E Shtunë, 31 Tetor 2026

Civici: Buxheti 2012, ndërmjet presionit të krizës dhe optimizmit

“Do ta përkufizoja si buxheti i sfidave të mëdha, si buxheti që i shkon për shtat shprehja e Homerit për udhëtimin e rrezikshëm të Odiseut ‘ndërmjet Scilla-s dhe Carridi-s’, ose ‘ndërmjet presionit të krizës dhe optimizmit’”

Intervistoi: Sabina Veizaj

Nga qeveria përcaktohet si buxheti më i madh në vitet e tranzicionit, megjithëse konsiderohet si “konservator”, ndërkohë opozita e cilëson si “jo realist”. FMN mendon se ai është më tepër optimist se ç’duhet. “Çfarë përfaqëson në realitet projektbuxheti 2012?

Buxheti i vitit 2012 mund të konsiderohet si buxheti i një viti mjaft të vështirë që e pret ekonominë dhe financat shqiptare. Ekonomia europiane parashikohet të ketë nivel shumë të ulët rritjeje ekonomike, ndërkohë që disa vende të rëndësishme të eurozonës mendohet se mund të kalojnë situata recesioni. Kriza e rëndë greke dhe situata problematike italiane, vende që janë partnerët kryesorë ekonomikë e tregtarë të Shqipërisë, duket se do vazhdojnë edhe në 2012-ën. Atëherë, është e qartë përse edhe në Shqipëri 2012-ta pritet të jetë një vit i vështirë e mjaft sfidues. Shifrat kryesore “çelës” të buxhetit 2012 të paraqitura nga qeveria, megjithëse përkufizohen si “konservatore” prej saj, mund të konsiderohen si shumë optimiste, aq më tepër që ky buxhet për nga “përmasat” e tij është më i madhi i këtyre 20 viteve të fundit. Veçanërisht niveli i parashikuar i rritjes ekonomike prej 4.3% dhe rritja e të ardhurave me 8%, ose sa 25.6% e të ardhurave bruto, shpenzimeve në masën 28.5% të PBB etj. Nga shifrat e paraqitura mendohet se nuk do të preken investimet kapitale, do të ketë përsëri rritje rrogash e pensionesh, do vazhdojnë financimet për veprat e mëdha infrastrukturore etj. Në këto vite krize globale, Shqipëria ka arritur të ruajë rritje ekonomike pozitive, por gjithsesi nivelet e saj janë më të ulëta se parashikimet apo trendet shumëvjeçare të dekadës 1999-2008. Institucione ndërkombëtare si FMN-ja, Banka Botërore, BERZH apo BEI vlerësojnë se për vitin 2012, rritja ekonomike në Shqipëri mund të jetë në nivelet 2-3%, duke vënë kështu disa pikëpyetje mbi mundësitë reale që të garantohen të ardhurat e planifikuara në buxhet, aq më tepër që nuk pritet të ketë rritje të nivelit të taksës së sheshtë nga 10% në 15%, siç propozon FMN-ja, apo vendosjen e taksimit progresiv, siç propozon Partia Socialiste. Personalisht, do ta përkufizoja si buxheti i sfidave të mëdha, si buxhetit që i shkon për shtat shprehja e Homerit për udhëtimin e rrezikshëm të Odiseut “ndërmjet Scilla-s dhe Carridi-s”, ose “ndërmjet presionit të krizës dhe optimizmit”.

Projektbuxheti parashikon mbajtjen nën kontroll të borxhit publik, ose në rastin më optimist, uljen minimale të tij me 1%. A rrezikohet Shqipëria në 2012-ën nga kostoja e lartë e borxhit?

Shqipëria ka sot një borxh publik në nivelin 59-60% të PBB ose rreth 7.5 miliardë dollarë, çka nënkupton se kemi arritur në limitin maksimal “të lejueshëm” të këtij treguesi delikat dhe pse jo edhe të rrezikshëm në këtë periudhë krize globale. Gjatë vitit 2012 buxheti i shtetit duhet të paguajë rreth 600 milionë dollarë për shërbimet ndaj borxhit, ose 3.5-3-8% të PBB. Kjo është padyshim një barrë e rëndë për buxhetin, financat publike dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi. FMN, por dhe institucione të tjera ndërkombëtare rekomandojnë se për një ekonomi si Shqipëria, niveli optimal i borxhit mund të luhatet në intervalin 40-50% të PBB, ndërkohë, që jo vetëm për 2012-ën, por edhe për 3-4 vitet e tjera në vazhdim, ulja e borxhit publik nën 55% duket e vështirë. Përveç kostos së lartë të këtij borxhi për buxhetin tonë dhe riskut të shtrenjtimit të mëtejshëm të tij, niveli prej 60% e bën mjaft të komplikuar situatën nëse qeveria shqiptare, për arsye të ndryshme, të parashikuara apo të paparashikuara do të jetë e detyruar të kërkojë borxh tjetër. Në këtë këndvështrim, parashikimi i bërë për mbajtjen konstant të tij apo në rastin më të mirë, uljen prej 1% të nivelit të borxhit, duket se është e vetmja zgjidhje e “kushtëzuar” në situatën ku ndodhemi. Mendoj se, në qoftë se në 2013-ën ky tregues do të qëndronte në këto nivele, kjo mund të konsiderohej si një situatë relativisht pozitive ose të paktën si një kontroll mbi borxhin dhe ecurinë e tij. E rëndësishme është që ky borxh të mos thellohet, si dhe të ndërmerren të gjitha politikat dhe reformat e domosdoshme strukturore në ekonomi për përmirësimin e bilancit tregtar, bilancit të pagesave, rritjen e produktivitetit ekonomik, reformimin e sistemit të pensioneve, shtimin e punësimit etj., të cilat direkt apo indirekt krijojnë ambient të favorshëm financiar e ekonomik për uljen e borxhit publik në perspektivën e afërt. Megjithatë, mënyra më e mirë për të shpëtuar nga presioni negativ i nivelit të borxhit është fokusimi i përpjekjeve për rritjen e nivelit të rritjes ekonomike. Rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare dhe eksperienca e mjaft vendeve të botës po orientohet pikërisht nëpër këtë rrugë.

Në vitet e fundit jemi ndeshur me fenomenin e korrigjimit të buxhetit në mes të vitit, ose dhe në tremujorin e fundit të tij, dhe pavarësisht problemeve, në fund të vitit buxhetet tona rezultojnë “korrekte”. A është e pranueshme dhe e këshillueshme një praktikë e tillë?

Ndryshimi dhe rishikimi i buxhetit në mes të vitit, apo në disa raste edhe në muajt tetor-nëntor, ka ndodhur rregullisht këto vitet e fundit. Arsyet kryesore janë të një natyre të dyfishtë. Së pari, reflektojnë mangësi në planifikimin fillestar të disa nga indikatorëve apo treguesve bazë të buxhetit, siç janë të ardhurat nga sektorë apo zëra të ndryshëm, shpenzimet dhe investimet, si dhe ecurinë e rritjes ekonomike. Në periudhën qershor-korrik kur fillojnë e konkretizohen trendet vjetore të këtyre treguesve duket qartë dhe nevoja për ndërhyrje në buxhet për ta kthyer atë në binarë normalë. Së dyti, duke qenë se në Shqipëri hartimi dhe realizimi përfundimtar i buxhetit është i lidhur ngushtë me politikat elektorale e “performancën publike” të qeverisjes, ndryshimi gjatë vitit apo në fund të vitit, axhuston apo korrigjon “gabimet” dhe “mungesën e performancës”, sepse në fund të fundit, rezultati final i tij del “korrekt” në raport me objektivat, premtimet dhe imazhin e performancës makroekonomike që Shqipëria synon të ketë. Kjo lloj praktike, deri diku edhe e justifikueshme për një farë kohe, sidomos për vende në tranzicion apo në zhvillim siç është Shqipëria, duhet të marrë fund në vitet në vazhdim. Konsolidimi i financave publike dhe politikat buxhetore rigoroze nuk e pranojnë një ndërhyrje të tillë në buxhet. Në vendet e zhvilluara, dhe veçanërisht në vendet e BE-së, një praktikë e tillë ka kohë që nuk figuron më.

Buxheti 2012 parashikon rritjen e pensioneve dhe rritjen e diferencuar të pagave, megjithëse ka mjaft zëra që e kritikojnë këtë, duke e cilësuar si lëvizje “populiste” dhe “elektorale”. Përse ky vlerësim kontradiktor?

Vazhdimi me politikat e rritjes së rregullt të pagave dhe pensioneve duket se është një konstante e objektivave me natyrë sociale të qeverisë. Megjithëse për vitin 2012, rritja e tyre e parashikuar në nivelet 3-5% është më ulët se vitet paraardhëse, duke u afruar më shumë me një indeksim korrekt të rrogave dhe pensioneve me nivelin e inflacionit, që për vitin 2012 parashikohet të luhatet në intervalin 3-3.5%. Kjo rritje e pagave dhe pensioneve garanton mbajtjen konstante, ose një rritje të vogël për disa kategori sociale e profesionale të fuqisë së tyre blerëse. Nuk mendoj se ky objektiv duhet kritikuar si lëvizje populiste apo elektorale, përkundrazi, mendoj se duhet vlerësuar si konkretizim i objektivave socialë të buxhetit, si një mënyrë për të shmangur rënien e fuqisë blerëse, sidomos të shtresës së pensionistëve dhe punonjësve më të ardhura të ulëta apo ndihma sociale. Në kushtet e krizës aktuale, mjaft vende të botës kanë zgjedhur rrugën e bllokimit të përkohshëm të pagave dhe pensioneve, apo uljes së tyre, por në rastin e Shqipërisë, politika e rritjes së tyre duhet inkurajuar. Në radhë të parë, për numrin e madh të pensionistëve apo shtresave të popullsisë vulnerabël e të varfër që kemi, dhe në radhë të dytë, për të stimuluar kërkesën e brendshme, e cila në 2 vitet e fundit është më e ulët se niveli optimal i saj. Të kërkosh rigorozitet dhe ekuilibër buxhetor në “kurriz” të kësaj kategorie të popullsisë do të thotë të biesh në një teknicizën buxhetor të panevojshëm, ose akoma më shumë se kaq, të biesh në populizëm me slogane antipopuliste për qëllime e llogari thjesht politike.

Megjithatë, duket se edhe në vitin e ardhshëm ne nuk do t’i shmangim dot ndryshimet dhe korrigjimet e shifrave kryesore të buxhetit. Pse mund të ndodhë përsëri një situatë e tillë?

Ka shumë gjasa që kjo të ndodhë përsëri edhe në 2012-ën. Dy të tilla duket se do të jenë të mundshme, në korrik 2012 dhe, ndoshta në nëntor 2012. Duke qenë se katër treguesit kryesorë të buxhetit, rritja ekonomike, të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti buxhetor janë parashikuar në shifra optimiste në raport me situatën e përgjithshme, besoj se këto ndryshime do të ndodhin. Më të prekshme mund të jenë zërat e të ardhurave dhe shkurtimi i shpenzimeve, sidomos atyre administrative apo projekteve jo me rëndësi prioritare. Këtë e konfirmon dhe qëndrimi i Ministrisë së Financave, që pohon se buxheti do të ndryshohet aq herë sa të jetë e nevojshme, sidomos nëse qeveria do të jetë e detyruar nga situata të paparashikuara që të marrë borxh më shumë se parashikimi, apo të shtojë shpenzimet në sektorë apo zona me probleme.

Meqenëse rritja e të ardhurave duket e vështirë, rruga më e mundshme e balancimit të buxhetit shihet ulja e shpenzimeve. A është kjo mundësia më e mirë apo thjesht “rruga e vetme” që na ka mbetur?

Që një buxhet të jetë korrekt dhe i balancuar ka vetëm dy rrugë: garantimi i rritjes së të ardhurave ose kontrolli, apo ulja e shpenzimeve. Meqenëse mundësitë e Shqipërisë në vitin 2012 për rritjen domethënëse të të ardhurave duken të limituara dhe të kushtëzuara nga situata ekonomiko-financiare globale negative, rruga e vetme duket se është kontrolli i imët mbi shpenzimet dhe në disa raste ulja, qoftë dhe e “detyruar” e tyre. Ne mund të pranojmë një “sakrificë” një ose dyvjeçare në realizimin e disa projekteve infrastrukturore apo shërbimesh që nuk ndikojnë direkt në rritjen ekonomike dhe punësimin; ne mund të pranojmë një shkurtim drastik të shpenzimeve me natyrë administrative, atyre të funksionimit të mjaft institucioneve publike e qeverisëse, shkurtime në administratën publike etj. Duke ruajtur një ritëm të investimeve publike prej 5% të PBB-së në vit, mendoj se ka rezerva e mundësi për ulje shpenzimesh.

Si mund të vlerësohet procesi i hartimit dhe angazhimi i aktorëve të ndryshëm të institucioneve dhe shoqërisë shqiptare në përgatitjen e projektbuxhetit të vitit 2012? A ka gjëra që duhen bërë ndryshe apo më me eficiencë se deri tani?

Mendoj se është një proces dhe buxhet “normal” për kapacitetet dhe mundësitë e vendit dhe qeverisjes, që reflekton përmirësime në mënyrën e konceptimit, hartimit dhe mënyrave të llogaritjes së shumë zërave e rubrikave të tij, por që reflekton edhe mjaft mangësi. Ky buxhet i shkon për shtat objektivave, llogaritjeve dhe bindjeve të qeverisë për ecurinë që pritet të ketë ekonomia dhe financat shqiptare në 2012-ën, megjithëse siç e përmendëm më lart ka një dozë të lartë optimizmi e besimi, e cila nuk përputhet me vlerësimet e ekspertëve të pavarur, opozitës politike të përfaqësuar nga Partia Socialiste, apo institucioneve si FMN–ja etj. Për ta pasur akoma më të qartë “qëllimin” e luftës politike për një buxhet më të mirë apo më realist, mendoj se ka ardhur koha që edhe opozita apo grupet e rëndësishme të interesit të paraqesin buxhetet e tyre alternative për debat. Thjesht të kritikosh buxhetin apo elemente të veçanta të tij, nuk është aq efektive sesa konkretizimi i kritikave apo sugjerimeve me një buxhet alternativ të plotë në përmbajtjen e tij. Në shumë vende të BE-së, që janë në të njëjtën fazë të diskutimit të buxheteve si ne, opozita, shoqëria civile, grupet e rëndësishme të biznesit etj., kanë hedhur në diskutim publik buxhetet e tyre alternative. Mangësi të tjera që mund të përmendim janë: mungesa e studimeve dhe analizave të mirëfillta ekonomike e financiare që garantojnë qëndrueshmërinë dhe realizmin e shifrave apo tavaneve buxhetore të planifikuara, që argumentojnë kritikat ndaj tij, si dhe zëri i dobët i grupeve të interesit apo shoqërisë civile në formatimin përfundimtar të këtij buxheti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›