E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej telave me gjemba

07-01-2012 / Nga Gani Mehmetaj

Lulia nuk mund të jetë e qetë, kur bashkëkombësit e saj janë të shqetësuar. Asaj i duhej t’i lë për një kohë romanët e dashurisë dhe t’i përkushtohet pelegrinazhit- shëtitjes nëpër territoret etnike, atje ku bashkëkombësit e saj janë në hall. Koha është e turbullt, njerëzit e acaruar, ndonjëherë kanë më shumë nervoz e egoizëm se më parë. Të tjerët nuk ua kuptojnë hallet.
Ajo e di se me një vrap pele nuk mund t’i shoh të gjitha territoret etnike. - Shumë lamë jashtë torishtës dhe pak futën brenda kufijve, - me thotë më pikëllim. -Nuk na buzëqeshi fati, s’patëm as miq,  - ndërsa lëshon një ofshamë të ngadaltë dhe domethënëse. 
Mori rolin e kronistes për të fotografuar vetëtimthi gjendjen e bashkëkombësve në disa nga gjashtë shtetet ballkanike, sepse liderët tonë, flet me mllef patriotik, janë të zënë me fushata zgjedhore, poste e para. - U shkëlqejnë sytë nga lumturia dhe ndjenja e ngadhënjimit, sikur ta kishin gjithë gadishullin nën zotërim e jo copëra të territoreve të varfra me njerëz të stresuar. U mjafton që janë të parët në katund, - me drejtohet me paralajmërim domethënës. - Votat e bashkëkombësve përtej kufijve s’u duhen. Pse të lodhen kot e të mërzitën gjithandej për ta.
Nuk e kupton si mund të ndiqet interesi personal para atij kombëtar. Këto formula i ka të qarta si llogaritma aritmetikore, ku ende është e fortë, ashtu si në ekonomi e tregti. 
Megjithatë zemra i qanë: i mbetën jashtë vrojtimit Presheva, Medvegja e Bujanoci, apo Kosova lindore, sikurse i thonë të gjithë nga Llapi në Dukagjin. 
Një ftesë për të vizituar Kosovën lindore ia bëri emnakja e saj, Lulja nga Presheva. Me të marr vesh nga komunikimi në facebook për Lulinë që ishte deri në Sarandë nëpër ato dhiare të Llogorasë, Lulja i shkroi: “vërtet ne nuk kemi det, madje nuk kemi lum për të qenë, por nuk do të pendohesh po na vizitove”. Lulia nuk i harron mikeshat. Hall pati si t’ia plotësonte dëshirën, mikës dhe ta shuante kureshtjen. Ma pranoi e turpëruar: kurrë nuk kishte qenë në Preshevë, Bujanoc e Medvegje, sikurse shumica e politikanëve tanë. Kurrë nuk kishte menduar më gjatë për fatkeqësinë e këtyre bashkëkombësve që mbetën nën okupim. Por ajo për dallim nga zyrtarët e shtetit të saj të pavarur e demokratik, e dinte ku gjenden këto territore etnike. Donte të veçohej nga të tjerët, sepse sipas zyrtarët tonë pushtetarë e opozitarë flinin gjumë.   
Miken nuk duhej ta zhgënjente: të kalonte kufirin nëpër dhiare s’ia mbante, gëlonin xhandarët serb përgjatë gjithë kufirit nëpër male e lugina. Të kalonte mes përmes traut kufitar ishte histori e ngatërruar.   
Sikur ta pyesnin do ta fillonte pelegrinazhin me Preshevën që në shumëçka i ngjante Gjilanit, me të folur, zakone e traditë. Të bënte pelegrinazh në Preshevë, a Bujanovc jo që nuk ia mbante, sepse guximi asnjëherë nuk i mungoi, pengesë pati pasaportën e shtetit të saj. Nuk ia pranonin policët e Serbisë që rrinë në kufi si Cerberi të dera e Purgatorit. Rrezik t’ia grisnin pasaportën dhe  të shpërthente skandal ndërkombëtar! Me dëshirë nuk do t’ua shihte surratin policëve përtej kufirit edhe sikur t’ia pranonin pasaportën. Nuk i hiqen makthet e fëmijërisë, i shihte ëndërr si hynin si bisha në lagjen e saj. S’ka kush ia heq këtë pamje të fëmijërisë nga mendja deri sa t’i bie dielli tokës, ma përmend ajo shpesh.  Kujtesën nuk ia shlyejnë dot ndërkombëtaret a qeveritarët e saj, të cilët kërkojnë ta harrojmë të kaluarën si të mos kishte ndodhur asgjë. Konflikt i thonë një  lufte të përgjakshme, ku shqiptarët gati u shuan nga faqja e dheut, po mos qëlluan perëndimorët t’i shpëtonin nga patkoi i Serbisë. Dhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë, u thonë politikanëve tonë jo shumë të dinjitetshëm, shtrëngoni duart më zyrtarë serb, pini kafe me ta, dilni sa më shpesh para kamerave sikurse të ishit miq. E di Lulia, i arsyeton ndonjëherë politikanët tonë, do gjëra i bëjnë nga zori, por për ca gjëra të tjera nuk është e sigurt se do të duhej të zhvilloheshin në këtë mënyrë. Kush i detyron ministrat a ish ministrat të shkojnë fshehurazi në Beograd? Pse shkojnë pos të bëjnë ndonjë tregti a tradhti, është e sigurt Lulia në cilësimet e skajshme që ua bënë.     
 Po ta pyesnin Lulinë, sepse ajo sikurse të gjithë bashkëkombësit mesdhetar e kontinental, merr vesh nga politika e diplomacia më mirë se sa ministrat, më kohë do t’u thoshte liderëve  të Prishtinës, hiquni tyre, s’keni gjë në vi, asnjë sukses s’do ta keni. Me serb është e pamundur të merreni vesh. - Vërtetë ashtu është, - më kthehet duke dyshuar mos e konsideroj tepër të ngjyrosur kuq e zi, prandaj nxiton të arsyetohet si të gjithë politikanët tonë kur nxitojnë të arsyetohen, mos i akuzon kush për nacionalizëm sa herë e nëpërdhëmbin ndonjë fjalë dashamirëse për kombin e tyre.
- Askush nuk u mor vesh me serbët në tavolina bisedimesh. Nuk patën sukses as ballkanasit dhe as euro-amerikanët, - me ligjëron raportet rajonale goca sypatrembur.
 - Vetëm kur ua treguan kopaçen, atëherë kuptuan dhe ulën bishtin ndër shalë. 
 Ajo ma hap zemrën. Një ditë do të dal para Kuvendit të Kosovës pa asnjë pankartë ndër duar. Do  t’ua thotë troç qeveritarëve: “Pse lodheni e shpenzoni fjalë e paratë e shtetit të varfër të Kosovës, duke u takuar me serbë. Rrini në shtëpi e bëjeni ndonjë punë të mençme”.
Frikësohet mos qeveritarët tonë, ashtu si euro perëndimorët  i rren mendja se janë bërë serbët më të mirë.
- Janë të papërvojë e naiv këta zyrtarë, - qeshet e frikësohet vajza e Kodrës së Trimave, duke i portretizuar. Druan mos i mashtrojnë serbët.   
 Por kujt t’i thotë se?
Lulia është në ethe për fatin e Shqipërisë se Epërme, sikurse e ka gjetur kohëve të fundit emërtimin për Kosovën. Vajton sidomos fatin e shqiptarëve të cilët mbetën jashtë kufirit. Ka  frikë për ta. - Gjysma e preshevarëve tashmë e braktisën qytetin, shitën tokë e shtëpi dhe erdhën në Prishtinë, Gjilan e Fushë-Kosovë. Gjysma e mbetur rrinë me veshët e ngritur nga frika mos po u hynë policët serb nëpër shtëpi, - i kishte shkruar mikja e saj Lulja në një mesazh në Facebook. Letrat e dërguara me postë nga Lulja nuk i erdhën kurrë, por facebookun nuk e pengojnë dot serbët. 
 Pastaj zë e përshkruan gjendjen në territoret etnike nën Serbinë.
Medvegja, me aq sa ka dëgjuar Lulia është zbrazur në pjesë jo të vogël. Janë shkretuar fshatrat e malësisë së varfër e të pazhvilluar. Kjo pjesë e Kosovës lindore, prapa telave me gjemba, është territori më i pazhvilluar në Gadishull. Ndërkaq, ka vërejtje ndaj politikanëve tanë, të cilëve asnjëherë nuk u kujtohet obligimi i tyre kombëtar, duke harruar se ekziston fare Kosova lindore. - Si nuk e përmenden në asnjë takim ndërkombëtar? Habitet ajo.
Këto breshëri vrojtimesh politike, e pranoi se mi tha nga informatat që mori prej njerëzve  të cilët i dinin gjërat më në detaje se tri shërbimet informative të partive politike të Kosovës, të cilat mbeten duke e ndjekur njëri-tjetrin në vend se të përcjellin gjendjen në rajon. Sipas këtyre njerëzve që nuk e lenin pa kumte “Top sekret”  tashmë edhe shoferët dhe truprojat e zyrtarëve dolën në pazar të blinin kostume të reja për vazhdimin e bisedimeve me serbet. Kosovën lindore s’e përmendnin në asnjë dokument.
 - Nuk dilet i paarmatosur para armikut. Me kostumet e firmave Gucci, Armani e Boss do t’ua lëbyrin sytë serbëve, do t’ua heqin përshtypjen e gabuar armiqve të përbetuar, kinse ministrat i kemi katundarë. - Lulisë i vinte plasja për këtë fyerje. 
 Në mirëbesim ma pranoi: vërejtjen për kinse katundarinë e pozitës e të opozitës e dëgjoi për herë të parë nga një mikesh pejane. Gjakovarja me te, qeshi më nënkuptim, duke mos u prononcuar as për as kundër. - Është e mençur gjakovarja, - ma ktheu më buzëqeshje dhe të shkelur syri Lulia, - nuk e hap gojën mbarë e mbrapshtë si pejania. Flet vetëm atëherë kur duhet. Pesëdhjetë vjet e qeverisen Kosovën gjakovarët e nga pak edhe pejanët. Nuk janë si llapjanët e mi që sa e shijuan pushtetin ua morën, i rrëzuan në kokërr të shpinës dhe i nxorën në opozitë. Por me para nuk u ndanë keq, - ma thotë duke ma shkelur prapë syrin.
  Pas  bredhjes së shkurtër nëpër zorrët  e qeverisë, me tregoi që i erdhën lajmet për llojin e parfumit që do ta përdorte filan ministri, sa kushtonte dhe kujt i dërgoi  peshqesh me një tufë lulesh së bashku.
Ministrat tonë, i kishte thënë informatori i fshehtë, duke rrëmuar në sirtarët “Top sekret”  kurrë nuk blinin parfume, pasta dhëmbësh, freskues të gojës e çorape me parat e buxhetit të shtetit. Kishin mësuar nga pësimet.
- Ku i merrnin paratë?, nuk ia tha informatori. Mbase informatori i saj nuk arriti ta merrte vesh këtë gjë, apo nuk pati qasje në burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të zyrtarëve- tenderëve e ryshfeteve, ma tha ajo si të bënim ne të dy përbetim.    
- Qyqja mbeta kuluareve të Parlamentit e të Qeverisë, në vend të të tregoj si është puna e bashkëkombësve tanë që vuajnë nën thundrën e okupatorit. I nxora nga mendja si të isha deputete në Parlament, - me thotë e tronditur nga përhumbja.
  Mori frymë thellë, u ulë në karrigen e dyqanit, të cilën rrallë e shfrytëzonte. Fytyra i rrezatonte seriozitet të tillë që mund t’ia kishin lakmi zyrtarët, të cilët qeshnin vend e pa vend për të treguar që nuk brengoseshin për asgjë. Gjërat u shkonin për vi, donin t’ua mbushin mendjen votuesve të tashëm e të ardhshëm. 
Në pamundësi të shëtiste rrugëve të qytetit dhe të kalonte net me mikën e saj Lulen e Preshevës, ajo më tregoi se si u ndal të Dheu i Bardhë, kufirin në mes të Komunës së Dardanës dhe asaj të Preshevës. Gati sa s’qau, kur iu afrua polici i Kosovë dhe i tha se nuk është mirë të rrinte këtu, sidomos mos të bënte përpjekje të dilte përtej, sepse mund t’i dilnin probleme. Ishte i prerë bashkëkombësi me uniformë. Nuk donte incidente ndërkufitare e ndërmjetësime të KFOR-it e të EULEKS-it po u zhvillua ndonjë konflikt  me përmasa ndërkombëtare. Polici ia bëri me dije se as Njësitë Speciale nuk mund të ndërhynin në atë territor.
U kthye Lulia e pikëlluar pa u ndalur kund deri në lagjen e vet. 
 E zemëruar me pafuqinë e shtetit, në kundërshtim me politikanët bashkëkombës mesdhetar e  kontinental, ajo mendonte që shqiptarët e Kosovës lindore nuk janë rast i pashpresë, ashtu sikurse u kanë vënë kryq emrave të tyre Prishtina dhe Tirana, duke i hequr nga mendja dhe nga agjenda e përparësive. - E  kanë gabim, sot e gjithë ditën, - zbrazët ajo në frymën e patriotizmit kuq e zi. 
Për herë të fundit ktheu kokën nga telat me gjemba. Diku prapa asaj kodrës duhej të ishte  qyteti dhe fshatrat puro shqiptare të Kosovës lindore, ndërsa në mes të këtyre fshatrave ushtria e Serbisë ka ngritur njërën ndër kazermën më të madhe në rajon.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›