E Diel, 1 Nëntor 2026

Rishfaqet Topi: Në shtator zhvillime intensive brenda partisë

FRDPartia Fryma e Re Demokratike zhvilloi dje mbledhjen e kryesisë qendrore si dhe kryetarët e FRD-së në rrethe. Në fjalën e tij, kreu i FRD-së, Bamir Topi falënderoi të gjithë strukturat e FRD-së, për punën e bërë gjatë fushatës elektorale.
Falenderimi
Ishte përkushtimi dhe karakteri pozitiv i gjithsecilit prej jush, që edhe pse nën presion të vazhdueshëm nga pushtetit e në disavantazh nga kodi elektoral, e bëri në një vit FRD-në konkurrente të denjë. E akoma më shumë, i siguron asaj vijimësinë e sigurt në skenën politike shqiptare, tha Topi. Duke u ndalur edhe një herë tek zgjedhjet e 23 qershorit, Bamir Topi tha se FRD do të zhvillojë një analizë të plotë në muajin shtator ku do të zhvillohet edhe mbledhja e Asamblesë Kombëtare të FRD-së. Sipas Bamir Topit, pjesë e strukturës së FRD-së do të jenë njerëz të zgjedhur dhe jo të emëruar. Të dhënat konkrete që do të marrim në shqyrtim do të na ndihmojnë që së bashku, ta konsolidojmë më tej FRD-në. Në çdo hallkë të strukturave të FRD-së, do të ketë njerëz të zgjedhur, e jo të emëruar, theksoi Bamir Topi. Në përfundim, kreu i FRD-së tha se muaji shtator do të jetë intensiv përsa i përket zhvillimeve brenda Frymës së Re Demokratike. Puna jonë është në vijim e sipër. Të gjithë do të bëhemi pjesë e analizës dhe vendimeve për të ardhmen, ndaj, të përgatitemi që në Shtator, të kemi një muaj intensiv zhvillimesh brenda partisë, përfundoi Bamir Topi. Kjo ishte mbledhja e strukturave të FRD-së parë që pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Në këto zgjedhje kjo parti nuk arriti të nxirrte asnjë mandat deputeti. Numrin më të madh të votave partia Fryma e Re Demokratike i mori në qarkun e Tiranës, ku kandidonte kryetari i FRD-së, Bamir Topi po pa arritur dot të kalojë pragun elektoral për të marrë mandatin e deputetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›