Pse Ina Rama preferon moralin e Arjan Ndojës?
Hapja e çështjes penale ndaj Lulzim Basha, vetëm pse e ka dashur ndërtimin sa më shpejt të Rrugës së Shqiptarëve shpjegon më tepër se degradimi i moralit të institucionit të dyshes Ndoja-Rama është në kohezion të plotë me aksionin e verbër politik të Edi Ramës, por edhe me dëshirat e vjetra e të reja të fqinjve tanë të veriut, të cilët nuk do të donin kurrë një botë shqiptare të unifikuar.
Vëmendja e posaçme që kryeprokurorja i ka kushtuar Arian Ndojës, që kur ka marrë kreun e institucionit të akuzës kërkon një analizë të posaçme. Prej andej zbulojmë edhe degradimin e moralit të institucionit. Prokuroria është shndërruar këto kohë në sinonim të aksionit joprofesional e hetimit miks juridiko-politik, i cili s’ka asgjë të përbashkët me akuzën, përveçse çon ujë tek mulliri i opozitës e çon fitime të tjera tek protagonistët e akuzës. Pa asnjë fakt, bile ditën për diell e duke e pasur të qartë se s’kishte asgjë të qortueshme në përpjekjen qeveritare - e posaçërisht të Lulzim Bashës – Ina Rama nisi një hetim penal, prej të cilit s’po bitiset gjë, përveç materialit zhurmues që po i jepet opozitës. Montazhi juridiko-politik u shndërrua në normë, gjatë epokës Ina Rama, e shpejt e shpejt, prej andej niste edhe aksioni zhurmues i Ramës tjetër, Edit, aq sa lart e poshtë nisi edhe të identifikohet kjo opozitë si “opozita e Ramave”. Rreshtimi i prokurorisë në establishmentin e opozitës ka një shpjegim të drejtpërdrejtë, po të analizojmë krahun tjetër, atë të inaktivitetit, bile të aleancës së hapur që Ina Rama shfaqi për Arjan Ndojën. Që ditën e parë të marrjes së çelësve të institucionit të akuzës, kryeprokurorja e mori Arjan Ndojën nga aktiviteti privat i mbrothët ku kishte rënë, për shkak të skandalit të tmerrshëm të lirimit të kriminelëve të deklaruar, që kishte konsumuar në karrierën e tij të re në sistemin e drejtësisë, dhe e emëroi kryeprokuror të Durrësit. E çoi bash në qytetin ku Arjani i kishte bërë gjëmën drejtësisë, duke e ulur kështu standardin e saj, edhe më poshtë sesa nivelet paraardhëse, gjithsesi të vajtueshme. Ina Rama s’e pati për gjë të shpallte si moral të institucionit të vet moralin e Arjan Ndojës, i cili iu kthye sistemit të drejtësisë pa bërë asnjë “mea culpa” e pa sqaruar marrëdhëniet e veta me botën e krimit, të shumëkomentuara në prokurori e tek opinioni durrsak. Edhe kur plasi skandali i fshehjes së pasurisë qindramijë dollarëshe (të paktën të deklaruara prej atij vetë, pasi për të tjerat do të duhet një hetim i mëtejshëm), Ina Rama e konfirmoi të njëjtin moral të degraduar të qeverimit të vet brenda institucionit të akuzës, duke i dhënë një goditje të rëndë krejt kredibilitetit (ende të parehabilituar, që nga epoka Sollaku) të institucionit të akuzës.
Tek qendrimi refuzues i Ina Ramës për t’u distancuar nga Arjan Ndoja duhet lexuar edhe degradimi i moralit të institucionit dhe shndërrimi i tij në një fabrikë montazhesh juridiko-politike. Aty kemi rastin të interpretojmë në invers edhe skërmitjen e Ina Ramës ndaj mazhorancës, e posaçërisht ndaj fytyrës së re të qeverisjes, ministrit aktual të Punëve të Jashtme. Hapja e çështjes penale ndaj Lulzim Basha, vetëm pse e ka dashur me mish e me shpirt ndërtimin sa më shpejt të Rrugës së Shqiptarëve shpjegon edhe njëherë më tepër se degradimi i moralit të institucionit të akuzës prej dyshes Ndoja-Rama është në kohezion të plotë me aksionin e verbër politik të opozitarit Edvin, por edhe me dëshirat e vjetra e të reja të fqinjve tanë të veriut, të cilët nuk do të donin kurrë një botë shqiptare të unifikuar.
...