E Shtunë, 31 Tetor 2026

Civici: Kujdes nga luhatjet e euros

Luhatjet e shpejta në raportet e lekut me dy valutat kryesore euro dhe dollar janë sinjale për një kujdes më të shtuar në monitorimin e treguesve ekonomikë. Eksperti dhe profesori i ekonomisë Adrian Civici thotë se rënia e euros shkakton probleme në ekonominë shqiptare për vetë dimensionet e përdorimit të kësaj monedhe.

"Shumë llogari për investime që bën biznesi, shumë sinjale që ne marrim nga kjo monedhë për të marr vendimet tona ekonomike dhe financiare ka një dozë pikëpyetjeje nga prapa. Së dyti, rezervat që kanë qoftë qytetarët, qoftë bizneset, apo dhe më gjerë në euro, natyrisht duke u nënvleftësuar euro, i bie vlera e tyre", tha Adrian Civici, rektor i UET.

Por për zotin Civici rënia e euros ka edhe efekte pozitive të cilat nuk mund të mos merren në konsideratë. "Ne ose mund të blejmë me të njëjtën sasi euro më shumë, ose do blejmë më lirë. Besoj që kjo është efekti i parë pozitiv. Efekti i dytë pozitiv, cdo forcim i lekut në raport me euron, natyrisht i bën më të lira pagesën e kredive", vijon Civici.

Zhvlerësimi i euros i shoqëruar nga një shtrenjtim i shpejtë i dollarit në raport me lekun nuk janë një rrezik vetëm për ekonoinë në përgjithësi. Vëmendje dhe kujdes në situata të tilla duhet treguar nga cdo individ.

"Kur ka luhatje të tilla, mirë është që të pritet derisa gjendja të stabilizohet, rrezikon cdo individ dhe cdo biznes të humbasi nëse futet në aventura change-i, thjesht në luhatjet e përditshme", tha ai.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›