E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cili nga pushtetet do fitojë tani?

Share

Nga Altin Ketro

Ilir Meta e rriti shumë pjacën e vet kur në kushtet ku ndodhet mikpriti në shtëpi, Sali Berishën, Kryeministër i Shqipërisë dhe udhëheqës i shumicës bashkëqeverisëse. Familja Meta nuk kishte ndonjë sebep; askush skish ditëlindjen, as nuk kish të sëmurë dhe as nuk i ishte shtuar familjes ndonjë borokoç (fëmijë) i katërt. Për më tepër vizita u bë në orët e vona të pasdites, çka detyroi zonjën Kryemadhi të anulojë pjesëmarrjen në Top Story të Sokol Ballës në TCH, si një nga themelueset e FRESSH-it, që siç u tha, për një impenjim tjetër të rëndësishëm. A ka qenë vërtet i rëndësishëm ky impenjim? Sigurisht që po! Ai që po i begeniste nuk ishte njeri dosido dhe Monikës i duhej të përgatiste mezet e darkës, të cilat gjithë mirësjellje bashkëshorti do ia shërbente mysafirit të veçantë. Gjë e rrallë të të hajë bukën Shefi i Qeverisë në shtëpi, por kur e ha, të dy e dinë që buka e ngrënë sduhet të shkelet.

Natyrisht që as Meta e as Berisha nuk kishin se çfarë muhabeti të ndanin më me njëri-tjetrin. Nëse do të kishte ndonjë të re nga fronti i tyre, mund ta bënin me qetësi në kompleksin qeveritar në plazhin e Durrësit, në Dajt apo kudo gjetkë, larg vëmendjes së medias dhe publikut. Por të dy palët nuk u ruajtën shumë, sepse skishin më arsye të ruheshin. Bile atyre u duhej publicitet mediatik sa më i madh për takimin. Edhe ndalimi i gazetarit të Shekulli-t nga punonjës të Gardës dhe fshirja e fotografive të shkrepura prej tij, duket se kishte si qëllim një mundësi për më shumë vëmendje ndaj takimit. Sepse, ndërsa u fshinë fotografitë në hyrje, publiku u njoh me fotografitë në dalje të Berishës. A sështë e njëjta gjë?! E pra, këto të dytat nuk u censuruan e as su ndalua kush!

Gjithësisht po pranohet se e gjitha kjo u bë si gjest presioni i Berishës ndaj pesëshes së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Kushdo politikan në botën perëndimore, sado pa peshë, e jo më kreu i Ekzekutivit, do e shmangte në ekstremitet takimin me një të pandehur, aq më tepër në prag të dhënies së verdiktit nga gjyqësori. Takimi do ishte një vetëvrasje politike që do e ndiqte nga pas në çdo betejë politike duke i humbur shanset për karrierë të mëtejshme. Sa për shembull, por në formë tjetër, më e fundit ishte të martën e kaluar ku një ministër i qeverisë së re italiane dha dorëheqje pasi këtu e pesë vjet më parë një biznesmen që akuzohet tani për korrupsion, i paska paguar faturën e hotelit për të cilën ministri shprehet se nuk dinte gjë.

Rasti Meta është shumë herë më i rëndë, por shumë i thjeshtë për tu trajtuar nga kryeministri, të cilit si bën përshtypje statusi i ish vartësit të vet, bile e ka për krenari të gjendet pranë tij.  Tashmë çështja ka dalë nga duart e Metës dhe barrën e saj e ka marrë Berisha. Njësoj siç mori barrën e Mediut në çështjen e Gërdecit, ku Berisha u investua personalisht që procesi ndaj tij të mos niste pasi i binte trashëgimtari i mbiemrit, me çështjen Meta ai po riinvestohet që të mos i bjerë nga duart pushteti.

Katër ditë nga dhënia e vendimit në Gjykatën e Lartë, beteja nuk është më midis Metës dhe Prokurorisë. Në lojë është futur Berisha me autokratetin e tij. Gjykata tashmë e ka të qartë mesazhin se, po dënoi Metën, në fakt ka dënuar Berishën. Ky e mori vet në dorë stafetën e betejës. Nëse deri dje gjykata e kishte një hapësirë lirie të gjykonte drejt për të pandehurin Meta, tashmë asaj i është vështirësuar vendimmarrja pasi i duhet të gjykojë moralisht edhe të pandehurin Berisha.

Ky i fundit vetë zgjodhi që të jetë pjesë e procesit gjyqësor si veshmbathje politike e Metës në dy forma që i kundërvihen njëra-tjetrës; me Kostumin e të Pafajshmit ose me Uniformën e të Burgosurit. Zgjedhja e së parës nga Gjykata e Lartë do të thotë gjunjëzim i Pushtetit të Tretë ndaj atij të Dytë, ndërsa zgjedhja e së dytës do të thotë triumf i Gjyqësorit jo vetëm ndaj Ekzekutivit, por edhe ndaj atij Pushtetit pa Numër që rëndom e njohim me emrin Mafie, i cili i shtrin tentakulat e padukshme kudo ku sheh të çara në drejtësi për ta mbërthyer më pas në lak të  gjithë Shtetin.

Gjithsesi, ky takim duhet parë edhe në një këndvështrim tjetër, kësaj here pozitiv. Mos vallë Meta ka patur informacione se gjykata është e vendosur për të mos u dorëzuar përballë presionit qeveritar që ka ndjerë tash një vit?! Të jetë ky një sinjal alarmi gjë që detyroi atë të thërrasë në ndihmë Berishën, të cilit spara i rekomandohen lëvizjet e shumta kohët e fundit?! Vërtet kjo mban erë presioni, por na jep shpresë se mund të shohim pakëz dritë në fund të tunelit. Me këtë zhvillim të ri e vetmja pyetje që mund të bëhet tani është: cili Pushtet do fitojë më datë 16 janar? Të shohim!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›