Conference League, Rinasi thyen rekordet

Finalja e edicionit të parë dhe historik të Ligës së Konferencës, që u mbajt në kryeqytetit shqiptar, solli një sërë risish për Shqipërinë, duke vendosur njëkohësisht edhe një sërë rekordesh të reja. Dhe një nga shtyllat e suksesit ka qenë edhe Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i Tiranës, i cili ka mirëpritur rreth 55 mijë pasagjerë dhe 465 fluturime nga data 24 deri në 26 maj. Ndërkohë, duhet thkesuar se dita e 25 majit ka qenë rekord për historinë e aeroportit më të madh në vend, me 168 fluturime.
“Përgëzoj stafin tonë për punën e shkëlqyer dhe falënderime të përzemërta të gjithëve për përkushtimin, dedikimin dhe për shërbimin miqësor ndaj pasagjerëve tanë”, – ka deklaruar Drejtori Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i Tiranës, Dr. Konstantin von Alvensleben, nëpërmjet një deklarate të shkurtër për shtyp të shpërndarë të shtunën.
“Ky mision do të kishte qenë i pamundur, pa partnerët tanë, prandaj mirënjohje “Albcontrol”-it, Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Policisë së Shtetit, me të cilët bashkëpunimi ka qenë i pandërprerë dhe efikas, – ka vijuar më tej von Alvensleben, i cili në mbyllje ka theksuar: “Ka qenë një javë të pabesueshme dhe jemi shumë të lumtur që e kaluam sfidën e Ligës së Konferencës me një sukses të madh”.