E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton kundër Kinës e Rusisë: Të mos mbështesin al-Asad

Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton thotë se është “e patolerueshme” që Rusia dhe Kina të vazhdojnë të bllokojnë një zgjidhje paqësore për krizën e Sirisë duke mbështetur Presidentin Bashar al-Assad. Sipas Zërit të Amerikës, Sekretarja Clinton tha në një takim në Paris me pjesëmarrjen e qeverive, që mbështesin kundërshtarët e Assadit, se Kombet e Bashkuara duhet të imponojnë sanksione ekonomike kundër Damaskut.

Sekretarja Clinton thotë se nuk është e mjaftueshme që vendet që formojnë “Miqtë e Popullit Sirian” të mbështesin kundërshtarët kur Rusia dhe Kina pengojnë përparimin. Vazhdimisht Rusia dhe Kina, kanë vënë veton për të penguar masa më të rrepta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër Sirisë. Por ato kanë rënë dakord me autoritetin e një organizmi qeverisës tranzicioni për vendin, diçka që Sekretarja Clinton thotë se duhet të jetë pjesë e një rezolute të re që parashikon zbatimin e një plani paqeje të OKB-së dhe Lidhjes Arabe.
 

Zyrtarë të lartë amerikanë, thonë se rezoluta nuk do të përfshijë angazhimin e trupave të OKB-së, por do të përqendrohet tek sanksionet ekonomike ndërkombëtare. Entuziazmi i mëparshëm për embargon e armëve po venitet mes pikëpyetjeve për respektimin e një mase të tillë nga Rusia dhe Irani si edhe shqetësimeve për pasojat e mundshme tek opozita e armatosur. Rusia dhe Kina nuk marrin pjesë në bisedimet e Parisit që përfshijnë përfaqësues nga rreth 100 vende, përfshirë rreth 40 Ministra të jashtëm.
 

Që kur Rusia dhe Kina ranë dakord për një qeveri tranzicioni në një takim në Gjenevë javën e kaluar, ka pasur interpretime kundërthënëse nëse marrëveshja do të thotë që Presidenti Assad duhet të dorëzojë pushtetin. Kreu i misionit humanitar të OKB-së në Siri, general-major Robert Mood thotë se dhuna ka arritur nivele të pashembullta dhe duhet të vendoset një armëpushim në mënyrë që vëzhguesit e paarmatosur të rifillojnë misionin e tyre.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›