Cirku i Metropolit, akrobaci në Kroaci
Cirku i Metropolit përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin e tretë Ndërkombëtar të Cirkut Street Talks, që u zhvillua në Split të Kroacisë nga 9-14 qershor, ku merrnin pjesë 12 trupa nga vende te ndryshme të botës. Trupa shqiptarë u prezantua me 13 artistë profesionistë të Cirkut të Metropolit dhe nxënës të shkollës së cirkut, nën drejtimin e mësueses së tyre Silvana Duni. Trupa e artistëve të Cirkut të Metropolit, ishte grupi i parë që prezantoi Shqipërinë në këtë festival.
Karakteristikë e festivalit të këtij viti ishte zhvillimi i të gjitha performancave të grupeve pjesëmarrëse në ambiente të hapura nëpër rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit. Zyra e shtypit e këtij cirku bëri të ditur se trupa shqiptare drejtohej nga klouni i mirënjohur Vilson Gjoçaj dhe veterani i numrave të shpejtësisë Fatos Roshi. Artistët shqiptar interpretuan në këtë festival një kolazh me lëvizje akrobatike nga pjesë të ndryshme të shfaqjeve në arenën e Metropolit. Grupi dhe tre shfaqje në sheshin qendror të qytetit për banorët e Splitit dhe turistët e shumtë. Numrat e bukur e ekzekutuar me mjeshtëri e profesionalizëm nga artistët e talentuar shqiptarë, veshjet shumëngjyrëshe dhe muzika me motive shqiptare transmetuan emocione të veçanta tek publiku i shumtë, që ndoqi shfaqjet dhe duartrokiti ngrohtë dhe gjatë. Mediat elektronike dhe ato të shkruara pasqyruan pamje të aktivitetit. Ndër to përmendim më të madhen gazetë të vendit "Sllobodnia Dalmacija". Me duartrokitje dhe simpati u pritën dhe u vlerësuan artistët profesioniste Manushaqe Mullai, Stela Mema e Bledin Balla, si dhe nxënësit e shkollës se cirkut Loredana, Klea, Albana, Pamela dhe Sabina të drejtuar nga mësuesja e tyre Silvana Dumi me debutimet e tyre plot fantazi e freski u pritën me shumë interes nga të pranishmit. Shfaqjet u dhanë në datat 10,11dhe 13 qershor në orën 20.00. Publiku i çdo moshe u afrua shumë dhe u shkri me artistët, duke provuar të mësojë sadopak nga mjeshtëria e tyre e lartë profesionale. Krahas shfaqjeve të shumta që grupi ynë dha në Split, ai organizoi edhe tre work-shop në parkun qendror të qytetit, duke dëshmuar anën profesionale të artistëve dhe artit akrobatik shqiptar në disa disiplina të cirkut. Pas përfundimit të festivalit ku është preferuar të mos ndahen çmime, organizatorët kroatë shprehën vlerësimet e tyre për trupën shqiptare, duke i ftuar ata sërish në festivalin e ardhshëm.
Last Updated on Thursday, 18 June 2009 09:24
Last Updated on Thursday, 18 June 2009 09:24