E Diel, 1 Nëntor 2026

Cili nga këta të dy ambasadorë amerikanë ka të drejtë për Fahri Balliun?

Share

Fahri Balliu duke ngrene pace e pilaf

Në një ceremoni të organizuar për promovimin e një libri të publikuar nga shtëpia botuese 55, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu ka vlerësuar Fahri Balliun. Në Tiranë është promovuar libri Zemra e patriotit, kushtuar ish- senatorit Max Cleland, me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA. Në ceremoni ishte kryeministri Sali Berisha, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe kryebashkiaku Lulzim Basha.

Kryeministri Sali Berisha e falënderoi Balliun për këtë libër, por ajo që ra në sy ishin deklaratat e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, që “falenderoj Fahri Balliun, këtë botues dhe shkrimtar të madh për SHBA-në”.
Ndërkohë duket se në mënyrë të kundërt nga Arvizu mendonte ish- ambasadori Xhon Uidhers, që ka përgatitur dy kabllogramë shumë të fortë kundër Balliut, njërin për përfshirjen e tij në skandalin vdekjeprurës të Gërdecit dhe tjetrin për përpjekjet e bëra nga Balliu si sekser i Berishës në mbylljen e çështjes së Lulzim Bashës për vjedhjet në rrugën Rrëshen- Kalimash.

Më poshtë janë pjesë nga dy kabllogramet.

Kabllogram i datës 17 prill 2009

Mediat gjithashtu kanë raportuar disa zbulime këtë javë se një kompani në pronësi të Mihal Delijorgjit (i akuzuar për skandalin e Gërdecit), dhe Henris Balliut (vajza e Fahri Balliut, anëtar i trupës drejtuese të Partisë Demokratike dhe këshilltar i afërt i kryeministrit Berisha) ka nisur në mënyrë ilegale ndërtimin e fabrikës së demontimit në Gërdec në prill të vitit 2007, muaj përpara se Këshilli i Ministrave të jepte aprovimin zyrtar për kompanitë private (përfshi Albademilin e Delijorgjit) për tu përfshirë në demontim.

Mendohet se në atë kohë, komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, i dërgoi një letër shqetësimi për të informuar ish- Ministrin e Mbrojtjes, Mediu dhe ish- Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha kur zbuloi se kompania e Delijorgjit Trans Digging Construction po shkatërronte godinat në ish- repartin e tankeve në Gërdec pa asnjë leje të shkruar nga Ministria e Mbrojtjes. Letra e tij nuk mori kurrë përgjigje apo ndonjë veprim. Përveçse ofroi më shumë prova se Mediu e kishte favorizuar në mënyrë ilegale Delijorgjin në vendimet për demontimin, historia nxjerr në pah përfshirjen e një tjetër personi nga orbita e ngushtë e Berishës- Balliu. Kur u përhapën fjalët e para për lidhjet e Balliut me Delijorgjin, Balliu mbajti një konferencë për shtyp në fillim të prillit për të mbrojtur veten. Ai fillimisht pretendoi se nuk përzihet në punët e vajzës së tij (emri i vajzës së Balliut është përdorur në dokumentet me Delijorgjin), dhe më vonë deklaroi se vajza e tij ishte tërhequr nga kompania e Delijorgjit në vitin 2006, përpara aferës së Gërdecit. Megjithatë, media menjëherë ofroi prova se emri i vajzës së tij nuk ishte hequr nga dokumentet e zyrës së regjistrimit deri më 8 prill të këtij viti, ditën kur edhe shpërtheu lajmi për lidhjet e Balliut me Delijorgjin.

Në reagim të këtyre zbulimeve, disa kanë kritikuar Prokuroren e Përgjithshme se ka shmangur hetimet për rrethin e ngushtë të Berishës, duke theksuar se Prokurorja e Përgjithshme e dinte për implikimin e kompanisë TDC për më shumë se një vit, por nuk e kishte hetuar as atë dhe as Balliun. Përveç Balliut, kritikët theksojnë se hetimi nuk ka prekur praninë e baxhanakut të Berishës në Gërdec në kohën e shpërthimit e as fjalët se biri i Berishës ka lobuar tek Ministria e Mbrojtjes për Delijorgjin. Disa kritikë kanë ngritur pyetjen nëse Ina Rama është frikësuar nga qeveria ose ka arritur një marrëveshje me të.

Kabllogram i datës 16 janar 2009

Kryeministri Berisha është qartësisht i dëshpëruar për të ndaluar çdo ndikim nga Gërdeci e në vazhdim, Durrës-Kukës, Damir Fazliç dhe hetime të tjera që kërcënojnë të implikojnë anëtarë të familjes së Berishës apo të rrethit të brendshëm. Burime të shumta i kanë thënë Ambasadës se synimi i vetëm e Berishës për kalimin e detyruar të Ligjit të dosjeve është vënia nën presion i prokurorëve dhe gjyqtarëve me shpresën që të ndikojë në hetimet në vazhdim. Që nga kalimi i Ligjit më 14 janar, Zamir Shtylla, prokurori i përfshirë në hetimin e Gërdecit, ka dhënë dorëheqjen, duke cituar dëshirën për të mos politizuar më tej Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Edhe pse kjo mund të jetë vetëm një rastësi, dy ditë para se Shtylla të jepte dorëheqjen, Asistenti Politik e pa vëllain e Shtyllës duke ngrënë drekë me sekserin e punëve të pista të Kryeministrit Berisha, pronarin e gazetës së krahut të djathtë, Fahri Balliu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›