E Diel, 1 Nëntor 2026

Doktrina Medvedev - shembulli si mund të dështojë një president i paqartë

Owen Matthews, Anna Nemtsova (Newsweek)

Në një shkrim të gjatë analitik, e përjavshmja “Newsweek” analizon bilancin e presidencës Medvedev, duke u ndalur me dështimin e reformave ekonomike, të cilat mbështeteshin vetëm tek llotaria e çmimit të naftës si dhe në pozicionin thuajse qesharak që po merr diplomacia ruse me imitimin e epokës dhe retorikës së prapambetur sovjetike

Çfarë dëshiron në të vërtetë Dimitri Medvedev? Gjashtë muajt e sundimit të tij në Kremlin, sinjalet e lëshuara nga presidenti rus janë aq të përziera saqë ai ka hutuar politikëbërësit dhe diplomatët perëndimorë. Nga një fjalim në tjetrin, për audiencën brenda vendit dhe jashtë, ai ka folur me energji për dhënien fund të kulturës së korrupsionit të Rusisë, për diversifikimin e ekonomisë së Rusisë përtej industrisë së naftës dhe gazit, duke integruar Rusinë në ekonominë botërore, duke krijuar shtetin e së drejtës, dhe për të garantuar lirinë e shtypit. Ai ka thënë se Rusia duhet të jetë një vend ku njerëzit e zakonshëm marrin “një rol shumë më aktiv në jetën politike të vendit”. Sidoqoftë në të njëjtën kohë, ai ka fajësuar Uashingtonin për destabilizimin e financave botërore, fajësoi SHBA për provokimin e luftës me Gjeorgjinë në muajin gusht; duke pohuar me vonesë “interesat e privilegjuara” të Rusisë në zonat pranë saj; dhe propozoi një zhvendosje masive në “arkitekturën globale”, i cili do t’i jepte Rusisë një fjalë shumë më të theksuar në çështjet botërore.
Më herët këtë muaj, në fjalim e tij të parë drejtuar kombit, ai paraqiti një angazhim shumë më të zjarrtë ndaj vlerave liberale sesa paraardhësi i tij, Vladimir Putin, ka patur ndonjëherë. Këshilltari i Putinit, Sergei Karaganov, e quajti fjalimin "fjalimin presidencial më liberal në historinë e Rusisë". Sidoqoftë ai gjithashtu ia doli mbanë të ishte akoma më shumë agresiv sesa Putin duke kërcënuar drejtpërdrejtë Perëndimin me dislokimin e raketave. Përfundimi është se gjatë muajve të fundit, Medvedev ka zhvilluar programin e tij mjaft radikal: çuditërisht liberale brenda vendit, dhe gjithnjë e më shumë agresive jashtë.
Doktrina Medvedev përmbledh një plan ambicioz për të fiksuar shoqërinë e shkatërruar brenda Rusisë dhe për të rivendosur vendin e Rusisë në botë. Në kuptimin më të gjerë, ai është një plan për të ndrequr infrastrukturën botërore të sigurisë dhe atë financiare, sipas kushteve të Rusisë. Një mënyrë për ta bërë këtë, beson Medvedev, është që të zëvendësohet të paktën një pjesë e influencës së Amerikës në Evropë me atë të Rusisë përmes një përzierjeje të kërcënimeve ushtarake dhe përdorimit të rezervave gjigante të gazit të Rusisë si mjet presioni. Si fillim, ai dëshiron të mbajë Amerikën dhe Evropën që të përzihen në zonat pranë Rusisë, dhe ai parashikon ribalancimin e diplomacisë globale përmes formimit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shanghait, një organizëm i lirë i vendeve aziatike që përfshin Rusinë dhe Kinën, një bllok të ngjashëm me NATO-n. Objektivat e tjera përfshijnë transformimin e Moskës në një qendër botërore financiare dhe krijimin e një karteli të prodhuesve të gazit sipas modelit të OPEK-ut, me Rusinë, prodhuesin më të madh të gazit në botë, si anëtar drejtues i tij. "Bota e vjetër unipolare është duke vdekur", thotë Mikhail Margelov, kryetari i Komitetit të Politikës së Jashtme i Dhomës së Lartë të Rusisë. "Fuqi të reja kanë dalë; përveç SHBA ne shikojmë fuqinë në rritje të Brazilit, Kinës, Indisë, BE-së dhe, sigurisht, Rusia". Objektivat jashtëzakonisht ambicioze të Medvedevit kanë evoluar qartazi nga plani i vjetër i Putinit për të rivendosur madhështinë e Rusisë, brenda dhe jashtë. Kjo vështirësi është e çuditshme, meqenëse Putin mbetet drejtuesi energjik i Rusisë në ndenjësen e mbrapme të makinës nga posti i tij si kryeministër, dhe pritet gjerësisht që të rikthehet në presidencë pas një intervali të përshtatshëm.
Por ka ndryshime të qarta midis dy njerëzve. Putin përdori gjuhën e demokracisë dhe liberalizmit kur ai për momentin nxori në mënyrë të përshtatshme ekuivalencat morale midis veprimeve amerikane në Kosovë dhe Irak dhe politikës ruse në Gjeorgji. Medvedev, një avokat i edukuar në Shën Petërburgun liberal të epokës së glasnostit, ka adoptuar një stil më të hapur dhe më modern. Ai navigon në Internet në LiveJournal, rrjetin më të madh të faqeve sociale të Internetit të Rusisë, dhe që ato e kanë bërë atë “të ngrihet dhe të fillojë të punojë, punojë dhe punojë”. Ai rregullon ndalesa “spontane” në kafe dhe restorante për të biseduar me klientët mbi gjëra të tilla si rritja e çmimeve dhe korrupsioni i ulët. Ajo që është akoma edhe më e rëndësishme, Medvedevi është duke dërguar edhe një mesazh kumbues liberal për ekonominë, demokracinë lokale dhe lirinë e shtypit - jo sepse ai është popullor, por sepse ai beson se për të ruajtur funksionimin e Rusisë, ajo ka nevojë për një kontroll të vendosur dhe të vërtetë politik në majë dhe diçka që i afrohet një shoqërie të hapur në një nivel më të ulët, me përgjegjësi për burokratët dhe liri më të madhe për bizneset.
Po ashtu ndërsa ai nxiti një ligj nëpërmjet Parlamentit i cili do të zgjaste mandatin presidencial nga 4 në 6 vjet - duke lejuar potencialisht Putinin të rikthehej si president për 12 vjet - ai gjithashtu ka premtuar të rigjallëruar demokracinë parlamentare në agoni duke mandatuar një rotacion të rregullt dhe të përcaktuar të udhëheqësve të partisë. Për më tepër, ai aktualisht ka promovuar dhe mbrojtur ekonomistët liberalë të tillë si zv/kryeministri i parë Igor Shuvalov, një mbrojtës i të drejtave të aksionerëve, këshilltari ekonomik Arkady Dvorkoviç, një kundërshtar i vendosur i nacionalizimit, dhe Ministrin e Financës Aleksei Kudrin, i cili ka krijuar fondin prej 150 miliard USD të stabilizimit të Rusisë dhe e ka mbrojtur atë kundër përpjekjeve përpjekjeve për ta sulmuar atë për plane shpenzimesh populiste. Mbase më domethënësja mbi të gjitha, Medvedev, ka një kuptim të qartë të problemeve me të cilat përballet Rusia - dhe nuk ka frikë të flasë për to.
Nën Putinin, ekonomia u rrit zhurmshëm me një rritje vjetore prej 7%, falë çmimeve të larta të naftës, gjaku i ekonomisë ruse. Ndërsa Putin duket se realisht kishte pak interes në diversifikimin e ekonomisë ose frenimin e atij lloj korrupsioni i cili e bënte të pamundur madje të rrezikshëm shpirtin e sipërmarrjes. Përkundrazi, një prej shenjave dalluese të fjalimeve të Medvedevit ka qenë kriticizmi i tij i hapur ndaj sistemit të korruptuar të drejtësisë dhe burokracisë së Rusisë - megjithëse ai ka qenë gjithmonë tepër i kujdesshëm për të mos sugjeruar kurrë se Putin ishte përgjegjës që nuk ishte marrë më herët me këtë problem. Në fjalimet e tija, Medvedev ka fajësuar burokratët se janë “sa dyshues për sipërmarrjen e lirë aq sa ç'ishin nën regjimin sovjetik”, dhe për kontrollin e mediave dhe ndërhyrjen në zgjedhje - që mund të tingëllojë çuditshëm kur vjen prej dikujt që ka përfituar kaq shumë nga kontrolli i shtetit si mbi mediat ashtu edhe mbi kutitë e votimit, por megjithatë kjo është një kritikë e ashpër e asaj që nuk ecën me Rusinë. Në një fjalim të javës së kaluar për ministrat kryesorë, ai theksoi se ishte një “prioritet kombëtar” për të inkurajuar ndryshimin dhe për të reduktuar pengesat administrative dhe pengesat e tjera ndaj krijimit dhe zhvillimit të bizneseve të vogla dhe të mesme. Mbi marrëdhëniet me jashtë, Medvedev ka qenë i kujdesshëm për të shmangur paraqitjen e tij si më i dobët sesa Putin. Kryeministri Putin fliste për një “botë multipolare”. Por ishte nën mbikëqyrjen e Medvedevit që Rusia mori ligjin ndërkombëtar në duart e veta ndërsa tanket ruse hyjnë në Osetinë e jugut dhe Abkhazi. Atëherë Kremlini rishpalli të drejtën perandorake të Rusisë për të bërë - dhe gëlltitur - kombet duke njohur republikat e shkëputura gjeorgjiane. Menjëherë pas luftës, Medvedev shkoi një hap më tej duke sugjeruar se rregullat themelore të diplomacisë ndërkombëtare duhet të jenë ndryshuar për të njohur "interesat e privilegjuara të Rusisë në vendet ku ndërhyrja e NATO-s ishte përfundimisht jo e mirëpritur”. "Lidhjet kulturore dhe historike" të Rusisë me vende të ndryshme përgjatë kufijve të saj "dhe përtej" duhet të njihen, ai propozoi - një pohim të qartë të parimit të vjetër sovjetik të sferës së influencës së Moskës. "Ne nuk jemi duke u përpjekur të ringremë Bashkimin Sovjetik", shpjegon deputetin pro-Kremlinit në Dumën ruse, Sergei Markov. "Por Rusia, si një perandori e madhe, duhet të jetë rrethuar me miq". Deri tani, pavarësisht nga fjalët e mëdha, nuk është aspak e qartë nëse ndonjë prej objektivave të mëdha strategjike të Medvedevit mund të realizohet. Me fyerjen e madhe dhe mosbesimin e Perëndimit, Medvedev ka pak modele për të parë në përpjekjen e tij për të plotësuar objektivat e tij ekonomike. Kështu ai është rikthyer në një strategji të politikbërjes pothuajse të stilit sovjetik: duke shpallur plane ambicioze për të reformuar dhe pastaj në dukje për të besuar se ata do të jenë përmbushur me dekrete, sesa përmes detyrës së vështirë dhe shpesh të rëndë të ngritjes së koalicioneve, negociimit dhe menaxhimit të interesave të thella të cilat duan të pengojnë reformat. Me pak fjalë, Medvedev ka folur për një lojë të mire, por atje ka patur pak rezultate konkrete.
Në politikën e jashtme, me çmimet e naftës që kanë zbritur 2/3 nga maja e tyre, Medvedev është tani në një pozicion të pazakontë: ambiciet me të cilat ai filloi presidencën e tij nuk i përgjigjen më realitetit të pozicionin gjithnjë e më shumë të pasigurt të Rusisë. Gjatë 6 muajve të fundit, Bursa e Moskës ka rënë me më shumë se 65%, dhe rubla ka rënë me 25% në dy muaj. Banka Botërore vlerëson se rubla do të bjerë me rreth 15% në 2009. Ndërsa jo më vonë se tetori, në konferencën e Ministrave të Financave të BE-së, në Evian, Medvedevi fliste për "kthimin e Moskës në qendër të fuqishme financiare dhe rubla në një prej monedhave rajonale drejtuese për sa i përket rezervave" - ide që mund të kenë pasur kuptim me naftën në çmimin 150 USD por tani duken pothuajse qesharake. Pak të huaj u nevojitet realisht rubla për arsye se eksportet më të mëdha të Rusisë - nafta, gazi dhe armët - të gjitha këto tregtohen në dollarë. Madje as Bjellorusia, me popullsinë e saj 10 milionëshe dhe izolimin politik nga Evropa, nuk dëshiron të adoptojë rublën ruse si monedhën e saj. Sa për të qenit një nyje financiare, me e mira që Medvedevi realisht mund të shpresojë për të është që më shumë aksione ruse të jenë tregtuar në Moskë, sesa në Londër dhe Nju-Jork, dhe për kapitalet ruse të rikthehen në bankat ruse sesa të zhduken në kompanitë off-shore, ashtu siç ka qenë, në një shkallë alarmuese prej 3-7 miliard USD në javë prej shtatorit. Por megjithatë kjo është një mundësi e largët. Zakoni i bursës së Moskës për t’u mbyllur kur indekset fillojnë të bien, ndonjëherë për ditë me radhë, vështirë se i siguron investitorët. Plani i Medvedevit për të shtyrë përpara me një ide të Putinit për të formuar "një OPEK gazi" me Iranin dhe Katarin për të caktuar çmimet dhe për të koordinuar furnizimet mundet, teorikisht, të neutralizojë përpjekjet evropiane për të thyer vartësinë e tyre në gazin rus përmes diversifikimit të furnizimeve. Por edhe kjo tani duket gjithnjë e më shumë e sforcuar. Edhe OPEK i rregullt nuk ka qenë në gjendje të ruajë çmimin e naftës nga kolapsi, dhe natyra e kontratave të gazit, shpesh nënshkruhen për dekada përpara, e bën shumë më të vështirë manipulimin e çmimeve. Për më tepër, Perëndimi është më pak i varur se më parë nga gazi rus. Sipas një analize nga Pierre Noël në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, pjesa e Rusisë në importet e gazit të BE-së është pothuajse përgjysmuar prej 1980, në 40%, ndërsa Evropa po diversifikon furnizimet e veta me gaz natyror të lëngshëm nga Algjeria dhe Nigeria. Gazi rus tani përfaqëson vetëm 6,5% të furnizimeve themelore energjetike të BE-së - dhe që kjo përqindje është duke u zvogëluar. Ka të dhëna se Perëndimi ka filluar të kuptojë sesa të zbrazëta janë disa prej mburrjeve të Medvedevit. Organizata për Bashkëpunimin e Shanghait, për të cilën u kujdes me shumë dashuri Putin si një bllok potencial aziatik për të rivalizuar NATO-n, përfundoi duke refuzuar që të mbështeste njohjen nga ana e Moskës e Osetisë dhe Abkhazisë në shtator (për sikletin e madh të Moskës, vetëm Hamasi dhe Nikaragua e bënë këtë). Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Shefer i ka bërë gjithashtu thirrje Evropës të mos rrijë mënjanë “ndaj të drejtës së një vendi për të zgjedhur lirisht rrjeshtimin e tij të sigurisë” dhe të mos të jepet përpara presioneve të Moskës, ndërsa Ukraina ngulmon për një plan veprimi anëtarësimi për të përshpejtuar pranimin. Sa për kërcënimet e paturpshme të Medvedevit me raketa, evropianët duken më shumë konfuzë sesa të frikësuar. Në fjalimin e tij drejtuar kombit ai tha se do të vendoste raketa Iskander në enklavën ruse të Kaliningradit në Balltik për të kundërshtuar mbrojtjen kundër raketë amerikane dhe bazat e radarit në Poloni dhe Republikën Ceke. Këto raketa teorikisht mund të dërgojnë mbushje raketash prej 450 kile thellë në Evropën Qendrore. Por Iskander ishte përdorur në luftën gjeorgjiane dhe u provua se ishte e pasaktë, vëren analisti i pavarur ushtarak Pavel Felgenhauer - dhe, në çdo rast, nuk do të ishin efektive kundër raketave që do të ishin përdorur në sistemin e propozuar nga Administrata Bush për mbrojtjen kundër raketave (vetë ai për t’u mbrojtur kundër Iranit dhe jo Rusisë). Analisti Stanislav Belkovsky thotë se detaje të tilla janë pothuajse të parëndësishme – plani Medvedev ishte për “të futur një pykë midis evropianëve dhe amerikanëve” duke shfrytëzuar shqetësimet evropiane se mbrojtja kundërraketë vetëm do të provokonte Rusinë. Në këtë kuptim, thotë ai, kërcënimi ishte një dredhi klasike sovjetike e negociatave: “Ju krijoni një problem, atëherë ofroni për ta mënjanuar atë në shkëmbim të diçkaje për të cilën keni nevojë”.
Por Medvedev e humbi rastin duke e bërë kërcënimin e tij me raketa vetëm disa orë pasi Barak Obama fitoi zgjedhjet amerikane, duke e bërë kërcënimin të duket çuditërisht agresiv dhe jo me një hap me rastin, veçanërisht për arsye se pikëpamjet e Obamës mbi mbrojtjen kundër raketave janë të paqarta. Në të vërtetë, retorika e ashpër e Medvedevit mund t’i japë Obamës një mundësi të dobishme për të treguar forcën e karakterit të tij, t’u tregojë iranianëve e koreano-veriorëve dhe botës se një demokrat që flet butë nuk duhet të merret më lehtë. Disa politikanë thjesht nuk e pranojnë gjuhën e ashpër: "Ne jemi mësuar me faktin se Rusia ankohet për secilin tani dhe më parë”, përfundon kryeministri polak Donald Tusk. “Evropa nuk duhet t’i japë më shumë vëmendje kësaj deklarate". Sigurisht nuk ka asnjë mendim për të larguar në tërësi Rusinë, për ta poshtëruar atë dhe për ta trajtuar si një ari prej letre. Në një epokë të rënies së çmimit të naftës dhe gjendjes së vështirë ekonomike, Rusia është tani papritmas kundër murit, dhe Medvedev shumë shpejt do të përballet me joshjen për të kontrolluar dhe shtypur ekonominë ruse - duke caktuar çmimet, kërcënuar biznesmenët dhe udhëhequr fluksin e kapitalit. Ai gjithashtu mund të joshet për të përsëritur aventurën e tij ushtarake në Gjeorgji për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik nga një situatë e përkeqësuar brenda vendit - mbase me një përleshje me Ukrainën mbi Krimenë. Të dyja do të ishin shkatërrimtare. Medvedevi ka pak shans për të reformuar botën në imazhin e Kremlinit- dhe pak pjesë të doktrinës së tij ka të ngjarë t’i rezistojnë rënies së ekonomike të Rusisë. Por të paktën ai duket se beson vërtetë se “liria është më e mirë sesa joliria”, dhe ai është duke u përpjekur më fuqimisht sesa çdo udhëheqës i mëparshëm rus për të integruar vendin në ekonominë botërore dhe për t’i dhënë fund asaj që ai e quan “nihilizmi ligjor” që ka infektuar vendin e tij. Nëse ai do të ketë sukses në këtë lloj reformash, të tilla si frenimin e burokracisë së pangopur dhe të korruptuar dhe të fusë shtetin e së drejtës, ai mund ta bëjë vendin e tij shumë më funksional dhe më të pasur. Një ekonomi reale dhe e lulëzuar, dhe një marrëdhënie e re konstruktive me Perëndimin, do ta bënte Rusinë me të vërtetë shumë më të fuqishme sesa çdo kërcënim me raketa.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›