Maroni siguron Bashën: Ne ju mbështesim, pa viza në mes të 2010-ës
Italia do të angazhohet në liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2010. Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, shprehu qëndrimin e tij gjatë një konference për shtyp të mbajtur ditën e djeshme. Sipas ministrit italian, Shqipëria i ka plotësuar kriteret e përcaktuara të nevojshme në këtë proces. “Garantova ministrin Basha për angazhimin tim të plotë se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të vendeve të Bashkimit Evropian, që do të mbahet në fund të këtij muaji, do të angazhohemi për të vendosur mbi realizimin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë brenda gjashtëmujorit të parë të vitit tjetër. Shqipëria i ka plotësuar kriteret e përcaktuara në lartësinë e duhur dhe në një kohë të shkurtër”, - u shpreh ai. Ministri italian shtoi se angazhimi dhe mbështetja e Italisë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe për liberalizimin e vizave është një fakt natyral, që në një kuadër më të gjerë duhet të sjellë integrimin e të gjithë rajonit. Maroni shtoi se përveç procesit të liberalizimit të vizave, me rëndësi është procesi i integrimit të gjithë rajonit të Ballkanit në Bashkimin Evropian.
“Jam i bindur se procesi i liberalizimit të vizave, por mbi të gjitha procesi i integrimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian duhet bërë sa më shpejt, sepse ky rajon është pjesë e Evropës, sepse integrimi rrit nivelin e sigurisë për të gjithë vendet evropiane”, - u shpreh ministri italian. Ministri Basha falënderoi homologun Maroni dhe qeverinë italiane për mbështetjen e dhënë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe për liberalizimin e vizave. Ai shprehu bindjen se ekspertët e Komisionit Evropian që do të mbërrijnë me misionin e parë më 14 dhjetor do të konstatojnë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për të përfituar liberalizimin e vizave.
Ministri Maroni theksoi se duke njohur dhe vlerësuar përpjekjet dhe arritjet e mëdha të Shqipërisë, Italia mbështet integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në veçanti liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Lufta ndaj krimit
Gjatë takimit të zhvilluar ditën e djeshme midis ministrit Basha dhe homologut të tij italian u diskutua edhe mbi bashkëpunimin dypalësh në luftën kundër kriminalitetit, goditjes së rrjeteve të krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe trafikut të qenieve njerëzore. Të dy ministrat konstatuan nivelin e shkëlqyer të këtij bashkëpunimi, duke e konsideruar atë një bashkëpunim shembullor bazuar në rezultatet e prekshme dhe konkrete në shërbim të rendit e sigurisë për qytetarët e të dyja vendeve.
Ministri Basha informoi ministrin Maroni për rezultatet e shkëlqyera në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, të drogës, të qenieve njerëzore, për rezultatet kundër kriminalitetit, goditjen e bandave kriminale dhe krerëve të tyre, çmontimin e rrjeteve kriminale të trafiqeve të paligjshme, rezultatet e ndjeshme të operacioneve të përbashkëta policore dhe ekzekutimin e fletë-arresteve dhe fletë-vendimeve të gjykatave në të dyja vendet. Basha informoi në takim edhe për fazën e re të luftës kundër krimit të organizuar, miratimin e ligjit “Antimafia” të ligjit për konfiskimin e aseteve të krimit, qëllimi i të cilave është të vështirësojnë edhe më tej ambientin kriminal, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet më të sigurta në Ballkanin Perëndimor dhe duke siguruar një nga ambientet më armiqësore ndaj krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti.
Kriteret e plotësuara për liberalizimin e vizave
Gjatë takimit të zhvilluar ditën e djeshme, ministri Basha informoi homologun e tij italian mbi masat e marra për plotësimin e kritereve të përcaktuara për liberalizimin e vizave me BE. Basha u shpreh se tashmë ka përfunduar instalimi i sistemeve moderne për kontrollin e kufirit, instalimi i sistemit TIMS, komunikimi i këtyre sistemeve me qendrën operacionale në Tiranë, lidhja e këtyre sistemeve në kohë reale me Interpolin, shkëmbimi i të dhënave në kohë reale mes Policisë Kufitare me atë italiane dhe të vendeve të tjera të rajonit dhe ndërlidhja brenda një jave në të gjithë vendin me sistemin MEMEX.
Nishani takon Maronin: Bashkëpunim për çështjet e drejtësisë
Bashkëpunimi në çështjet e drejtësisë, si dhe liberalizimi i vizave kanë qenë temat e diskutuara në takimin midis ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani dhe atij italian, Roberto Maroni.
Gjatë takimit të zhvilluar ditën e djeshme, Nishani shprehu mirënjohjen për mbështetjen që qeveria italiane i ka dhënë Shqipërisë në pranimin e kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Ai gjithashtu informoi ministrin Maroni rreth hapave të ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë në hartimin dhe miratimin e një pakete ligjesh për funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, të cilat do të rrisin edhe më tej forcën e luftës kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Nishani foli edhe për ligjin “Antimafia”, me të cilin po punohet nga ministria.
“Ky ligj i godet asetet kriminale, duke bërë të pamundur që personat dhe anëtarë të grupeve kriminale që hetohen për veprat penale, nëpërmjet një procesi të veçantë të hetohen dhe t’u bllokohen asetet financiare të tyre. Kjo do të bëjë të pamundur përdorimin e këtyre assteve financiare për të ndikuar në procesin e gjykimit”, - u shpreh ministri. Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm italian tha se “marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë intensifikuar dhe forcuar. Ne kemi vlerësuar përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër trafiqeve dhe rezultatet janë shumë të dukshme”. Sipas ministrit italian, marrëveshjet e firmosura mes dy vendeve kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e sigurinë dhe drejtësisë dhe falë angazhimit maksimal të Shqipërisë qeveria italiane ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Hyrja e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian duhet të bëhet shpejt, sepse zgjerimi i Unionit rrit nivelet e sigurisë në Evropë”, - përfundoi ministri i Brendshëm italian.
Vizat, Berisha: Realizim të gjitha kushteve
Qeveria shqiptare do të realizojë të gjitha kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian për t’iu dhënë mundësi shqiptarëve që të lëvizin lirshëm. Deklarata është bërë nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë takimit me ministrin e Brendshëm italian, Roberto Maroni.
Duke e falënderuar për vizitën, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe solidaritetin e madh të qeverisë dhe popullit italian në të gjitha drejtimet. Më tej numri një i ekzekutivit shqiptar u shpreh se për qeverinë e tij, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me qeverinë italiane është i një rëndësie të jashtëzakonshme.
Kryeministri Berisha e njohu ministrin Maroni me masat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për të goditur krimin e organizuar, si dhe vuri në dukje suksesin e luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Duke folur për liberalizimin e vizave, Berisha u shpreh se ai dhe qeveria e tij e shohin integrimin dhe liberalizimin e vizave si një proces të bazuar në performancë dhe në të mirë të qytetarëve të vendit. Berisha u shpreh se Italia i njeh përpjekjet dhe arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe si e tillë mund të jetë avokati më i mirë i Shqipërisë në proceset integruese. Nga ana e tij, ministri i Brendshëm italian shprehu nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar midis dy vendeve. Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Maroni shprehu besimin se Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së do t’i hapë rrugë liberalizimit të vizave në mesin e vitit të ardhshëm. Ministri italian mbështeti qëndrimin e Kryeministrit Berisha në nevojën e rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit të policive dhe agjencive të vendeve tona në goditjen e krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe në veçanti koordinimit në masat shtrënguese kundër pasurisë të fituar në mënyrë kriminale.