E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa në mjegull

Ende mbetet e paqartë se me cilët futbollistë do ta nisë sezonin e ri skaudra e Besës. Krerët e klubit pejan ende nuk ia kanë dalë t’i bindin lojtarët e tyre të nënshkruajnë kontrata të reja, e sa për përforcime as që po u bie ndërmend. Trajneri Miftar Rama mbetet me shpresë që ekipin bardhekuq nuk do ta braktisin lojtarët e rëndësishëm si Krenar Vokshi, Fisnik e Florent Papuqi, Fisnik Gashi, Mensur Duraku e të tjerë, pa të cilët Besën do ta priste një aventurë shumë e vështirë.

Që nga paslufta, e po ashtu edhe në kampionatin e fundit, Besa ishte njëra prej skuadrave më stabile dhe më të forta në vend. Vazhdimisht e ka luajtur një rol të rëndësishëm në Superligë, të cilin rol e luajti edhe në edicionin e fundit, të cilin e përmbylli si e katërta.

Por, qëndrueshmëria e ekipit pejan ka filluar të dobësohet seriozisht gjatë kësaj vere. Shkaku i krizës financiare klubi kuqebardh është i vetmi në Superligë që deri më tani ende nuk e ka bërë asnjë përforcim.

Përkundrazi, udhëheqësit e klubit pejan do të ishin shumë të lumtur nëse nuk u ikin disa lojtarë të rëndësishëm, e sa për t’u përforcuar as që po u shkon mendja andej. Aktualisht shumë lojtarë të Besës janë pa kontrata, derisa buxheti i zbehtë i klubit ka bërë që ata të hezitojnë të nënshkruajnë kontrata të reja.

Kështu që në adresat e lojtarëve kyçë të Besës, si Krenar Vokshit, Fisnik Papuqit, Florent Papuqit, Fisnik Gashit, Mensur Durakut, Valmir Bytyçit e të tjerëve kanë ardhur oferta nga klubet e tjera të Superligës, andaj ata tani po e mendojnë largimin.

Ndërsa, trajneri i pejanëve, Miftar Rama po lutet që ata lojtarë mos ta braktisin skuadrën, sepse në të kundërtën, ‘vaj halli’ për Besën.

“Klubi është i gatshëm t’ua jap pagat në çdo muaj, e po ashtu premitë. Por, nuk po mund t’ua jap paratë për kontrata, të cilat po i kërkojnë futbollistët. Ka mbetur që të fund të kësaj jave klubi t’i njoftoj përfundimisht lojtarët se a mund a po jo t’ua jap ato para. Më pas vendosin vetë lojtarët për të qëndruar apo për të shkuar nga Besa”, deklaroi Rama.

Andaj, sot për sot ai nuk është në gjendje të flas për qëllimet e Besës në edicionin e ri, që nis më 22 korrik.

“Varët nga fondi i lojtarëve. Nëse mbetet ky fond i lojtarëve, atëherë mesi i tabelës do të jetë synimi ynë, apo ndoshta edhe ndonjë pozitë më e mirë. Nga 10 korriku i kemi nisur stërvitjet. Jemi të kompletuar dhe gjithçka po shkon mirë. Por, edhe nëse largohen lojtarët, unë jam optimist se statusi i anëtarit të Superligës Besës nuk do t’i rrezikohet”, shtoi Rama.

Ai theksoi se nuk do t’i mbetet hatri nëse kryesia e klubit nuk ia sjell asnjë përforcim gjatë kësaj vere, vetëm e vetëm që lojtarët aktualë mos t’i ikin kampionit të trefishtë të Kosovës në periudhën e pasluftës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›