Coelho: ‘Uliksi’ është një marrëzi

Një prej shkrimtarëve më të popullarizuar të së sotmes, Paulo Coelho, ka sulmuar veprën klasike moderniste të James Joyce, “Uliksi” (1922), duke e cilësuar atë si një shembull të formalizmit të keq, shkruan gazeta britanike ‘The Guardian’.
Derisa në një bisedë për gazetën braziliane ‘Folha de Sao Paolo’ po i sqaronte arsyet e popullaritetit të tij, Coelho theksoi se, përkundër asaj që thonë kritikët, ai është një shkrimtar modern, megjithëse kjo s’do të thotë që edhe veprat e tij janë eksperimentale.
“Unë jam modern për shkak se arrij që e vështira të duket e lehtë, dhe në këtë mënyrë pastaj mund të komunikoj me gjithë botën”, tha Coelho.
Coelho konsideron se shkrimtarët modernë formën ia nënshtrojnë përmbajtjes, për shkak se synim kryesor kanë impresionimin e shkrimtarëve të tjerë, e jo të lexuesve.
“Njëri prej librave që gjithsesi shkaktoi dëmin më të madh është edhe ‘Uliksi’, i James Joyce. Ky libër përmban vetëm një stil të pastër. Në të s’ka asgjë tjetër. Është i zbrazët. Është një marrëzi”, sqaroi Coelho.
Ndryshe, romani “Uliksi”, i James Joyce, konsiderohet ndër kryeveprat e shekullit të 20.