindor nga Balltiku mespërmes Europës deri në Mesdhe.
Rreth 1000 Kilometra duhej të udhëtonin revolucionarët nga Stokholmi drejt Veriut deri në Haparanda, një lokalitet i vogël në kufirin suedezo-rus, pranë rrethit polar. Vendi që sot konsiderohet si një lokalitet i rëndomtë , gjatë kohës së Luftës së Parë ishte një El Dorado për kontrabandistët dhe agjentët e shumë ngjyrave, dhe përbënte shtegun e vetëm të lirë për të depërtuar drejt Rusisë nga kufiri Perëndimor, duke u bërë kështu edhe vendi kryesor ku shkëmbeheshin mallra, lajme e spiunë. Një urë e mirëruajtur prej druri që gjatë ditës lihej e lirë për këmbësorët, të çonte nëpër rrjedhën pjesërisht të kalueshme të lumit “Torneälv”, në të cilën lundronin nganjëherë edhe anije. Nëpunësit rusë duhet të mashtroheshin me letra fallse, ose të josheshin apo të korruptoheshin në një farë mënyre. Letrat e Leninit fshiheshin në këpucë të prodhuara enkas e në mënyra të tjera. Sasi të mëdha literature propagandistike, bolshevikët ia besonin një këpucari në Haparanda, që sëbashku me vendas të tjerë i kontrabandonin librat, broshurat e revistat në anën tjetër të lumit.
Në dimër slitat sillnin ngarkesën revolucionare duke çarë përmes akullit. "Unë ju sjell të fala nga Olga", ishte parulla e përdorur ndër anëtarët e rrjetit. Përtej kufinjve, udhëtimi të çonte më pas edhe 1000 Kilometra të tjerë në drejtim të jugut duke vijuar në Finlandë (asokohe pjesë e Perandorisë Ruse) deri në Petrograd. Më pas, propaganda sovjetike i përshkruante bolshevikët si “super-revolucionarë”, gjë e cila, në Perëndim u besua shpejt e plotësisht. Por vëzhguesit e paprekur ideologjikisht, bënin fjalë shpesh edhe për korrupsion brenda radhëve të “shokëve” revolucionarë. Furnizimet me broshura dhe libra humbën; njëri nga korrierët mori me vete gjithçka që ai i mbante për “sekrete ushtarake”, për të mos rrezikuar shokët e partisë në kufirin ruso-finalndez e nuk u duk më. Edhe policia e fshehtë cariste dukej se ishte e informuar deri diku për këto lëvizje, siç del nga dokumentat që u zbuluan nga publicistja Elisabeth Heresch në Moskë dhe që u publikuan nën emrin "Dosja e fshehtë Parvus. Revolucioni i blerë".
Në radhët e historianëve sot akoma debatohet se deri në ç’masë furnizimet e kontributet në para e llogjistikë të gjermanëve ndikuan në destabilizimin e situatës, më pas rrëzimin e Carit dhe në fund në suksesin e Revolucionit të Tetorit. Edhe vetë Helphand e pësoi nga këto fakte. Tregtari me trup të bëshëm, në moshën mbi 45-vjeçare e që kishte ndërkohë probleme me frymëmarrjen, i kishte lajmëruar punëdhënësit e vet se në janar 1916 do të shpërthente stuhia e më pas do të afrohej sërish revolucioni i 1905. Organizata e tij revolucionare do të ishte sipas tij në gjendje, që të mobilizonte në Petrograd "brenda 24 orëve të paktën 100.000 punëtorë". Për një revolucion të plotë, ai kishte vënë në dispozicion 20 milionë rubla ( që sot përllogariten të kenë vlerën e rreth 134 milionë eurove ) dhe do të dërgonte më pas drejt Kopenhagenit një milionë në “cash”. Data e paralajmëruar u fshi e “rebelimi i madh” mbeti i pakonkretizuar. Por kur Cari më në fund abdikoi, pas Revolucionit të shkurtit 1917, i dërguari gjerman në Kopenhagen, Brockdorff-Rantzau, shkruante se Helphand kishte punuar "si njëri ndër më të parët për suksesin, që tashmë kishte ngadhënjyer".
Kontributin më të rëndësishëm gjerman për rrëzimin e Car Nikollës II, gjithsesi, nuk e dhanë agjentët e fshehtë, por ushtarakët. Në vjeshtë 1916, ushtria gjermane ishte futur tashmë thellë në territorin e Perandorisë cariste. Qindra mijëra ushtarë rusë tashmë kishin rënë në betejë. Dhe nën presionin që lufta megjithatë të vazhdonte, ekonomia ruse ra përtokë. Në fund të vitit 1916, uzinat e fabrikat duhej të ndërprisnin prodhimin, pasi mungonin lëndët e para. Në vend mungonin madje edhe fshatarët dhe kuajt. Në Petrograd dhe në Moskë rezervat në drithëra ishin në mbarim. Në fillim demonstruan punëtorët; më 8 mars 1917 – në ditën ndërkombëtare të Grave – në Petrograd u mblodhën mijëra gra, të cilat qëndronin në radhë të gjata para dyqaneve ushqimore. Kjo ishte, sipas historianit Heiko Haumann, "paradhoma e Revolucionit". Si një zjarr i madh rënë në stepë, protesta u përhap në mbarë Perandorinë. Cari i kapur nga paniku e dëshpërimi, u detyrua të linte fronin.
Në vend të Romanovëve u vendos pushteti i dyfishtë; me qeverinë provizore me shumicë deri diku konservatore, e cila zotëronte aparatin shtetëror, dhe me Këshillin (Sovjetin) e Petrogradit, të mbushur me përfaqësues të rrymave majtiste, punëtorë e ushtarë. Tek ky i fundit, bolshevikët në fillim luanin në fakt vetëm një rol dytësor. Pushtetarët e rinj vendosën kësisoj përkohësisht regjimin më liberal që dëshmohet në historinë e Rusisë: me të drejta të gjera për mbledhje, koalicione dhe liri shtypi. Perandoria u gjend kësisoj, çuditërisht, për një moment "në rrugën më të mirë drejt demokracisë", gjykon historiani gjerman, Manfred Hildermeier. E megjithatë, ata nuk donin t’ i jepnin fund luftës, derisa çmimi për këtë do të ishte hegjemonia gjermane mbi Europë. Për Leninin, i gjithi ky zhvillim erdhi i papritur. Në fillim të 1917, 46-vjeçari arsyetonte dhe besonte akoma se brezi i tij nuk do ta përjetonte dot suksesin e Revolucionit. Sepse “pas rrëzimit të Carit – ai ndodhej në Zvicër, i ngrirë si një shishe në tavolinë", kujtonte më vonë Helphand në kujtimet e veta.
Një kthim nga Franca apo Anglia mbeti alternativë e pazbatueshme; fuqitë e Antantës nuk kishin kurrfarë interesi, që pikërisht Lenini, të ndihmohej të shkonte drejt Rusisë, pasi një dalje e shpejtë e vendit të tij nga lufta, do të shkaktonte probleme për vetë ata. Parë nga kjo perspektivë, Lenini dhe shokët e tij i frikësoheshin një udhëtimi në Detin e Veriut e atë Balltik, edhe sepse mund të torpedoheshin nga nëndetëset gjermane, shumë aktive në atë kohë. Një herë, Lenini në fakt guxoi ta hidhte një hap të tillë, duke u maskuar si një suedez memec dhe duke udhëtuar incognito nëpër Gjermani, një herë me avion fshehtazi, duke fluturuar mbi frontin lindor. Në fund, ai iu bashkangjit propozimit të grupeve të emigrantëve me pikëpamje të majta nga Rusia e Polonia, që bazohej tek udhëtimi me hekurudhë, duke përshkuar Gjermaninë nga jugu në veri e duke vijuar me Skandinavinë. Një ndërmarrje e rrezikshme, pasi ky hap mund të realizohej vetëm me lejen e autoriteteve të Kaizerit gjerman, dhe Lenini ashtusikurse edhe të tjerët, i frikësoheshin arrestimit e kompromentimit.
Me 31 persona të tjerë, pjesëtarë të grupeve të majta, kryesisht radikale, dhe me disa anëtarë të rrethit familjar, Lenini ia nisi udhëtimit. Në fakt, udhëtimi duhej të ndodhte pa u vënë re, por në stacionin e trenit në Zyrih, punët nuk dukeshin fort mirë, siç raportonte më pas atasheu ushtarak gjerman. Rreth njëqind rusë ishin mbledhur aty e disa thërrisnin fort duke e sharë grupin e Leninit që po nisej për në Rusi si spiunë të gjermanëve apo dhe me thirrje si “do ju varin të gjithëve, ju o spiunë, o çifutë të djallit'". Një i ri emigrant rus dallohej sidomos nga të tjerët dhe thërriste me forcë "Provokatorë, derra të fëlliqur". Kur treni u nis, gjithsesi, shokët e Leninit të ndodhur në stacion, nisën të këndonin Internacionalen. Rruga kalonte nga Berlini e më pas drejt Rygenit, në verilindje të Gjermanisë, ku një traget të shpinte drejt Trelleborg-ut, qytetit port suedez. Dy ditë zgjati udhëtimi deri në ishullin suedez në brigjet e Balltikut. Më vonë thuhej se treni (vagoni) më i famshëm i historisë njerëzore kishte qenë madje i blinduar, gjë që e bëri Uinston Çurçillin të fliste me shpoti, duke thënë se Lenini kishte qenë "si një bacil që sillte me vete epidemi vdekjeprurëse së bashku me trenin e tij". Një vijë e shënuar mbi sipërfaqen e vagonit, shënonte kufirin mes sektorëve të zotëruar nga “delegacioni” rus e ai gjerman. Që qeveria e Kaizerit lejoi këtë udhëtim në territoret gjermane, kjo gjë më pas është kritikuar shpesh.
Jakob Fyrstenberg –partneri në biznes i Helphand-it dhe i besuari i Leninit – e mori grupin në dorëzim dhe e drejtoi drejt Trelleborgut. Pas disa ditëve qëndrimi në Stokholm, udhëtimi vijoi me hekurudhë deri në vendkalimin kufitar të Haparanda-s me Rusinë; përpos të gjitha hezitimeve e frikës, megjithatë qeveria provizore ruse e lejoi këtë të ndodhte. Në mbrëmjen e 16 prillit, rreth orës 23.00, Lenini mbërriti në Petrograd. Sovjeti i ushtarëve e punëtorëve dhe shokët e partisë së Leninit i përgatitën atij një pritje të madhe: me flamuj të kuq, banda frymore, me një grup punëtorësh e ushtarësh që ishin rreshtuar në platformën e zbukuruar të stacionit të trenit. Gjatë udhëtimit, Lenini kishte mësuar nga gazeta e partisë "Pravda" se bolshevikët e Petrogradit po vazhdonin luftën dhe se donin të mbështesnin përkohësisht qeverinë provizore, pasi sipas tyre, në Rusi, kushtet për ndërtimin e socializmit nuk ishin pjekur ende. Qysh në mbrëmjen e parë të mbërritjes në atdhe, Lenini bëri të ditur një kurs të ri: mbrojtja e atdheut ishte kësisoj "borgjeze" dhe një "mashtrim i borgjezisë për masat punonjëse". Jo luftës, jo qeverisë provizore, vazhdim i Revolucionit.
Vetëm pasi në Rusi të ishte ngritur diktatura e proletariatit, propagandonte Lenini, do të pasonte Revolucioni në mbarë botën. Një muaj më vonë, ai e bindi gjithë partinë të ndiqte kursin e tij. Për Helphand, ndryshimi i kursit aq shpejt duhet të ketë qenë një triumf i vërtetë, pasi me parullën, “pushteti sa më shpejt në duart e proletariatit", Lenini arriti të merrte një pozicion që Parvus-i dikur ia kishte mësuar Trockit. Nga këndvështrimi gjerman, transferimi i Leninit u dëshmua si masa më e rëndësishme në favor të revolucionit. Vetëm kjo e justifikon tezën se bolshevikët nuk do të mund të arrinin dot të merrnin pushtetin pa ndihmën e gjermanëve në vjeshtë të vitit 1917. Udhëheqësi i partisë e kishte kuptuar më herët se rivalët e vet se degradimi i shoqërisë ruse nuk mund të ndalej, nëse nuk zgjidheshin çështjet primare: si reforma e tokës, rregullimi i problemeve nacionale, çështja e paqes.
Regjimi monarkist në Gjermani deklaronte me gëzim se premtimet e Leninit për paqe dhe reformat për tokën po ecnin. "Propaganda e Leninit është e një lloji të atillë që të bën të besosh se do ketë sukses", thuhej në njërin syresh më 5 korrik 1917. Edhe pak para kthimit të Leninit në atdhe, Zyra apo Ministria e Thesarit të Rajhut miratoi kalimin e një shume prej pesë milionë rajhsmarkash për të. Sekretari gjerman i shtetit për Punët e jashtme, Richard von Kuhlmann, lavdërohej para Hindenburgut dhe Kaizerit se “bolshevikët, pa ndihmën e mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Jashtme të Rajhut , nuk do fitonin kurrë terrenin e ndikimin që ata sot kanë". Gjatë natës së 7 nëntorit – sipas kalendarit të vjetër rus, 25 tetor – regjimentet e garnizonit dhe gardat e kuqe, gjithsej jo më shumë se 20.000 vetë, në mëngjes herët rreth orës 2 pas mesnate, zunë pikat më strategjike; mbrojtja si reaksion ndaj tyre ishte e pakët dhe tashmë dukej se çdo gjë ishte vendosur. Me arrestimin e shpejtë të ministrave të qeverisë provizore në Pallatin e Dimrit ditën tjetër, triumfoi kështu edhe i ashtuquajturi “Revolucioni i Tetorit”. Lenini u vendos në krye të qeverisë që tashmë quhej "Këshilli i Komisarëve të Popullit". Shumë shpejt vendi do të mbulohej nga lufta civile që shkaktoi më shumë vuajtje e viktima se sa vetë Lufta e Madhe (Lufta e Praë Botërore).
Perandoria gjermane nga njëra anë sigurisht se përfitoi nga kaosi në Rusi, pasi trupat gjermane për një kohë të gjatë mbajtën territore të mëdha të ish-Perandorisë cariste të pushtuara. Por në të njejtën kohë, diplomatët e shërbimet e Madhërisë së tij, investuan miliona për të mbajtur në pushtet bolshevikët në pjesën qendrore të Rusisë, pasi vetëm këta të fundit ishin të gatshëm të nënshkruanin një traktat paqeje me Gjermaninë - dhe sepse askush në Berlin nuk besonte se një socializëm real do të mund të ngrihej vërtetë në fund të procesit, të cilin gjermanët besonin se e kontrollonin. "Bolshevikët janë djem të shkathët e deri më tani e kanë kryer çdo gjë më së miri", shënonte në bllokun e tij në fillim të dhjetorit 1917, diplomati gjerman Kurt Riezler, i cili asokohe ndikoi jo pak në politikën gjermane ndaj Rusisë. Nuk do të sqarohet në fakt kurrë se sa ishte shuma që Gjermania e Kaizerit u kaloi në dispozicion bolshevikëve në vitin 1917. Që ishin shuma të majme, kjo nuk vihet më në dyshim. Në arkivën e Ministrisë gjermane të Punëve të Jashtme gjendet megjithatë një dokument mbresëlënës. Më 25 nëntor 1917, njeriu ndërlidhës i Ministrisë në fjalë dërgoi një telegram me këtë përmbajtje për Berlinin zyrtar: "Qeveria aktuale e Petërburgut duhet të luftojë me vështirësi të mëdha. Bankat refuzojnë çdo lloj mbështetje financiare për qeverinë që ka të bëjë me sigurimin urgjent të shumave për ushqime e veshmbathje për popullsinë ...nëse ata ia dalin të sigurojnë fondet emergjente për të përballuar këto vështirësi ...atëherë mund të mbahen më këmbë, derisa të vendoset armëpushimi. Këtë Lenini e kishte kuptuar, e për këtë arsye ai na është drejtuar neve me kërkesën për ndihmë... "
Pas shumë ngjarjesh që pasuan, më 5 nëntor 1918, Vilhelm II ndërpret marrëdhëniet me Rusinë sovjetike, pasi nuk i hynin më në punë. Gjashtë ditë më vonë një delegacion gjerman nënshkroi kushtet për armëpushim të aleatëve, me të cilët u anulua edhe paqja e Brest-Litovsk-ut e arritur me aq mund e shpenzime me rusët (dmth me sovjetikët). Në vend që të fitonte territore, Gjermania humbi në Paqen e Versajës një të shtatën e territoreve të veta. Edhe Kaizeri Vilhelm II nuk mund të qëndronte më në fron e as mund të linte pasues, duke shkuar të kalonte vitet e mbetura të jetës në ekzil, në Holandë. Ai vdiq atje në vitin 1941. Ndërkohë, nga Moska tashmë Lenini, ndërsa po konsolidonte pushtetin e vet, fliste si një profet se imperializmi gjerman ishte rrënuar tashmë në mënyrë të pabesueshme dhe se “duhet pasur frikë nga shpërthimi i aromës së kalbur që ai la pas". Duket si ironi e fatit që kjo shprehje do i shkonte më së miri për shtat trashëgimisë që Lenini la pas, duke pasur parasysh Bashkimin Sovjetik dhe shpërbërjen e tij.
ǒ ndodhi me Parvus-in?
Dr. Aleksandër Helphand (Parvus) që emrin e tij në origjinal e kishte Izrail Lazareviç Helphand, lindi më 27 gusht 1867 në Minsk, në Bjellorusi, vdiq më 12 dhjetor 1924 në Berlin. Përveçse ndihmoi Leninin në udhëtimin e tij e ndihmoi si agjent i Kaizerit në suksesin e Revolucionit, një fakt ky që nuk iu përmend kurrë nga Lenini, duke e e veshur me mister e pluhur harrese, ai njihet edhe si pararendësi e frymëzuesi i politikës ekonomike të Republikës Turke të themeluar nga Ataturku. Së bashku me Trockin, ai cilësohet edhe si babai i tezës së Revolucionit permanent. Më pas, i ashtuquajturi Parvus, deri në ditën e vdekjes së vet, në vitin 1924, jetoi i tërhequr nga jeta publike në një vilë në Berlin, duke mbajtur gjithsesi kontakte të ngushta me shumë socialdemokratë gjermanë gjatë Republikës së Vajmarit. Ai i përmblodhi më pas kujtimet e veta në lidhje me leninin, por nuk arriti kurrë t’ i botonte sa ishte gjallë. “Dosja Parvus – Revolucioni i blerë” është njëri nga botimet që është publikuar së fundmi në Gjermani dhe që bazohet në kujtimet e tij, duke hedhur dritë mbi stacione shumë të rëndësishme të historisë botërore të shekullit të kaluar.
...