Mirë se vjen viti jubilar 2012!
Për të gjithë vëllaznit dhe motrat që ndihen krenarë për emnin shqiptar dhe shqiptare, urimet e mia ma të mira për vitin jubilar 2012. Gjithashtu, mirë se vjen shekulli i dytë i Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, shekulli i shpresës së madhe, akoma të papërmbushun, shekulli i andrruem që nga vitet e largëta të Rilindjes shqiptare, që nga bankat e shkollës fillore ku muarrëm mësimin e parë mbi Shqipërinë, tokën e saj, popullin e saj, e historinë e saj të dhimbshme. Sot mendojmë se kjo trashëgimi që sjell lot në sy, nuk duhet të jetë fati i pandryshueshëm i Shqipërisë sonë, i Shqipërisë së të gjithë shqiptarëve. Sot kemi çdo të drejtë të mendojmë dhe të punojmë për nji Shqipëri që bën histori, rrugëtim drejt lirisë së plotë dhe të ndërtueme me duert tona, e jo nji Shqipëri që bën politikë me përmasa të padëshirueshme dhe të kontrollueme nga forca të brendshme reaksionare, ose të jashtme anmiqsore.
Duam nji Shqipëri të lirë, të pavarun, demokratike, të bashkueme dhe europiane, dhe duam ta ndërtojmë me duert tona!
* * *
Në atmosferën e diskutimeve të hapuna nuk ka tabu. Të metat që shohim nuk duhen fshehë, ashtu si plagët që marrim nuk duhen mbulue. Mendjet e ndrituna të shoqënisë shqiptare duhet të trajtojnë problemet tona me kujdes dhe profesionalizëm, sidomos kur nji kontingjent i tyne mban në duert e veta pushtetin politik dhe ekonomik. Qëllimi i të gjithëve asht i qartë: përmirësimi çdo ditë i gjendjes ekzistuese për shqiptarët në vend dhe sigurimi i nji vendi dinjitoz për Shqipërinë tonë në familjen e kombeve të lira e të qytetnueme. Ne duam hymjen në Europë jo si lypsarë, por si nji komb që e meriton!
Fatkeqësisht, nji zhvillim i këtillë nuk paraqitet i mundshëm në Shqipëri sot. Etja e pafund për pushtet -dhe pushtet absolut – vrapimi mbas pasunimit të shpejtë e në shumicën e rasteve me mjete te paligjshme, korrupsioni qeveritar dhe qytetar që grijnë administratën e vendit dhe vetë shoqëninë shqiptare, shkelja e paturpshme e ligjit e mosdënimi i krimit, nuk premtojnë nji të ardhme të mirë. Kjo situatë ka krijue nji imazh shumë negativ për Shqipërinë në botën e jashtme.
Nji ish-kryeministër i akzuem për abuzime zyrtare kërkon të zgjidhet President i Republikës në qershorin që vjen. Nji ish-president kërkon të mbetet kryeministër për tridhjetë vjet, sikur Shqipëria të ishte çifligu i babajt. Parlamenti shëmbëllen ma shumë me nji pazar oriental me kakofoninë e tij. Deputetët janë të caktuem nga Partitë, nuk janë kandidatë të zgjedhun lirisht nga populli. Pjesëmarrja e tyne në Kuvend asht fakultative e varet nga çapkënllëku i maestros që drejton orkestrën. Institucioni i Presidencës, simboli i sovranitetit dhe dinjitetit të kombit tonë, merret nëpër kambë me papërgjegjsinë ma të madhe. Drejtësia, pushteti i tretë, ashtë politizue aq shumë, sa ka humbë asnjanësinë. Humbja e respektit për autoritetin qeveritar asht me të vërtetë shqetësuese.
Ky fenomen politik negativ u mundësue nga mungesa e nji shoqënie civile shqiptare, të ndërgjegjshme për detyrat e saj qytetare. Të lodhun nga nji shtypje gjysmëshekullore nën tiraninë komuniste dhe nga vorfënia e madhe që mundoi nji popull të tanë, të lirë, por jo të çliruem nga mentaliteti i sistemit komunist, populli shqiptar, i cili u gjet para alternativave të paprituna i pa përgatitun dhe në nji ambient pa rregulla dhe rregullore, u vërsul në fushën e spekulimit, vjedhjes, korrupsionit e krimit me dëshirën e pandalshme për pasunim të menjihershëm. Padrejtësia dominoi me aktin barbar të shfrytëzimit të pakufi e pa ndërgjegje. Ish-anëtarët e nomenklaturës së kuqe dhe fëmijt e tyne zhveshën shtetin e ndërtuem me djersë – e me gjak të pafajshëm – dhe krijuen pasuri të shpejta e marramendëse. Të tjerë ndoqën shembullin e tyne të mbrapshtë. Shqipëria hyri në rrugën e plutokracisë që rritet çdo ditë!
Si rrjedhim, u monopolizue sektori ekonomik i vendit. Shteti u transformue, në logjikën e tyne të smurë, në nji lopë qumshti, ku ata që duhet të shërbejnë ose ti qëndrojnë pranë, janë mjelsit ma të mirë. Katastrofa ekonomike ishte e paevitueshme me të gjitha efektet e saja, sidomos në formimin e karaktereve të reja pa vlera morale. Konsumerizmi i shfrenuem i nji kapitalizmi të egër e të pashpirt u ngrit në piedestalin e vlerës kryesore. Çdo gja tjetër u nënshtrue para nji sulmi të këtillë.
Liria e fitueme përfundoi në nji gjendje fiktive dhe perceptimi zëvendsoi realitetin e përditshëm. Çdo njeri thërriste liri! dhe asnjeri nuk mendonte për përgjegjsi. Në Shqipëri nuk u kuptue se liria e përgjegjsia janë dy anët e të njajtës monedhë. Liria pa përgjegjsi asht anarki, dhe përgjegjsia pa liri asht tirani. Shqiptarët nuk kanë nevojë as për të parën, as për të dytën. Si rrjedhim, kemi sot nji boshllëk të madh shpirtënor e moral që duhet mbushë dhe sa ma shpejt me vlera morale të trashëgueme si nderi, besa, burrënia, mikpritja, solidariteti kolektiv i fshatit dhe qytetit, e natyrisht dashunia për nji liri të vërtetë, jo të egër e primitive, por frymëdhanëse. Gjatë shekujve, Shqipëria ka dhanë shembuj të naltë vlerash morale, të cilat janë të mundshme vetëm tek nji popull që i kultivon këto vlera.
Përcaktimi i arsyeve që sollën konfuzionin moral e politik të vendit tonë janë të shumta dhe subjekti i studimeve antropologjike dhe sociologjike: njeriu shqiptar dhe shoqënia që ai krijon. Hapi i parë asht ndërgjegjsimi i pranisë së fenomeneve negative, sado i dhimbshëm që mund të jetë nji proces i këtillë. Asht i domosdoshëm! Mbas ndërgjegjsimit vjen analizimi i origjinës dhe i zhvillimit të këtyne fenomeneve, dhe ma në fund, nevoja për rindërtimin moral të qytetarisë së gënjyeme. Propaganda pa substancë dhe aksionet spontane të lidershipit nuk kanë vlerë.
Nganjiherë ngjet që para rrezikut të përbashkët ngjallet nji guxim i përbashkët për nji aksion të përbashkët që ofron nji energji të ekzaltueme. Atëherë, zakonisht, lind shpresa për nji jetë që nuk njeh skllavëri. Së bashku, të gjithë ngrihen nalt, fitojnë moralisht dhe guximi i përbashkët kthehet në nji mit modern: shpresë për nji jetë të lirë e me dinjitet. Pikëpamje të këtilla shëmbëllejnë konturet e nji revolucioni paqësor që nuk ashtë terminologji ofenduese; në të kundërtën, ai asht çlirim pa tragjedi personale e kolektive.
* * *
Të larguem nga Shqipëria për vite të gjata, emigracioni shqiptar ose diaspora – e ndien shumë mungesën e atdheut të lindjes. Çfaqjet e vazhdueshme të atdhedashunisë janë dëshmia ma e plotë: ruejtja e gjuhës amtare, shkollimi shqip i fëmijve, çfaqjet kulturore e artistike me frymë shqiptare, shtypi shqip, lobimi për Shqipërinë e Kosovën në atdheun e adoptuem e tjera. Ky asht sentimentalizmi i tyne ndaj çështjes shqiptare. Në mbrendinë e botës së tyne sentimentale dhe të kufizueme, Shqipëria dhe shqiptarët akoma idealizohen, nji gjendje shpirtënore që nuk pranon realitetin e padëshirueshëm dhe që sjell si rrjedhim zhgënjimin e thellë sa herë që mërgimtarët e përballojnë atë. Nga këto premisa, nënvizoj tre aspekte të mendimit politik të diasporës për çështjet shqiptare: E para, urrejtja dhe hakmarrja janë nji kancer që shkatërron tek ata që e ushqejnë.
Urrejtja dhe hakmarrja duhen zëvendsue me parimin e faljes së fajit dhe idealin e pajtimit të përgjithshëm. Ky qëndrim asht shumë i vështirë – unë jam dëshmitar! – por asht shumë fisnik, dhe siguron nji kapital moral të pallogaritshëm, bazë e fortë në ndërtimin e nji shoqënie civile solidare. E dyta, në Shqipëri dhe në hapësinat e banueme nga shqiptarët nuk ka anmiq. Anmiqët janë përjashta kësaj zone. Në Shqipëri ka kundërshtarë, dhe kundërshtari nuk asht anmik. Parimisht, kundërshtari asht nji element pozitiv i historisë, sepse nuk pranon uniformitetin që na shqi
