A/H1N1; Vdes në Itali shqiptari, një tjetër në spital
Një emigrant shqiptar ka humbur jetën dje nga virusi A/H1N1 në Itali. Mediat italiane bënë të ditur dje se 37-vjeçari gjeti vdekjen në spitalin “Monaldi” të Napolit, ku ishte shtruar, pasi kishte pasur probleme shëndetësore. 37-vjeçari kishte kryer më parë një transplant veshke dhe ishte në trajtim për zëvendësimin e një valvule kardiake, gjithashtu kishte probleme me diabetin dhe hipertensionin. Shqiptari ishte shtruar në spitalin e Napolit që prej 6 nëntorit, ku ishte transferuar nga spitali “Kotunjo”. Vetëm gjatë ditës së djeshme në Itali janë shënuar 5 viktima të reja nga virusi i gripit të derrit. Mediat italiane flasin dhe për një shqiptar tjetër, i cili ndodhet në një spital të Pavias, i infektuar me virusin A/H1N1. Shkruhet se 35-vjeçari me banim në Teramo është transferuar urgjentisht me helikopter të dielën në spitalin e Pavias ku ndodhet aktualisht.
Mjekët janë treguar optimistë për përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore, që aktualisht është në gjendje të qëndrueshme, pavarësisht se ka një prognozë të rezervuar.