E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cili është i keq, borxhi apo ekonomia?

NEZIR HALDEDA

Eshtë e vazhdon të diskutohet shumë në çdo vend europian për borxhin publik, për masat shtrënguese buxhetore, shkurtimet drastike në sektorin publik, privatizimet etj., masa për tiu kundërpërgjigjur krizës, që në Europë është quajtur kriza e borxheve. Pa dashur të diskutojmë historikisht çështjen e krizës financiare e atë të borxheve në veçanti që prej fundit të vitit 2008 e në vazhdim, në kontinentin europian, në shumicën e rasteve, diskutimi fokusohet te pasoja pra te rritja e borxhit publik relativisht me produktin bruto kombëtar. Më pak vëmendje, ose pjesërisht, i kushtohet diskutimit të rritjes ekonomike e sidomos nëpërmjet reformimit të ekonomive të pothuajse të të gjitha vendeve në kontinent. Dhe nëse ka pasur një anë pozitive kjo krizë, është se ka nxjerrë në evidencë, në pah, të gjitha çështjet e problematikat strukturore të këtyre ekonomive dhe që herët a vonë do të adresohen, në një mënyrë apo tjetër. Kështu, çështja e borxhit publik duhet të shihet si pasojë, dhe jo si shkak, sepse borxhi ka ekzistuar e do të ekzistojë, por kur ekonomitë u ngadalësuan në mënyrë dhe masë të konsiderueshme, borxhi publik u shndërrua në problem. Borxhi nuk ka arsye për tu etiketuar i keq, por kur ekonomitë nuk mundën ta shërbejnë atëherë në vend që të etiketohej ekonomia e keqe. Borxhi do të ekzistojë për sa kohë do të ketë individë/institucione që do të zgjedhin të zhvendosin/shtyjnë në kohë konsumin apo investimin, dhe kjo është vetëm një nga arsyet midis të tjerash.
Në fakt, nga informacioni i bollshëm që ekziston sot me mënyrën se si vende të ndryshme i përgjigjen krizës, tregon se ato vende që janë përgjigjur me reforma strukturore të orientuara nga tregu kanë bërë më shumë progres në këtë drejtim duke mos u mjaftuar vetëm me shkurtime buxhetesh, shkurtime punonjësish, shkurtime ndihmash sociale etj.
Le të sjellim një shembull. Është i njohur debati i Irlandës me Komisionin Europian për çështjen e tatimit të korporatave kur bëhej presion për ta sjellë nivelin afër nivelit të shteteve të kontinentit, dhe Irlanda nuk pranoi ta rrisë. Kujtojmë që Irlanda në këtë dhjetëvjeçar kishte njohur një bum ekonomik në sajë të nivelit të ulët të tatimit mbi korporatat, një kuadri rregullator fleksibël të tregut të punës, të bërjes biznes etj. Kjo bëri që kompanitë e mëdha amerikane të vendoseshin në Irlandë më parë se kudo tjetër në Europë. Tani në situatën kur në Europë kriza financiare dhe e borxheve është kryefjala e çdo diskutimi në nivelet më të larta shtetërore e institucionale, shumë vende europiane po kthehen te Irlanda për të mësuar me mënyrën se si po e rimerr situatën nën kontroll dhe gradualisht është pothuajse jashtë rrezikut që janë disa nga vendet me të goditura të eurozonës.
Dhe për këtë, kreditet kryesore i atashohen nivelit të ulët të tatimeve dhe vazhdimësia në politikat e reformat strukturore. Pra, nuk rriten taksat si kundërpërgjigje ndaj krizës së borxheve, por reformuan sistemin bankar, që në fakt kishte pësuar një rritje shumë të ndjeshme në produktin e brendshëm bruto të vendit, dhe në vend që të bënin diskutime të tejzgjatura, kuptuan linjën e veprimit të tyre; veprim me shpejtësi, pa humbur kohë, duke shpëtuar sistemin bankar nga portofolat jo të  mirë të tyre etj. Kështu, shteti mori nën kontroll 5 nga 6 bankat kryesore, dhe në fakt në Irlandë bankat sollën situatën e krizës për shtetin, në Greqi ishte e kundërta, shteti vuri në situatë të vështirë bankat. Pra, një konkluzion këtu është se tatimet e ulëta dhe qasja korrekte për problemin dhanë rezultatin e pritshëm. Ndërsa në vende të tjera të kontinentit kemi vonesë në kohë për kundërpërgjigje, takime e mbledhje të njëpasnjëshme te të cilat tregu/investitorët kapitalizojnë negativisht dhe një sërë barrierash strukturore që pengojnë rritjen e fleksibilitetin në ekonomi.
E thënë më qartë, duhet më tepër stimulimi i sipërmarrjes, i ndërmarrjes së riskut, lehtësimi i bërjes biznes, i tregtisë së lirë etj. Nëse si kundërpërgjigje janë rritja e taksave, vështirësimi i procedurave të regjistrimit/operimit të biznesit etj., këto nuk e ndihmojnë cilindo vend të dalë nga kriza, përkundrazi, e vonojnë atë dhe pengon rritjen ekonomike e në analizë të fundit, e bën borxhin më të keq, duke i shtuar vështirësi shërbimit të tij. Çdo masë që merret duhet të marrë certifikatën/filtrin e rritjes ekonomike, nëse ndodh kjo, atëherë borxhi publik shërbehet, punësimi shtohet, kurba e obligacioneve bie etj. Nëse masat shtrënguese janë drastike në buxhetet e qeverive, të korporatave, të individëve (qoftë nëpërmjet punësimit, kreditimit etj.), atëherë nga do të vijë rritja ekonomike?
Në fakt, kriza e viteve të fundit evidentoi problemet strukturore të ekonomive të vendeve më të goditura, sidomos ato periferike të Europës, ndaj fokusi i qeverive tashmë është drejtuar në një masë të madhe te këto reforma që çlirojnë energjitë sipërmarrëse dhe inovative për të prodhuar e zgjeruar aktivitet ekonomik. Ka vlerë ilustruese, mendoj, me një shembull shumë të vogël, por interesant, siç është ai i një sërë aktesh ligjore të ndërmarrë nga qeveria teknike italiane, kur që prej 1 janarit qendrat tregtare, lokalet, baret etj. do të lejohen të punojnë 24 orë në 7 ditët e javës. Fakt ky që as mund të imagjinohej vetëm muaj më parë dhe kur është jo vetëm kundër praktikave tipike europiane në shërbimet, por edhe kundër gjithë rezistencës dhe forcës lobuese të këtyre industrive pothuajse në tërë kontinentin. Kjo po vijon me liberalizimin e shërbimeve dhe në vende të tjera dhe që do të fillojë të japë frytet e para, duke i hapur rrugë konkurrencës, konkurrenca do të sjellë më shumë eficiencë, më shumë punësim, më shumë rritje ekonomike dhe domosdoshmërisht do të adresojë një sërë çështjesh të tjera, që ekonomitë e këtyre vendeve i kanë ndjerë prej shumë vitesh. Nëse vihen në rrugën e zgjidhjes këto, çështja e borxheve do të jetë funksion i tyre dhe automatikisht e zgjidhur, të paktën e përmirësuar.
*Zv.ministër i Financave

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›