Civici i përgjigjet Bodes: Banka e Shqipërisë ka mbajtur nën kontroll çmimet
Adrian Civici, anëtar i këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, thotë se vendimet e politikës monetare, janë rezultat i analizave gjithëpërfshirëse. Ai kujton se Banka e Shqipërisë po e përmbush me sukses misionin ligjor për mbajtjen nën kontroll të inflacionit. Lidhur apelin e ministrit të Financave, drejtuar sektorit bankar për të dhënë më shumë kredi dhe me norma më të ulëta interesi, Civici kujton se kjo nuk varet nga dëshira e mirë e bankave, por nga shumë faktorë të tjerë, ndër të cilët gjendja e ekonomisë dhe niveli i riskut të kredisë. Gjatë një aktiviteti të Bankës Botërore ditën e djeshme, ministri i Financave Ridvan Bode akuzoi Bankën e Shqipërisë për qëndrim pasiv në politikat monetare dhe ju kërkoi bankat të ulin normat e interesit, për ti dhënë më shumë nxitje ekonomisë. Ministri i Financave Ridvan Bode, ka kritikuar publikisht politikën monetare të Bankës së Shqipërisë duke e quajtur atë pasive. Me çshihet zhvillimet ne zonën euro kanë një dinamizëm shumë të shpejte dhe këtë duhet ta bëjmë edhe ne edhe banka për të qenë në të njëjtin akord dhe për të mos u kthyer në pengesë të rritjes ekonomike, u shpreh ministri. Bode tha se ekonomia po pengohet nga kostoja e lartë e parasë dhe i ka bërë thirrje bankave private, të ulin interesat e kredive. Për shkak të konkurrencës ekonomike tashmë norma e rentabilitetit të biznesit po vjen duke u zvogëluar dhe kreditimet në norma të larta të interesit, sigurisht krijon probleme, u shpreh Bode. Reagimi i ministrit erdhi pas deklaratës së Fullanit se buxheti i shtetit rezulton të jetë 5. 3 miliardë lekë. Stimuli fiskal ka pasur ritme më të përmbajtura në katër mujorin e parë të vitit, duke dhënë një kontribut më të ulët në aktivitetin ekonomik gjatë kësaj periudhe. Politika fiskale ka vijuar të ruajë një karakter stimulues, por në një masë më të vogël se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas Bankës Qendrore deficiti buxhetor është 5.3 miliardë lekë, duke u ngushtuar në masën 47 për qind në terma vjetorë.