Pushimet politike të opozitës
Partia Socialiste është zyrtarisht me pushime, të stërzgjatura. Pothuajse të gjithë qytetarët i janë kthyer punës, po kështu ministritë dhe ministrat e qeverisë kanë ndezur motorët për 2012. Kryeministri Berisha ishte në Francë, më dinamik se kurrë, ku shpalosi vizionin e tij, për ekonominë dhe lirinë në një forum ekonomik të rëndësishëm. Me një përulësi optimiste dhe arsyetim të kodifikuar në lirinë ekonomike, shefi i ekzekutivit parashtroi potencialet e vendit në sytë e investitorëve dhe analistëve europianë.
Ndërsa po mbyllet java e parë e këtij viti të ri, rivali i maxhorancë Edi Rama ndodhet prej ditësh në Nju Jork, dhe është bërë i gjallë duke cicëruar, me telefonin e tij 600 dollarësh, vetëm 106 shkronja në rrjetin social twitter: “Ne propozojme nje rilindje shqiptare për te lene pas avazin e vjeter te genjeshtrave e rimekembur sebashku ekonomine, shoqerine, shtetin”. Shumë pak për një ent politik të përmasave të PS, me mbi 60 deputetë në Parlament dhe struktura të bollshme për të përfaqësuar politikisht një fetë të shoqërisë.
Mirëpo, si duket, Edi Rama ka zgjedhur të heshtë në mënyrë të zhurmshme. Afërmendsh, zhurmimin e bëjnë bateria mediatike që sheshin pesimizëm me çmim të lirë. Synimi i tyre është të fitojmë sa më shumë pikë tek pakënaqësia e natyrshme njerëzore. Çdo veprim i Ministrisë së Financave shikohet me lupë për të gjetur diçka që nuk shkon dhe komentohet sipas parashikimeve më të këqija. Edicionet e lajmeve të majta trafikojnë panik me tituj kronikash: “borxhe për të paguar pagat”, “borxhi i jashtëm nivele rekord”, “mungon energjia”, etj. Ngjyrimi i lajmit kap kufijtë e propagandës apatride.
Sigurisht, manovrat fiskale për 2012 do të jenë të kufizuara në disa alternativa. Shkurtime të buxheteve, investime të përqendruara në infrastrukturë dhe rritja e të ardhurave është çelësi i mbrojtjes efikase kundër krizës. Mbrojtja më e mirë është sulmi, prandaj është e dukshme zgjedhja e qeverisë Berisha për të pasur një optimizëm mbi mundësitë e ekonomisë shqiptare. Kurse opozita socialiste ka zgjedhur rrugën e vetme që njeh, demonizimin e Saliut dhe ndjelljen e fatkeqësive me injektimin e përditshëm të virusit të pasigurisë, që nuk bën gjë tjetër veçse ul konsumin e për rrjedhojë logjike frenon rritjen ekonomike, pra shton papunësinë.
Sidoqoftë, sa e përgjegjshme do të jetë Partia Socialiste dhe opozita në këtë 2012 është e vështirë të parashikohet me saktësi. Por natyra e saj të çon të mendosh për një rikthim të tensionit politik në mesiti, aty ku do të zgjidhjet Presidenti i Republikës, që duhet të jetë një politikan i aftë dhe i vlefshëm për Republikën dhe jo për interesa të ngushta karriere. Bamir Topi nuk mund të hiqte shijen e hidhur që la pas 21 janarit, kur nuk u distancua nga dhuna barbare e organizuar nga “grupi me agjendë tjetër”, sipas një përkufizimi të një ambasadori të rëndësishëm dhe mik i shqiptarëve. Edi Rama e ka filluar vitin duke i bërë opozitë optimizmit me shpresën se “keqja” do mund të fitojë një ditë mbi të “mirën”. Probabiliteti është arma më optimiste që ka PS-ja.