Profil/Bashkim Fehmiu, arkitekti i parë shqiptar i Kosovës
Plotësisht kishte pas të drejtë profesori i nderuar në të vetmin takim që kisha me te në vitin 2005 për trajtimin skandaloz të hapësirës Kosovare. Në pallatin e rinisë atë ditë bëhej promovimi politikë të katër planeve rregulluese të komunës së Prishtinës të cilët i kisha kritikuar publikisht pasi me atë nivel të punës (projekteve) nuk kishte mundësi teknike të lejoheshin ndërtimet e reja në Prishtinë. Për këtë isha i sigurt pasi ishte punuar kundër rregullave teknike dhe ligjore në fuqi,për çka ishin njoftuar me kohë zyrtarët komunal,koha i vërtetoi këto dyshime të mija të cilat askush nuk i përfilli atëher nga profesionistët e as nga zyrtarët shtetëror ato punime mbetën vetëm në letër.
Më dëftoi se, “Nuk është e vërtetë se më ftuan për me punuar në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban, qëllimi i tyre ishte krejt tjetër” kur e kritikova përse kishte lejuar që problemet hapësinore dhe urbane të Kosovës në kuadër të Ministrisë (MMPH) të iu lihen në dorë disa individëve të cilët nuk kishin as njohurit elementare për këtë lëmi e për të cilën gjë ai si profesor në universitetin e Prishtinës duhej të kishte njohuri pasi të gjithë ishin student të tij. Ishte ftuar në Ministri vetëm për të kënaqur epshet e disa individëve të cilëve fare nuk iu interesonte kjo lëmi,qëllimi i tyre ishte të përdorët reputacioni i tij për qëllime tjera propagandistike,edhe ketë konstatim të tij e vërtetoi koha pasi realiteti atë po e tregon për çdo ditë.
Të kota ishin apelet e heshtura dhe publike të tij ndaj të gjitha këtyre dukurive të shëmtuara në katrahurën urbane të Kosovës,interesat individuale ishin dhe si duket ende do të jenë më të rëndësishme se ato të përbashkëta. Janë këto dukuri të cilat ishte dashur të tejkalohen që në shekullin e kaluara e për fat të keq pjesa ma e madhe e shoqërisë kosovare ende i preferojmë vetëm për interesa të mjera personale. Koha i vërtetoi të gjitha parashikimet e errëta të profesorit të nderuar Bashkim Fehmiu. Ishte i indinjuar nga veprimet e jona ,posaçërisht pas vitit 1999. Më kanë treguar së shumë ka qenë i zhgënjyer në veprimet e pa përgjegjshme posaçërisht të kolegëve të profesionit - arkitektëve dhe të atyre që kanë vepruar në fushën e urbanistikës në të gjitha qytetet e Kosovës me theks të veçanet në kryeqytet Prishtinë.
Ishte arkitekti i parë shqiptar i Kosovës,rrjedhke nga një familje shumë e respektuar qytetare,djali i patriotit të madh Ibrahim Fehmiu,pas studimeve të arkitekturës u kthye në Kosovë edhe se kishte oferta joshëse nga jashtë. Ideali i tij ishte për të kontribuar sado pak në urbanistikën e qyteteve kosovare,idetë e tija progresive shpesh u keqkuptuan dhe u injoruan nga faktorët vendimmarrës në Kosovë. Ishte gjithnjë i pa kompromis dhe dinjitoz në qëndrimet e tija intelektuale dhe profesionale i qëndroi stoik atyre idealeve progresive me të cilët u frymëzua tërë jetën e tij kreative si projektant,profesor në universitet dhe këshillëdhënës në shumë projekte dhe takime. Ishte i indinjuar nga veprimet tona, posaçërisht pas vitit 1999.
I tillë ishte dhe shkoi në rrugën e pakthim me një brengë të thellë në veprimet e pa kontrolluara të shoqërisë kosovare në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanistik pasojat që të gjithë ne po i përjetojmë sot dhe do t’i ndiejnë edhe gjeneratat e ardhshme pasi këto veprime janë prezentë në të gjithë vendbanimet kosovare dhe janë të kapshme pasi vërehen. Vitet e fundit të jetës së tij u anatemua nga pjesa ma e madhe e bashkëmendimtarëve,në varfëri materiale por nuk i tradhtoi idealet e tija prej një intelektuali të madh dhe doajeni të arkitekturës së popullit Shqiptarë. Ishte synonim i qëndrueshmërisë intelektuale dhe profesionale.
Sot kur kujtojmë një vjetorin e të ikjes së tij nga jeta po vërejmë vlerat e tija të pa kontestueshme të një intelektuali të madh i cili padrejtësisht u injorua pik së pari nga “profesionistët e vetëquajtur”si dhe nga vendimmarrësit në Kosovë. Njerëz të kapacitete intelektuale dhe profesionale të tilla rrallë lindin dhe formësohen. Me keqardhje më duhet të konstatoi se në Kosovë pak gjë ka ndryshuar për të mirë në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës të cilat i njihte shumë mirë dhe iu përkushtua tërë jetës së tij kreative.
Janë momentet e fundit që kjo shoqëri së bashku me organet shtetërore të kthjellët dhe të vetëdijesohet së pa trajtimin profesional të gjitha problemeve hapësinore,urbane dhe arkitektonike nuk ka prosperitet zhvillimor dhe ardhmëri të Republikës së Kosovës.