E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cikli i plotë i veprës së Danish Jukniut

Nudo, punime shkollore dhe vepra të realizuara në vitet 1959-1990. Për herë të parë prezantohen në Shkodër koleksionet private dhe ato shtetërore të pikturës së Danish Jukniut


E kanë quajtur piktor të guximshëm dhe modernist, që theu kufijtë e artit të realizmit socialist në telajo. Danish Jukniu, vepra e tij postume, prezantohet në Galerinë e Arteve në Shkodër. Disa vjet pas vdekjes, është hera e parë që qyteti i lindjes i bën të mundur ekspozimin e disa veprave të tij duke sjellë kështu dhe bashkëpunimin e parë mes galerisë së arteve dhe koleksionistëve privatë shkodranë.


Vepra të Jukniut, fond i kësaj galerie, së bashku me disa të tjera sjellë nga të afërm të tij si dhe ato që janë pjesë e koleksionit privat të një familjeje shkodrane, janë gjithçka që kujtojnë artistin. Sipas drejtorit të Galerisë së Arteve në Shkodër, Artan Draçini, kjo ekspozitë është e para e llojit ku bashkohen një galeri publike me një koleksion privat. Në këtë ekspozitë janë paraqitur punime të viteve të ndryshme të autorit, disa ekspozohen për herë të parë, por që janë pronë e koleksionit privat të familjes Kastrati në Shkodër.


Gjen aty punimet e kohës shkollore, nudot e periudhës së studimeve në Poloni si dhe cikle që i përkasin viteve 1959-1990. "Ai i ka qëndruar kaq pranë pikturës, aspak si akt, por si domosdoshmëri jetike, sa të detyron ta kërkosh për kudo delikatesën e tij artistike. Rasti i artistit Jukniu ishte një absurd i veçuar nën një sistem vlerash të përkufizuara qartë nga i ashtuquajturi art i realizmit socialist, ku personazhe si ai në njëfarë mënyre kishin grumbulluar rreth vetes privilegjin e disa sekreteve të pathëna në zbulim të artit", shprehet për të një nga nxënësit e tij, piktori Vladimir Myrtezai.


Por cila qe filozofia e tij? Myrtezai kujton se ishte "në thelb i hapur me një kureshtje të palodhur, me një kulturë të madhe për fenomenet, historinë, popujt dhe kulturat e ndryshme. Një vëmendje të madhe për natyrën, artikulime të ndryshme e kritike për artin. Piktura e tij sot duhet të qëndrojë në pazëllin historik të artit, në majat e epokës që ai jetoi.


Kjo racë njerëzish e ka riciklimin të vonë, por nën sepetet e nëndërgjegjes së species ajo krijon nënshtresën e ruajtur me kujdes nga të gjithë ata që luftuan ta zbulojnë qenien dhe jo vetëm tharmin e artit të tij, por dhe vetë modelin e humbur që duhen kohë të tilla absurde për ta rizbuluar".


Danish Jukniu u lind më 19 qershor 1934. Mësimet e para për artin i mori nga bizantologia ruse Viktori Puzanova. Studimet e larta për pikturë i kreu në Poloni në Akademinë e Arteve në Krakov.


Atje ai u përball me shkollën ndryshe, pa kufizime, ku lulëzonin të gjitha rrymat e artit duke pasur kështu mundësi të zhvillonte talentin e tij. Polonia do të ishte vendi që do t'i jepte piktorit të madh dhe dashurinë e jetës së tij. Danish Jukniu vdiq në vitin 2003 duke lënë pas një trashëgimi të rrallë dhe pjesë tashmë e historisë së pikturës kombëtare shqiptare, si një emrat më përfaqësues të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›