Cili është hapi i ardhshëm i Hillary Clintonit?

Me këtë hyrje nis shkrimin gazeta “International Herald Tribune”. Sipas saj, nëse Clinton do të garonte për presidente, ajo do të ishte kandidatja më e përgatitur në historinë e Amerikës: një grua që ka jetuar në Shtëpinë e Bardhë, ka shërbyer në Senatin e Shteteve të Bashkuara, një grua që di praktikisht kreun e secilit shtet në botë.
Joe Biden mund t’i afrohet, por ne nuk do të flasim për Bidenin, derisa të mos e zbulojmë se çfarë do të bëjë Hillary, shkruan gazeta.
Por, i gjithë ky bagazh a do të thotë se ajo do të ishte një presidente e mirë? Gazeta thotë se amerikanët gjithmonë bëjnë përpjekje të kuptojnë cilësitë e një kandidati. Republikanët kanë qenë të sigurt se është koha për një biznesmen të suksesshëm, por nuk ka dalë te jetë ashtu. George Bushi Plak ka qenë më i përgatitur se Barack Obama, por ne kemi rizgjedhur njeriun me rezyme më të shkurtër, shkruan gazeta International Herald Tribune.
E njëjta shtron pyetjen nëse populli do ta dojë Hillary Clintonin si presidente më 2016, aq sa ka dashur gruan që ka humbur nominimin.
Clinton njëherë ka thënë se ajo i zgjedh kartat e saj. “Unë i zgjedh ato. Unë luaj me to sipas aftësive të mia”, kujton gazeta fjalët e Clintonit.
Dhe, pyetja është se cilat karta do t’i zgjedhë tani?
Secili e di se koha e mbetur e Clintonit në zyrë është e kufizuar. Ka shumë gjëra për të cilat Clinton flet me pasion të madh, por, në këtë moment, janë shumë pak sosh për të cilat Clinton është e fortë sa dëshira e saj për të mos bërë asgjë.
“Unë vetëm dua të fle, të ushtroj dhe të udhëtoj për qejf. Kjo tingëllon aq e zakonshme, por unë nuk e kam bërë për 20 vjet”, citon gazeta Clintonin.
Tani, duket e arsyeshme të besojmë se mungesa e interesimit të Clintonit në garën presidenciale, është e vërtetë. Ajo është 65 vjeçe dhe vërtet e lodhur.