E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në prag të vendimit

Share

Nga Victor Meursault

Pak ditë na ndajnë nga vendimi i Gjykatës së Lartë për Ilir Metën, në atë çështje penale elementet e së cilës gjithkush i pa me figurë e me zë e që së fundmi u faktuan përtej çdo diskutimi nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme me dosjen e plotë të detajuar dhe dorëzuar prej saj. Mundësia që i paraqitet Gjykatës është e rrallë. Me vendimin e datës 16 Janar ajo mund të shenjojë fundin e një epoke dhe bash me të çeljen e një shprese të re për sistemin e drejtësisë dhe për krejt vendin pashmangshmërisht.

Mirëpo pakkush beson se ky shans do të shfrytëzohet. Është e njohur për çdokënd se presionet e ndikimet e paligjshme kanë kompromentuar rëndë drejtësinë në këto 20 vjet.

Dhe rasti i Ilir Metës pak gjasë ka ta ndryshojë gjendjen.

Në sondazhin e gazetës Shekulli, pyetjes Pas pretencës së Prokurorisë, çfarë vendimi mendoni se do të japë Gjykata për Metën?, 63% e pjesëmarrësve i janë përgjigjur do ta shpallin të pafajshëm, ndërkohë që 37% besojnë te dënimi i Metës (21% mendojnë se do të jepet një dënim më i ulët dhe 16% besojnë se do të kemi një dënim si pretenca, pra aq sa ka kërkuar Prokuroria: 2 vjet burgim dhe gjobë 1 milionë lekë). Rezultatet flasin qartë. Është rrënjosur sistemi i pandëshkueshmërisë. Dhe këto dihen e askush ska iluzione.

Ky realitet është bërë vërtet i lodhshëm, kontrollohet fund e krye nga këta njerëz dhe mjaftojnë ngërdheshjet e Metës përpara kamerave për ta bërë tërësisht të padurueshëm.

Ilir M. në procesin kafkian

Ilir M. po priste ditët e fundit përpara se ta dërgonin në atë sallë të madhe, më të madhen e vendit ku një trupë gjykuese e panjohur do ta gjykonte pa patur kurrfarë faji. Ose të paktën kështu kish besuar në krye, kur rreth një vit më parë e akuzuan krejt papritur. Ai kish qenë i bindur se ky proçes nuk e kishte një fajtor, e sorollatej i tulatur për sa kohë nuk arrinte ta kuptonte se si mundej që gjithë çkish bërë nga rinia e hershme e deri tash vonë, – diçka që qe shndërruar në modus-vivendi për të, – ta ngarkonte me një faj imagjinar sipas disa ligjeve të panjohura dhe krejt absurde. Si mund të dënohej njeriu për atë që ishte në vetvete, për vetë mënyrën e të qenurit? Sa absurde i dukej e gjithë situata!

Përgjatë ditëve të para pas akuzës së beftë, ai nuk po arrinte ta kuptonte se ku qëndronte faji i tij. Përse duhej shpallur fajtor e përse duhej dënuar? Çkish bërë vallë që kërkonin me kaq egërsi kokën e tij? A quhej faj të ishe i atillë, pra të ishë Ilir M.?

Ndërkohë që kohët kalonin, Ilir M. po e humbte dita-ditës arsyen ose konceptin e të arsyeshmes sipas përfytyrimit që kish pasur ai për të. Po i lëkundeshin të gjitha bindjet dhe po shihte se si shëmbej përpara syve të tij çdo gjë në të cilin kishte besuar deri atëherë. Siguria e të qenurit i pafaj po ia linte vendin hutimit, rrëmujës brenda kokës së tij. Bashkë me këtë proçes po zbulonte dalëngadalë se sa rëndë na qenkërkish sjellë, se sa shumë kish gabuar. Një proçes i thellë brenda vetvetes. Të gjithëve u dhimbsej ky njeri, jo për gjendjen në të cilën ndodhej, por natyrisht për atë që e priste në të ardhmen e afërt. Sa më shpejt ta kuptonte këtë, aq më të lehta do ti kishte dhimbjet e vuajtjet.

Po fillonte të bindej. A po e kuptonte më në fund? A po i qartësohej pamja e errur nga verbëria paranojake që ia kish tulatur mendimet? Vështirë të thuhet, por tani që fundi ishte shumë afër, – dhe askush nuk e vinte në diskutim dënimin e tij, – Ilir M. ndjeu ta përshkruante një valë e ngrohtë turpi. Si kish guxuar? Si?! Sa thellë ishte zhytur e sa vonë po e kuptonte! U ndje aq keq, sa veç bindja e plotë për fajësinë e tij të thellë, vetëdija për krimet e përsëritura ndër vite, mund ta shpëtonte nga kjo vorbull që e kish përpirë pa mëshirë. Po, po, ai e kuptonte. Tashmë po kthjellohej. Pak e nga pak, por më në fund po kthjellohej! Ndryshe nuk mund të të akuzonin dhe me aq këmbëngulje të kërkonin të të dënonin. Vetë të qenurit i akuzuar, i gjithë-pranuar si fajtor nga mbarë opinioni publik, mbartte në vetvete sigurinë e fajësisë. Nuk mund të qe ndryshe. Ai ishte fajtor. Dhe fajin nuk ja shkundte dot nga kryet askush, – jo më, – tani ishte tepër vonë. Faji ishte po aq i sigurt sa vetë vdekja. Do ta pranonte! Gjatë seancës së fundit kur ti vinte rradha të pyetej, Ilir M. do të merrte fjalën dhe pa kurrfarë ngurrimi do të pranonte fajin e tij, do të vetëshpallej fajtor. Prokurorët do të uleshin të kënaqur në vendet e tyre e do të prisnin mbylljen e asaj seance formale. Në këtë moment ai mendoi se do të pushtohej nga dëshira për ti përqafuar ata, për ti shtrënguar fort pas vetes, por kjo qe një marrëzi kur mendonte se sa shumë e urrenin. Gjyqtarëve nuk do tu mbetej asgjë tjetër veçse ta shpallnin fajtor, – jo se për këtë kish ndonjë dyshim, – por do të evitoheshin lodhje e vonesa të tjera duke qenë se edhe vetë i akuzuari do ta pranonte fajin.

Në këtë moment, pasi vendimi të ishte lexuar, Ilir M. do të ngrihej në këmbë e duke iu dridhur gjunjët, me lot në sy do të kërkonte ndjesë, drejtësisë e gjindjes mbarë, jo vetëm për fajet e mëdha që i kish kryer pa vetëdije gjatë jetës, – të cilat tani falë këtij proçesi i kish kuptuar dhe pranuar tërësisht, – por edhe për zvarritjet, shpenzimet gjyqësore dhe vonesat e kota përgjatë një viti që kur e kishin akuzuar. Do tu kërkonte të falur që nuk kish arritur ta kuptonte më parë fajësinë e tij, që nuk ia kish kursyer prokurorëve gjithë ato energji të derdhura në përpjekjet për ta bindur edhe atë vetë se qe fajtor. Dhe në këtë moment, – në rast se nuk do ta kishin prangosur ende, – do të priste damarët me brisqet që S.B. ia kish dhënë me vete (i kish fshehur në brendësi të bllokut të fajeve që mbante përherë në xhepin e brendshëm të xhaketës), duke vënë vetë drejtësinë në vendin që i takonte, një herë e mirë, e duke ua kursyer kësisoj ekzekutorëve të tij atë punë të ndyrë. Po, ky do të ishte fundi i tij. Askush nuk do tia ndryshonte mendjen në ato pak ditë të mbetura. Duhej vetëm të ruante qetësinë. Dhe të priste. Të priste

Metaksi në përroin psikik xhojsian

Ai qen duhej të qe vrarë, po shumë kohë më parë; fundja skam përse të shqetësohem shumë, Fahro më ka garantuar se i ka mbyllur punët me ata të pestë; më dhimbsej se ka qenë përherë psikopat, po ja që koka bën e koka pëson; qindra mijëra euro nuk i thonë pak, kush do ti refuzonte; flori e kam Fahron, gjigant, i rregullon ai të gjitha; nuk më lëshon as doktori, nuk ka nga tja mbajë pa mua, është i marrë fund i vetëm; ai Ardiani të kënaq me gatimet, nesër i kam thënë e pres në Lalëz po të më sjellë aragosta; edhe Spartaku i madh është, i ka hak paratë e fitimet se më ka shërbyer përunjësisht; po nuk e kuptoj pse nuk pajtohet me Bamirin, pse nuk e lë aty edhe një mandat dhe e mbyllim pazarin me drejtësinë; po nuk më defaktorizojnë dot mua se nuk e kanë peshën time, jam luan unë; le ta marri Presidentin, le ta vërë Patozin atje, po Spartaku ama do të ishte i përkryer për Prokuror të Përgjithshëm; sa të mëdhenja ata të tre, u mblodhën dhe e hodhën poshtë sa hap e mbyll sytë videon

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›