Kriza e Edi Ramës s’mund të paraqitet si paketë kushtetuese

Kryeministri i përgjigjet edhe njëherë shantazhit të PS-së, e cila nëpërmjet kasnecëve parlamentarë po kërkon ta kushtëzojë integrimin e vendit në BE me paketën e ruajtjes së karriges partiake, përmes hipotekimit të presidencës.
Berisha: “Kushtetuta nuk është statut partie, Edi Rama të kërkojë ndjesë për qëndrimin ndaj vizave”
Kryeministri Sali Berisha i referohet përsëri kërkesës së opozitës për ndryshimet Kushtetuese, duke refuzuar çdo tendencë të Partisë Socialiste për amendime të reja në ligjin themeltar të shtetit. Në mbledhjen javore të Këshillit të Ministrave, shefi i ekzekutivit gjeti rastin t’i kthejë përgjigje definitive pretendimeve të lidershipit të selisë rozë Edi Rama.
Sipas kryeministrit, kushtetuta nuk mund të amendohet sa herë i lëviz karrigia Edi Ramës. Por, sikundër do të theksonte kryeministri Berisha, para se Edi Rama të shprehë pendesë për ndryshimin e ligjit themeltar në prill të 2008-ës, në radhë të parë duhet të kërkojë ndjesë publike për qëndrimin e mbajtur ndaj liberalizimit të vizave.
“Ne u bëmë i vetmi vend në Europë, në të cilin opozita që lëvizte vetë me pasaporta diplomatike, që nuk e dinte se çfarë është viza dhe pengimi për të, u ngrit kundër heqjes së tyre, zhvilloi të gjitha llojet e fushatave për të bllokuar heqjen e vizave për shqiptarët. Është e thjeshtë të shprehësh pendesë se ndryshove nenin për të zgjedhur këtë apo atë krerë institucioni, paçka se i ke sjellë në standardet më optimale europiane dhe të mos shprehësh pendesë se u përpoqe të pengosh çdo qytetar, nënë, baba, motër, vëlla, bashkëshorte e bashkëshort të këtij vendi për të takuar njerëzit e tyre më të dashur, se bërë gjithçka për të mbajtur murin e ‘Schengen’-it ndaj rinisë shqiptare. Pendesa duhet të fillojë nga kjo. Ndjesa duhet të fillojë nga kjo. Falja duhet të fillojë nga kjo dhe jo nga karrigia e këtij apo atij. Atëherë bëhesh i besueshëm, sepse tregon se ke dhembshuri e respekt për tjetrin, tregon se një gabim të rëndë që bëre di ta korrigjosh, por jo të kërkosh paketë karrigesh e të mendosh se Kushtetuta është statut partie”, u shpreh kryeministri Berisha, duke shtuar se “qytetarët nuk kanë asnjë preokupim se zgjidhet presidenti me 5/6 apo 7/5”. “Qytetarët kanë preokupim që rregulli të ecë sipas Kushtetutës, preokupimi i tyre kryesor është rroga, pensioni, rruga, preokupimi më madhor është viza. Garantoj qytetarët se ne do të vazhdojmë t’i mbajmë ata në epiqendër, në piedestal të të gjithë përpjekjeve tona”, tha kryeministri.
Reagimi i kryeministrit të vendit, vjen pas kërkesës së hapur të kreut të PS-së, Edi Rama, i cili shprehu pendesë për ndryshimet Kushtetuese në prill të 2008-ës. Por, më shumë se një “pendesë” për gabimin e 2008-ës, Edi Rama s’denjoi për asnjë moment t’ia atashojë vetes përgjegjësitë e këtij hapi fals, e cila siç interpretohet nga zëra ndryshe në PS, solli humbjet e njëpasnjëshme të Partisë e Socialiste dhe opozitës në tërësi.
Sikurse shprehet dhe kryeministri Berisha, minimumi i asaj që mund të bëjë zoti Rama, është të kërkojë falje publike për qëndrimin e tij destruktiv gjatë procesit të liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.