Cikli “Përrallat e gushtit”/“Martesa” Topi - Rama” kujton se mund ta klonojë mandatin presidencial

Gjithçka është në dritën e diellit. Vota e presidentit Topi, e hedhur më 8 maj në kutinë “fatale”, ishte vetëm maja e ajsbergut që do hidhte dritë mbi aleancën e fshehtë mes Bamir Topit dhe Edi Ramës. Bamir Topi shprehu të drejtën e tij sovrane për të votuar lirisht dhe ashtu bëri, votoi kandidatin e tij të preferuar, Edi Ramën. Për vërtetësinë e saj, dyshimet janë të tepërta, për të mos thënë se, do ishte fodullëk të pretendohej e kundërta. Reagimet nga të dy palët janë kontradiktore, aq sa edhe fshehin skupet më të zeza mes tyre, duke u ‘maskuar’ pas justifikimit se gjithçka del në dritë është e frymëzuar politikisht. Por kjo s’ndalet me kaq. Edi Rama dhe Bamir Topi s’e kanë mohuar aleancën mes tyre dhe si e tillë është sa i turpshëm aq dhe qesharak çdo reagim ‘refuzues’ që vjen nga zyra e shtypit e Bamir Topit. E kundërta, pra heshtja, do ishte më e ndershme. Rrjedhimisht, jo të rastësishme mund të konsiderohen akuzat për përfshirjen institucionale të disa prej krerëve të shtetit, në puçin institucional të 21 janarit 2011. Pas këtij momenti, s’do vononte dalja në skenë, këtë herë thuajse zyrtarisht, preferenca politike e Bamir Topit për lidershipin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Vota e 8 majit, nuk solli asnjë lloj komprometimi të figurës së presidentit me mazhorancën, e cila 4 vite më parë e votoi unanimisht për postin që ai mban sot. I gjithë opinioni publik arrin të analizojë se sa figurë përfaqësuese është presidenti i Republikës, pas “peshkimit” që i bëri kryekriza e politikës shqiptare, Edi Rama. Megjithatë, komprometimin më të madh, kreu i shtetit e krijoi me “detyrën e tij kushtetuese”, pasi shkeli funksionin si unitar i shtetit dhe konsensualitetin mes faktorëve politik. Dy elementë këto, që presidentit të Republikës i mungojnë, edhe pse me vullnet të hapur të këtij të fundit. Por, Edi Rama po luan ‘xholin’, duke kthyer në ‘trend’ përdorimin e Presidentit, jo më si në 21 janar apo më 8 maj kur i mori bojën, por përmes premtimit që i ka dhënë se, do insistojnë për një rikandidim të mundshëm të tij, në Krye të Shtetit. Kuptueshëm, skenaret janë të qartë si kristali, pasi hartohen gjerë e gjatë në “selitë e bulevardit”, ku dhe përgatitet çorba e krizës politike dhe ngecja e reformave të integrimit. Dhe rrjedhojë e shkak-pasojës, është kërkesa e lidershipit të selisë rozë, për ndryshimet Kushtetuese, me qëllim, kthimin e nenit që zgjedh Presidentin me 84 vota. Përmes kësaj formule, Edi Rama ka në dorë fatet e vendit, duke shantazhuar një krizë politike të panevojshme dhe automatikisht një tjetër “shuplakë” ndaj kursit të integrimit në Bashkimin Evropian. Prandaj, Bamir Topi, në rastin më të mirë është thjesht një kamerdare shpëtimi, për të paudhin e opozitës, Edvin Rama. Por, për presidentin e republikës dhe detyrën e tij institucionale, vlejnë thjesht “dy fjalë”: “S’kryen rolin e tij unitar i shtetit dhe popullit; s’qëndron mbi palët politike, madje është gjithnjë e më i ndikueshëm nga influenca politike, e dirigjuar nga njeriu i krizës, Edi Rama.
...