Ciko, urdhër nga Franca: Kalorës!
Maestros shqiptar, Zhani Ciko, i jepet urdhri më i lartë francez për personalitetet që kontribuojnë në kulturë dhe fushën e letrave: “Kalorësi i Arteve dhe Letrave”. Ky urdhër i është dorëzuar dje në një ceremoni zyrtare të organizuar në Ambasadën Franceze në Tiranë. Motivacioni i urdhrit për mjeshtrin shqiptar të klasikes, Ciko, aktualisht drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, u lexua nga ambasadorja e Francës, e cila u shpreh:
“Violinist virtuoz dhe dirigjent orkestre i talentuar, i cili edhe nën diktaturë ka arritur të transmetojë dashurinë dhe mjeshtërinë e muzikës megjithëse vendi ishte i bunkerizuar. Prej 1991, ka dirigjuar orkestra në Austri, Francë, Itali dhe Hungari. Në Tiranë ju ishit i pari dirigjent shqiptar që drejtuat në stinën e koncerteve ndërkombëtare “Allegretto Albania”.
Shqiptar dhe evropian, por gjithashtu francez në zemër, ju gjithmonë i keni dhënë krijimit francez, artit francez pjesën e duhur në programacionet kulturore të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, që ju drejtoni”. Çfarë e ka tërhequr vëmendjen drejt këtij personaliteti të muzikës klasike shqiptare për palën franceze ka qenë kontributi dhe mbështetja që ka dhënë drejtori i TOB-it, mjeshtri Ciko për vënien në skenë të operave, baleteve dhe koncerteve me pjesëmarrjen e artistëve të njohur francezë, ose të dirigjuar nga mjeshtra francezë të njohur.
Shfaqja e operëes Faust, e kompozitorit Gounod, Carmen e Bizet, krijimin e Karine Saporta, baletin Coppelia, bashkëpunimi me skenat operistike franceze, ku veçohet si ngjarje bashkëpunimi me Operën e Marsejës – është kjo një pjesë e kulturës franceze e sjellë në Tiranë, për të cilat njohuria, profesionalizmi dhe bashkëpunimi i mundësuar nga Ciko kanë ngjallur ndjeshmërinë franceze që një personalitet shqiptar në këtë rast të hyjë në listën e Kalorësve të Artit Francez, pa asnjë lloj paragjykimi.
“Për talentin tuaj, për punën tuaj mishëruar në favor të arteve skenike dhe muzikës, për veprimin tuaj të vazhdueshëm në promovimin e kulturës franceze, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju transmetoj në emër të Ministrisë së Kultures dhe Komunikacionit, titullin Kavalier i Urdhrit Kombëtar të Artit dhe Letrave”, - ka vazhduar më tej ambasadorja franceze, duke nxitur leximin e motivacionit si shenjë e vlerësimit edhe për të gjithë karrierën e merituar të mjeshtrit shqiptar, Ciko. Prej këtij serioziteti bashkëpunues, po dje, u dha lajmi se vitin që vjen Operën e Tiranës do ta vizitojë koreografi i njohur, me origjinë shqiptare, që jeton në Francë, Angjelin Prelocaj. Nëse do të ndodhë kjo vërtet, për skenën e baletit shqiptar kjo do të jetë ngjarje, kur kujtojmë që para disa viteve trupa e Prelocajt ka vënë në skenë e Operës një shfaqje, që ka qenë një nga befasitë e këtyre 20 viteve për publikun shqiptar. ǒështë Urdhri i Arteve dhe Letrave? Urdhri i Arteve dhe Letrave është një dekoratë nderi franceze, e cila, e menaxhuar nga Ministria e Kulturës Franceze, vlerëson: "individët të cilët dallohen nga kreativiteti i tyre në art dhe literaturë ose për kontributin që ata kanë dhënë për zhvillimin e Arteve dhe Letërsisë në Francë dhe në mbarë botën.
Ky urdhër dallohet nga dy elemente themelore: së pari nga kualiteti i anëtarëve të saj dhe nga kontingjenti vjetor shumë i reduktuar. Urdhri i Arteve dhe Letrave është vendosur më 2 maj 1957 (Dekreti nr. 57-549, i muajit maj 1957 mbi themelimin e organizatës së arteve dhe letërsisë). "E respektuar dhe e dëshiruar nga artistë, shkrimtarë, krijues" sipas formulimit të Andre Malraux, ky titull ishte një nga katër titujt ministrorë të Meritës Urdhri i Arteve dhe Letërsisë, që përfshin tre grada, dhënë me dekret të ministrit të Kulturës, pas konsultimit me prefektin dhe Këshillin e Avokatëve të Arteve dhe Letërsisë: grada e kalorësit, grada e oficerit dhe grada e komandantit.
Urdhri i Ministrit të Kulturës që zyrtarizon emrat e titullarëve të rinj publikohet në Buletinin zyrtar të dekoratave, medaljeve dhe çmimeve. Këshilli i Avokatëve të Arteve dhe Letrave përfshin dymbëdhjetë anëtarë të së drejtës - duke përfshirë edhe drejtorët e Administrimit të Përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Arkivit Kombëtar, letërsisë dhe muzetë e Francës - dhe trembëdhjetë anëtarë të emëruar nga ministri.
Medalja e Arteve dhe Letrave u krijua nga Raymond Subes, artpunues i njohur, një anëtar i Institutit. Shiriti i titullit, i gjerë tridhjetë e shtatë milimetra, është i përbërë nga pesë vija me ngjyre jeshile të errët (5,5 mm) të ndara nga katër vija të bardha vertikale (2,4 mm).
Medalja është një ndërthurje dy-njëanshme me tetë degët në smalt të gjelbër dhe vendosur me një arabeskë argjendi ose ari. Ne shohim në medaljonin qendror një monogram të përbërë nga shkronjat A dhe L ndërthurur. Ndër personalitetet që kanë marrë këtë Urdhër përmenden: Sherrill Milnes, Ion Caramitru, Rudolf Nureyev, Amanda Lear, George Clooney, Vanessa Paradis etj.