E Diel, 1 Nëntor 2026

Cilën P... e doni? Pavarësinë, pushtetin apo...?

17 nëntori është caktuar si datë nga Ekipi i Unitetit, kur qytetarët e Kosovës do të duhej t’u drejtoheshin kutive të votimit për të zgjedhur një legjislativ të ri, përsëri të përkohshëm, të Kosovës. Vendimi i tillë është i drejtë për një shoqëri dhe vend që dëshiron apo pretendon të jetë demokratik dhe Kosova e qytetarët e saj këtë synojnë. Prandaj, edhe mbajtja e zgjedhjeve duhet shikuar si një proces normal dhe një mundësi e mirë për të bërë ndryshime ose për ta rikonfirmuar besimin ndaj atyre që janë në pozitat aktuale. Por, e pa drejtë është koha kur është menduar të zhvillohet ky proces.

Në raste të tilla, ka shumë rëndësi se si shikohet apo kuptohet procesi zgjedhor nga fillimi deri në përfundim të tij. Nëse zgjedhjet, si proces, kuptohen si veprim demokratik dhe i domosdoshëm, ndërsa dalja në zgjedhje si një obligim dhe akt patriotik qytetar dhe preferenca për të zgjedhur një parti apo kandidat për ta votuar, si interes personal i gjithsecilit nga ne, atëherë jemi në rrugën e duhur për të ndërtuar një shoqëri demokratike dhe kemi garanci se rruga ka filluar drejt. Megjithatë, a është shikuar dhe a po shikohet si i tillë ky proces në Kosovë? Është fakt, se ne nuk kemi shumë përvojë me këtë proces. Por a kemi mësuar sa duhet që të sillemi demokratikisht me këtë proces ose ndaj këtij procesi?

Ishin bashkë për ta akuzuar më vonë “vetveten”!

Mbështetur në atë që kemi dëgjuar dhe parë që nga momenti kur janë shpallë zgjedhjet e deri më sot, nuk na bën shumë optimist. Në ditët në vazhdim duhet shpresuar se do të ketë mundësi të përmirësohet diçka, por kthimi i kokës prapa në zgjedhjet e kaluara na frikëson se mund të ketë diçka më të mirë, aq më pak në një proces të komplikuar çfarë do të zhvillohet ketë herë. Frikës se mos do të na dështojë ky proces zgjedhor do t’i ndihmojë, jo pak edhe gjuha që do ta përdorin liderët politik gjatë fushatës. Sa më shumë që ofron data e votimit, liderët politikë e ashpërsojnë fjalorin e tyre politik, jo kundër dështimeve dhe të paarriturave, por kundër personalitetit të kundërshtarëve politikë. Çdo gjë fillon të personalizohet, çdo gjë fillon të rrënohet dhe të konsiderohet si e ndërtuar ose e arritur e keqe, nga logjika se e ka bërë ai dhe jo unë.

Kjo logjikë, që nuk është e re, na ka bërë edhe si komb, që të mos kemi mundësi të ecim përpara me hovin që kanë ecur shumë vende fqinje dhe gjithnjë na ka kthyer në rrënues të vetvetes, duke filluar të ndërtojmë çdo gjë nga e para kur kemi ardhur në pushtet. Që në debatet e para, edhe pse ishin së bashku të gjithë, pozitë e opozitë, kuvend e qeveri në projektet “madhore”, siç është statusi, brenda Ekipit të Unitetit apo grupeve tjera punuese, është filluar me akuza ndaj njëri-tjetri për dështimet, pikërisht për këtë çështje apo projekt, statusin. A thua, nuk ishin të gjithë këta liderë politikë së bashku aty për t’i parandaluar këto dështime? Apo qëllimisht kanë lejuar të ndodhin dështimet, që pastaj ato të përdoren gjatë fushatës, si argumente kundër kundërshtarit politik? Me një logjikë të tillë, se ai apo ata e kanë bërë keq, ndërsa ne do të mund ta bënim më mirë, rrezikojmë ta rrënojmë edhe atë pak të arritur. Edhe ashtu e keni vërejtur se asnjë nga liderët apo partitë politikë nuk kanë plan-program që do ta nxiste zgjedhësin për ta votuar, por përsëri e kanë çështjen e pavarësisë si temë për t’i fituar votat. A nuk ishte kjo temë e pranishme në të gjitha zgjedhjet dhe që nuk na solli asnjë përmirësim? Në zgjedhjet e kaluara u është “lejuar” fshehja pas perdes së statusit, por kësaj radhe nuk duhet lejuar të ndodhë kjo. Këtë herë duhet shikuar mirë se çfarë po ofrojnë këto subjekte politike si strategji të tyre për të ardhmen tonë ose daljen nga kjo statu-quo. Edhe ashtu, asnjëra nga subjektet politike nuk ka profil të qartë politiko-programor dhe prandaj ndodhin këto kombinime të çuditshme mes forcave politike. Por, nëse i kthehemi realitetit, nuk kemi pse të çuditemi nga këto kombinime, sepse të gjithë janë të majtë ose të djathtë dhe asnjëri nuk është as i majtë dhe as i djathtë.

I kujt është statusi?

Por, ta dërgojmë “gjuhën” aty ku po na dhemb “dhëmbi”, tek statusi i Kosovës. Faktikisht, çështja e statusit nuk i takon vetëm një partie politike, një individi, një institucioni apo një qytetari, në fund të fundit. Statusi i qartë i Kosovës është synim i të gjithëve, dhe, përderisa nuk shikohet si i tillë, sigurisht se do të dështojmë dhe ky dështim do të jetë i të gjithëve. Megjithatë, e vërteta qëndron në faktin se nuk është shikuar kështu nga anëtarët e Ekipit të Unitetit, kur kanë vendosur për zgjedhjet. Nëse do të ishte ndryshe, ata do ta kishin fokusuar gjithë energjinë, në këto momente të fundit, që po quhen, për ta përfunduar me sukses një proces apo projekt politik kombëtar të filluar para më shumë se 15 viteve. Anëtarët e Ekipit të Unitetit edhe një herë kanë treguar paaftësi dhe janë dorëzuar para finishit të maratonës. Të paktën nuk arritën që t’i japin lajmin e gëzueshëm komandantit (qytetarëve) se e fituan luftën dhe pastaj të (vdisnin) vendosin për datën e zgjedhjeve. Liderët politikë i ka lëshuar fuqia atëherë kur ishin afër fitores, atëherë kur ishin afër finishit të garës dhe kur u duhej më së shumti kjo energji. Kjo është e padrejtë dhe duhet analizuar rrethanat e marrjes së një vendimi të tillë, kush i ka nxitur dhe për çfarë arsyesh?

E përsërisim, se mund të dalë sikur jemi kundër zgjedhjeve. Nuk jemi kundër procesit zgjedhor, përkundrazi duhet të insistojmë gjithnjë që t’i përmbahemi afatit demokratik dhe ligjor, por edhe ta përdorim këtë proces në çdo kohë, edhe atëherë kur shohim se një legjislaturë po humb besimin. Por jemi kundër datës kur është caktuar të mbahet ky proces. Nuk ka mundur të shtyhet ky vendim edhe për tre muaj? Nëse jetuam në këto rrethana dhe i duruam këta politikanë për tre vjet, pse nuk do të mund t’i mbanim nervat nën kontroll edhe për tre muaj? Të shohim, së pari, cili do të jetë fundi i procesit të ri negociator prej 120 ditëve dhe pastaj të ndërmarrim hapa konkretë. Nëse është siç dëshirojmë, atëherë edhe procesi zgjedhor do të kishte më shumë kuptim. Por nëse është kundër vullnetit tonë, përsëri do të duhej ta mbledhim forcën, të bëhemi së bashku dhe të marrim një vendim në përputhje me interesat dhe pritjet e qytetarëve të Kosovës. Por, ja që nuk ka ndodhur kështu dhe realiteti është kundër kësaj “dëshire”!

Çka tani? I gjithë potenciali politik, vizioni dhe angazhimi i liderëve politikë të Kosovës, përjashto kryeministrin që nuk e ka pranuar këtë marifet, do të orientohet drejt zgjedhjeve. Të gjithë synojnë dhe angazhohen për të fituar, qoftë edhe nëse u duhet të paguajnë ndonjë çmim të lartë ose u duhet të shkelin mbi tjetrin, vetëm e vetëm që të jenë diku në pushtetin e ardhshëm, të përkohshëm, të Kosovës. Ata, në momentin kur kanë pranuar të jenë në ndonjërën nga listat zgjedhore, kanë hyrë në garë me synimin për të fituar. Nuk është me rëndësi për ta, se si do ta arrijnë fitoren, me rëndësi është të fitohet. Në këtë “luftë” për të fituar ne do të dëmtohemi shumë, si shoqëri dhe si Kosovë. Përveç që do të ketë shtyrje të statusit, do të ketë mundësi të ndodhë edhe ndonjë ekses që do të na vejë hije të zezë. Dhe, partitë politike ende pa i marrë formularët e certifikimit, diplomatët perëndimorë e kanë ndjerë veten të çliruar nga ankthi frikësues se mos do të ketë mundësi t’u shpërthejë situata gjatë këtyre 120 ditëve, duke menduar se kanë vepruar “drejt” që e kanë orientuar situatën e brendshme politike drejt zgjedhjeve. Nga ana e tyre kjo është duke u shikuar si shpëtim momental.

Përgjigjet e pyetjeve të pabëra

Krijimi i një gjendje të tillë na vë në situatën që t’i parashtrojmë vetes shumë pyetje. A thua, çka nëse do të ishte ashtu dhe jo kështu, apo kështu dhe jo ashtu? Kush garanton se nuk do të ketë mundësi të angazhohen struktura, qoftë edhe nga jashtë Kosovës, për të prodhuar rezultate të padëshiruara për ne? Nuk duhet hequr nga mendja këtë, sepse jemi në një fazë shumë të rëndësishme, ku secili do t’i shikojë rrugët dhe mënyrat më të mira për vete, që të ketë sukses misioni dhe projekti i tij. Dikush edhe mund ta shikojë këtë si momentin më të mirë dhe vendimtar, që nga fillimi i këtij procesi, për ta ndryshuar rezultatin në anën e kundërt! Jo rastësisht është thënë se fundi mund të jetë tragjik ose se kishte një përfundim tragjik.

Por, edhe nëse nuk ndodh asgjë e paparashikueshme gjatë këtyre zgjedhjeve dhe çdo gjë ecën për mrekulli, përsëri statusi do të pësojë. Kur themi statusi, duhet ta kemi në mendje se po bëhet fjalë për të ardhmen tonë. Tani kjo vetëm doli si çështje e një kombi, që është lënë në ankthin e pritjes së vazhdueshme për vite të tëra, pa ndonjë vizion të qartë se si duhet ecur tutje, sepse ata që do të duhej ta kishin këtë rol, janë orientuar drejt disa proceseve tjera. Po ashtu, çështja e statusit na del se nuk na qenka apo nuk mund të trajtohet edhe më tutje si “preukopim” i disa individëve dhe si e drejtë e tyre ekskluzive për të vendosur. Kthimi i gjendjes tek origjina, tek populli, do të thotë fillim i mbarë dhe refuzim i politikës së ndjekur deri më tani nga kjo klasë politike. Na del si pozitive për rrjedhën e procesit, por e paparashikueshme për përfundimin e tij. E paparashikueshme, sepse nuk mund ta dimë, në një situatë të tillë, se çfarë kurthesh na presin më tutje. Prandaj, a nuk paska qenë më mirë të “vazhdohet” ecja me këta liderë, sado të dobët dhe pa vizion e frikacakë që ishin, se sa të futemi në qorrsokakun e një procesi të paparashikueshëm?

Nisur nga “paparashikueshmëria” jonë dhe “paparashikueshmëria” e liderëve tanë politikë, duhet ta shtrojmë pyetjen, çfarë na pret pas 17 nëntorit, nëse nuk ndryshon diçka? E sigurt është se Kosova do të paralizohet në qeverisje, sepse nuk do të ketë mundësi të krijohet aq shpejt një qeveri. Për këtë kemi përvojë nga e kaluara. Bllokimi i krijimit të një qeverie të re me hapa të tigrit për ta zënë cakun, më së shumti do t’u kushtojë qytetarëve, të cilët janë thirrur për të dalë në këto zgjedhje; do t’i kushtojë edhe vetë të ardhmes së Kosovës. Shtyrja me bërryla për të qenë në qeveri me çdo kusht, do ta shtyjë edhe vendimin për statusin, që edhe ashtu vështirë se do të mund të merret këtë vit. Mbase do t’u parashtrojmë një pyetje; cilën P... e duan liderët politikë të Kosovës? Pavarësinë, pushtetin, paranë, propagandën, përsëritjen, apo...,etj?

Pyetje që kërkojnë përgjigje

Atëherë, pse u kërkua me kaq ngulm që t’i hyhet këtij procesi? Prejj nga erdhi gjithë ky angazhim për t’i rregulluar pozitat e brendshme, kur ende nuk e kemi të definuar pozitën e jashtme? Një nga të “vërtetat” mund të jetë se ky është një proces i nxitur nga disa faktorë të brendshëm për disa qëllime të brendshme dhe i mbështetur nga jashtë, për ta kanalizuar energjinë negative dhe për t’i shtendosur nervat e qytetarëve në këtë periudhë. Megjithatë, kjo llogari apo ky hap i ndërmarr në këtë periudhë dhe për qëllime të tilla më shumë ka gjasa të dalë i gabuar. Kjo për shkakun, se të zhvendoset vëmendja e qytetarit nga ajo që do të ngjajë gjatë këtyre ditëve në takimet mes shqiptarëve dhe serbëve, e që mund të jetë një befasi e pakëndshme për shumicën në Kosovë, në mënyrë që të rikthehet me vonë kjo vëmendje, i bie sikur të shpëtuan nga vetëvrasja, për të të vrarë dikush tjerët. Pra, nuk lejuan që me dorën tënde të vritesh, por duan që dora e huaj të të vrasë. Prandaj, do të ketë mundësi të dalë se ka qenë shtyrje e një rreziku, nëse deri më 25 dhjetor nuk merret një vendim për të ardhmen e Kosovës, e, që përsëri, pas disa muajve, do të përballemi me të njëjtin rrezik, ndoshta edhe më të furishëm. Atëherë, a duhet të përsëriten zgjedhjet që të tentohet të kanalizohet energjia negative edhe një herë, apo çka do të “shpiket” si më e rëndësishme? Nuk është zgjidhje ikja nga realiteti. Më vonë, këto ikje nga problemi do të ketë mundësi të prodhojnë kundërefekt shumë më të madh.

Megjithatë, ndoshta, nuk është krejt e zezë kjo situatë, për arsye se jemi në fillim të saj dhe mund të ekzistojnë zgjidhjet. Në këto rrethana, të cilat vetë i kemi komplikuar me vendime të pamenduara dhe lakmitare, zgjidhja që do mund të propozohej, është kjo: që anëtarët e Ekipit të Unitetit, pas heqjes dorë nga lakmia për pushtet, të ngrijnë procesin e zgjedhjeve për një periudhë kohore, dhe, si alternativë, të krijojnë një qeveri, ashtu si dikush (që sot ka hyrë në listat zgjedhore), e ka quajtur “Këshill Kombëtar”; do ta merrte përsipër udhëheqjen e procesit politik deri më 25 dhjetor, kur edhe duhet shpallur pavarësia nga Kuvendi i Kosovës. Kjo do të dëshmonte, se a ka Kosova lidership të vendosur, të guximshëm dhe në shërbim të qytetarëve, apo është e kundërta? Deri atëherë edhe aktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë do t’i sqaronin pozicionet e veta dhe do ta jepnin versionin e tyre. Hapi i tillë do t’ishte një çlirim nga ankthi 15-vjeçar që ka përfshirë Kosovën, kurse në janar të 2008-ës do të mund shkohej në zgjedhje të reja për institucione të përhershme. Ndryshe, duke u bazuar në dëshirat, por edhe në deklaratat e ndërkombëtarëve për krijimin e shpejt të një qeverie në Kosovë pas këtyre zgjedhjeve, jep gjasa të mëdha se këtu do të mund të krijohej një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, e cila do të duhej të përballej me proceset gjatë fazës së ardhshme, ndërkohë që pas definimit të statusit të shkohet në zgjedhje të parakohshme ose të reja në rrugën e krijimit të institucioneve të përhershme. Dhe nga ky kënd duhet shikuar nxitjen ndërkombëtare për t’u mbajtur zgjedhjet tani, me idenë që t’i kenë të gjithë në një “thes” për t’ua lidhur më vonë grykën më lehtë.

Shansi për t’u dhënë “leksionin”

Megjithatë, nëse zëri i qytetarit nuk dëgjohet dhe procedura për mbajtjen e zgjedhjeve vazhdon, atëherë ky do të jetë një proces, që, megjithatë, ndonjërit prej anëtarëve të Ekipit të Unitetit dhe dëgjuesve të tyre, do të mund t’u siguronte pozitë dhe privilegje të mira, por qytetarëve shtyrje, dëshpërim dhe Kosovës rrezikim të pozicionit që ka arritur në këtë proces. Faktikisht, bazuar në atë që shohim dhe dëgjojmë, kjo edhe do të ndodhë, sepse asnjëri prej tyre nuk po qan kokën për Kosovën dhe qytetarët e saj, madje as “patriotët dhe sharësit” më të mëdhenj të këtij procesi që ka filluar në vitin 2005. Të gjithë janë duke i shikuar interesat individuale dhe po vrapojnë për ta siguruar një vend në ndonjërën nga listat zgjedhore, madje edhe brenda atyre listave apo partive që deri dje i kishin etiketuar si “tradhtarë” dhe të korruptuar. Më shkurt, janë futur brenda atyre partive dhe listave që deri dje i quanin “kriminelë”, vetëm e vetëm që të jenë diku në pushtetin e ardhshëm, të përkohshëm, të Kosovës dhe ta shfrytëzojnë mosefektivitetin e zbatimit të ligjit për t’u pasuruar gjatë kësaj kohe. Atëherë, çfarë mund të pritet nga një elitë e tillë politike që sot po “sundon” Kosovën? Çfarë mund të na sjellë ky lidership, përveç dëshirës së tyre për të qenë në pushtet? Pavarësinë kjo klasë politike vështirë së mund të na e “sjellë”, të gjitha të tjerat munden! Megjithatë, ka edhe një dënim që mund t’i bëhet kësaj klase politike, për papërgjegjësinë e saj politike dhe kombëtare, siç është refuzimi i daljes në zgjedhje! Por kjo është një zgjidhje që i mbetet secilit individualisht për të vendosur. Një rregull në demokraci thotë se “nëse nuk del në zgjedhje, do të thotë se je i kënaqur me atë qeverisje, por nëse del, duhet të kesh kënd ta votosh”. Në Kosovë është vështirë edhe nëse del, por edhe nëse nuk del. Nëse del në zgjedhje, nuk ke për kënd të votosh, por nëse nuk del, përsëri rrezikojmë që kjo strukturë qeverisëse të mbetet në pozitat që ka dhe ne t’i vuajmë pasojat. Megjithatë, kjo u mbetet qytetarëve të Kosovës që të vendosin, se a dëshirojnë apo jo, që edhe më tutje të na udhëheqin liderë politikë, që në fjalorin e tyre nuk kanë asgjë më shumë se sa Kosovën e pavarur dhe sovrane, apo liderë politikë që e bëjnë Kosovën të tillë? Pra, duhet të vendosim, a duam të zgjedhim liderë që flasin për pavarësi apo liderë që e bëjnë pavarësinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›