Çmimet e produkteve të importuara shënuan ulje në fund të 2024-ës,

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Çmimet e produkteve të importit shënuan ulje me 0,9% në tremujorin e katërt të vitit që lamë pas, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Referuar raportit të INSTAT-it, “Indeksi i çmimeve të importit”, publikuar sot, çmimet e mallrave të importuara që përdoren në industrinë përpunuese, e cila mban edhe peshën më të lartë të importeve në vend me rreth 93,5%, u ulën gjatë kësaj periudhe me 0,7%.
Brenda seksionit “industria përpunuese” ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktiviteteve “konfeksionimi i veshjeve’’ dhe “përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 2,3% secili.
Ulje me 5,2% shënuan edhe importet e energjisë elektrike dhe gazit.
Nga ana tjetër, çmimet e produkteve të metalit të fabrikuar, përveç makinerive dhe pajisjeve, shënuan rritje me 1,7%.

/a.f/r.e/