E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cikloni “Aila” shkakton 25 të vdekur në Indi

Daka - Të paktën 25 persona gjetën vdekjen nga cikloni “Aila” që përfshiu dje brigjet jugore të Bangladeshit dhe të Indisë Lindore. Sipas burimeve të para, 15 nga personat e vdekur janë fëmijë, të cilët janë mbytur nga dallgët që kapnin lartësinë e 4 metrave. Cikloni “Aila” ka dëmtuar edhe 330 000 banorë në bregun jugor, ku ushtarë dhe skuadra civile të shpëtimit shpërndanin ushqime, ujë të pijshëm dhe tenda.

"Gjendja është shumë e vështirë. Të gjithë këta njerëz janë të pastrehë sepse shtëpitë e tyre janë shkatërruar", shprehu keqardhjen pranë AFP-së shefi i departamentit të bregut Khulna, Atiur Rahman.

"Në këtë rajon kufitar me Indinë, që u përfshi nga erëra me shpejtësi 100 kilometra në orë dhe nga shira të rrëmbyeshëm, kemi humbur të paktën 50 000 shtëpi prej balte dhe bambuje", shtoi ai.

Kjo stuhi nuk kurseu as Kalkutën, kryeqytetin e shtetit indian Bengali Perëndimor. Në këtë megapol prej 15 milionë banorësh, pesë persona kanë gjetur vdekjen nga rrëzimi i pemëve ose i shtyllave elektrike mbi shtëpitë dhe makinat, njoftoi kryetari i qeverisë lokale, Buddhadeb Bhattacharjee.

Cikloni shkatërroi një pjesë të brigjeve të Bengalit Perëndimor: pesë persona kanë humbur jetën, 100 000 janë prekur dhe 100 fshatra janë përmbytur, sipas agjencisë Press Trust of India (PTI).

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›