Vrasja e Konomit, policia në kërkim të dy personave të lidhur me krimin
Zyrtarë të Policisë së Shtetit shpallin në kërkim policor 2 persona, sipas përshkrimeve fizike të dhëna nga dëshmitarët e vrasjes së Konomit. Shkresa u dërgohet 12 drejtorive në vend: Janë me kokë të rruar dhe dyshojmë se kanë gisht në atentat
Tiranë Dy muaj pas ekzekutimit me tritol të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, policia është vënë në kërkim të dy personave, të cilët dyshohet se kanë lidhje me krimin e bujshëm. Dëshmitë e mbledhura dhe informacionet operative flasin për dy djem, karakteristikat fizike të të cilëve u janë përcjellë 12 drejtorive të policisë në vend. Sipas burimeve të MAPO-s, dy personat e dyshuar si pjesëmarrës në atentat janë ende të paidentifikuar, por dëshmitarët okularë i kanë ngulitur në kujtesë si dy njerëz me “kokë të rruar”. Për të bërë të mundur gjetjen e tyre, çka mund të hidhte dritë mbi atentatin që i mori jetën gjyqtarit Konomi, nga zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit është nisur një shkesë me karakteristikat e tyre në 12 drejtoritë e qarqeve në vend.
Prej disa ditësh, komisariatet e policisë në të gjithë vendin kanë marrë identikitin e dy personave në fjalë, pamja fizike e të cilëve është përshkruar nga dëshmitarë që i kanë parë dy të dyshuarit dhe për të cilët, hetuesit më të lartë të Policisë së Shtetit kanë dhënë urdhrin që të zbulohen dhe të shoqërohen. Zyrtarët e policisë janë treguar tejet të rezervuar në dhënien e detajeve lidhur me këtë “qarkore”, megjithatë mësohet se po bëhet çdo lëvizje e mundshme për të hedhur dritë mbi krimin që tronditi vendin, zbardhja e të cilit ka mbetur pezull, për shkak edhe se atentati mendohet se është kryer nga njerëz profesionistë. Detajet e tjera më të hollësishme të dëshmitarëve kanë ndihmuar ekspertët e policisë që të krijojnë një identikit të përafërt të dy personave që mendohet se kanë lidhje me vrasjen e Konomit. E ndërsa vazhdon të qëndrojë versioni se atentati është kryer nga persona të paguar, të dyshuarit mund të jenë banorë të çdo rrethi në vend. Mbi bazën e dyshimit ka nisur puna në kalimin në filtër të gjithë elementit kriminal që evidentohet në të dhënat që disponon policia apo agjencitë e tjera të zbulimit. Të dhënat e shpërndara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë janë dërguar në rrethe me firmën e zyrtarëve më kryesorë të kësaj drejtorie, ndërsa evidentimi dhe gjetja e këtyre dy personave është lënë si një detyrë me prioritet të lartë për komisariatet. Ekspertë të policisë të kontaktuar nga MAPO, janë shprehur se shpërndarja e të dhënave në komisariate për identifikimin dhe evidentimin e personave nëpërmjet identikitit është një procedurë që në zhargonin e policisë quhet “kushtet e kërkimit policor” dhe që në parim ka të bëjë me evidentimin e personave që mund të kenë dijeni apo të dhëna të rëndësishme në lidhje me një ngjarje të ndodhur, të cilën policia synon ta zbardhë. Ekspertët janë shprehur dje se ndodh shpesh që në rastet kur kërkesa për “kërkimin policor” u shpërndahet të gjitha njësive policore në rang kombëtar, atëherë prioriteti i evidentimit të tyre është maksimal dhe personat në fjalë konsiderohen si një “burim” i rëndësishëm për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në këto gjurmë po ecën hetimi për vrasjen e Skerdilajd Konomit, krim ky që dyshohet se ka si motiv çështjen e pronësisë, pasi familja e gjyqtarit disponon sipërfaqe të mëdha toke në zona të lakmueshme në bregdetin e Durrësit. Skerdilajd Konomi u ekzekutua më 9 shtator të këtij viti, pasi nën automjetin e tij u vendos një sasi tritoli e telekomanduar. Makina shpërtheu në qendër të Vlorës, duke i marrë jetën Konomit dhe shkaktuar panik në vend.
Vrasja, familjarët e Konomit i shkruan Topit dhe Berishës
Familjarët e gjyqtarit të vrarë konfirmuan konfliktet e pronësisë si motiv për krimin e rëndë dhe kërkuan zbulimin e shpejtë të autorëve
Njëzet ditë pas vrasjes së Skerdilajd Konomit, familjarët e tij kërkuan, nëpërmjet dy letrave drejtuar Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit, zbardhjen e vrasjes dhe mbështetjen e krerëve të shtetit për sigurinë e familjes Konomi. Letra e parë i adresohej presidentit Bamir Topi, ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, si dhe zv/kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Familjarët e gjyqtarit Konomi shprehin qartë frikën dhe terrorin që ka përcjellë në familjen e tyre vrasja makabre e Skerdit, ngjarje kjo që vazhdon të mbetet e pazbardhur edhe më shumë se dy muaj nga dita e shpërthimit. Në të dyja letrat e firmosura nga prindërit, bashkëshortja dhe motra e gjyqtarit të vrarë, shprehej dyshimi se procesi gjyqësor për çështjen e pronësisë mund të manipulohet nga personat e interesuar për këtë pronë. Për herë të parë familjarët e gjyqtarit artikuluan si motiv të vrasjes çështjen e pronësisë, për të cilën Gjykata e Lartë u shpreh me vendim në qershor të këtij viti, duke i njohur të drejtën e pronës familjes Konomi. “Duke u nisur nga zotimi juaj se fajtorët për këtë krim makabër do të vendosen përpara drejtësisë sa më parë, ne shpresojmë që më në fund, jeta dhe prona e familjarëve tanë të mbrohen me forcën e ligjit që ju ka veshur me autoritet”, - thuhet në letrën e familjes Konomi për kreun e shtetit. Gjashtë anëtarët e familjes i shprehën gati të njëjtën kërkesë edhe Kryeministrit të vendit, z. Sali Berisha. “Tashmë që Skerdilajdi nuk ndodhet pranë nesh, ndihemi të pasigurt për jetën në radhë të parë”, - thuhet në letrën adresuar kreut të qeverisë. Frika për jetën e familjes dhe pronat e saj është prezente në të dyja letrat, aq më tepër kur sipas familjarëve, ky krim i rëndë mbetet ende pa autor. Sipas tyre, kjo ngjarje e rëndë mund të ketë pasoja edhe në procesin gjyqësor që do të zhvillohet në Gjykatën e Tiranës më datë 3 tetor të këtij viti. “Për sa kohë që krimi mbetet pa fajtorë dhe çështja e pronave e pazgjidhur, ne ndihemi të rrezikuar seriozisht për jetën”,- thuhet në letrën drejtuar Topit. Moszbardhja e ngjarjes, sipas familjarëve të gjyqtarit, për më tepër në situatën kur çështja e pronësisë nuk është zgjidhur akoma, mund të jetë me rrezik për familjen Konomi. “Gjithashtu, dyshojmë se procesi gjyqësor në vazhdim do të bjerë pre e manipulimeve të ndryshme, duke na hequr të drejtën mbi pronën, e cila i kushtoi jetën edhe djalit tonë”,- shprehen familjarët e gjyqtarit në letrën dërguar Kryeministrit