E Shtunë, 31 Tetor 2026

Continuitá e Deviazioni (Vijime dhe Devijime)


Ekspozita, që me sa duket fare aksidentalisht mban titullin e filmit të regjisorit gjerman Wim Wenders-it "Faraway, So Close!" është e ndërtuar mbi vepra të realizuara në dy kohë të ndryshme. Ajo shqyrton dhe eksploron ndryshimet, pse jo edhe vazhdimësitë, në rast se ekzistojnë, ndërmjet këtyre dy kohëve, të shkuarës dhe të tashmes, shenjat e tyre, ikonologjinë e një sistemi, apo simptomat e një krize, nëpërmjet analizës krahasimore të produktit artistik të prodhuar në një vend ende pak të njohur, Shqipërisë. Vepra që vihen përballë njëra-tjetrës fillojnë e shfaqin problematikën e një vendi evropian në një fazë integrimi, progresiv por jo të lehtë, mbetur për një kohë të gjatë i veçuar nga pjesa tjetër e kontinentit dhe harruar nga bota në izolimin e tij. Ekspozita, që në një kuptim mund të konsiderohet si historike, kërkon thuajse me një qasje dokumentareske të eksplorojë ndryshimet e mjedisit politik dhe kulturor dhe njëkohësisht edhe rolin e artistit në shoqërinë Shqiptare. Ajo, nuk është e bazuar mbi një temë të caktuar por është ndërtuar mbi vepra të krijuara në dy periudha të ndryshme. Marrëdhënia destrukturuese që ngrihet mes veprave të së kaluarës dhe veprave të sotme është në fakt aksi konceptual i kësaj ekspozite, ndërsa problematikat që punët bashkëkohore trajtojnë janë të ndryshme dhe komplekse, me disa nivele leximi, duke krijuar kështu një imazh shëtitës që përbën në vetvete një lloj eksplorimi në kulturën por edhe në historinë e kaluar dhe të sotme të Shqipërisë.

Pikturat e së shkuarës janë pjesë e koleksionit të Realizmit Socialist të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe janë produkte të një arti të kontrolluar e dogmatik, me tema të paradhëna dhe të përcaktuara me përpikmëri nga sistemi politik i kohës. Ato janë realizuar nga autorë të ndryshëm përgjatë viteve 1945-1985. Karakteristikë e këtyre veprave janë subjektet e ndërtimit të socializmit në Shqipëri. Kantieret e punës, fabrikat dhe kombinatet, parakalime festive popullore ku shquhen portretet e udhëheqësve të internacionales proletare, spiker partizanë etj., janë ambientet dhe personazhet që përbëjnë sfondin e këtyre tablove. Njeriu i ri është në qendër të këtyre tablove dhe këtij arti. Ai mund të jetë një punëtor i thjeshtë, ushtar që mbron vendin e tij, fshatar që punon për kooperativën, aktivist politik, femër e emancipuar politikisht, i ri i devotshëm, fëmijë i lumtur në një vend të begatë, tërë enturazhi karakterial i domosdoshëm për një shoqëri socialiste. Arti i Realizmit Socialist është art i një realiteti të rremë dhe të sipërfaqshëm i cili ushqehet me ide nga politika dhe i shërben asaj, duke krijuar parulla vizuale që himnizojnë pushtetin.

Veprat e artistëve bashkëkohorë nuk marrin asnjë nxitje nga tablotë e Realizmit Socialist, ato reflektojnë momentin historik që po kalon shoqëria Shqiptare, por pa rënë në ndonjë lloj angazhimi kolektiv apo unifikimi tematik, por duke i qëndruar besnik vëzhgimit dhe këndvështrimit personal. Në rast të një paralelizmi krahasues ndërmjet këtyre dy periudhave do të shfaqet qartësisht zhvendosja historike që ka pësuar arti dhe mjedisi shoqëror në Shqipëri. Veprat e artistëve bashkëkohorë, kryesisht të këtyre viteve të fundit, janë vepra që hedhin dyshime, ngrenë pyetje, ironizojnë, dokumentojnë një realitet të hidhur, përpiqen të hyjnë në psikikën e errët të individit.

Padyshim e kaluara risillet shpesh për të kuptuar të tashmen ashtu si shpesh herë utopia duket si zgjidhja e vetme përballë së ardhmes jo shumë optimiste. Janë të pranishme në këtë ekspozitë punë nga një gjeneratë artistësh të njohur të skenës aktuale të artit bashkëkohor në Shqipëri: Gentian Shkurti, Orion Shima, Alvas Papandili, Elsa Martini, Suela Qoshja, Eltjon Valle, Heldi Pema, Oriana Kamberi, Lekë Tasi. Hetimi i së përditshmes, në të gjitha aspektet e saj, roli i medias në shoqërinë e sotme, hulumtimi i pozicionit të artistit bashkëkohor, dëshira për t'iu vjedhur realitetit, janë disa nga elementet që hasen në punët e tyre. Po ashtu ato reflektojnë një frymë kriticizmi ndaj tranzicionit apo integrimit historik, frymë e cila shfaqet më tepër nëpërmjet shprehjes së groteskut sesa qëndrimit serioz përballë një realiteti të vështirë.

Këto punë që përfshijnë teknika që nga piktura, fotografia, video, instalacioni, krejt natyrshëm kur vendosen para veprave të Realizmit Socialist luajnë rolin e çmontuesit të këtyre të fundit. Pikturat dogmatike rrënohen, shpërbëhen nga prania e veprave bashkëkohore. Në këtë marrëdhënie individi - klishe i së kaluarës do të përballet me njeriun kompleks të shtresëzuar të së sotmes. Utopia kolektive e së shkuarës do të përballet me utopinë individuale të së sotmes. Ëndrrat e programuara të shoqërisë së djeshme do të përballen me subkoshiencën e individit të sotëm. Ekonomia butaforike socialiste me mbinjeriun në qendër, përballet me karrocat e shitjeve ambulante që tërhiqen nga qentë, seri pikturash me autor Shpëtim Kërçovën që i referohen një ekonomie të vogël që me sa duket zë fill nga hiçi i së sotmes.

Optimizmi fals i së djeshmes përplaset me mesazhin meditativ që shfaqet vetëm si hije e projektuar në dysheme nga shkrimi "Too late" që është i montuar mbi tarracën e një godine, video me autor Driant Zenelin. Ka diçka në historinë politike e shoqërore Shqiptare që është e lidhur me konceptin e vonesës: vonesa, konstante e pandryshueshme e të gjitha zhvillimeve në ambientet shqiptare; vonesë në mospërputhjen e planeve apo projekteve me atë që ndodh realisht me zhvillimin në botën tonë.

Një vajzë e vogël që tregon një vizatim të sajin, figurën e partizanit me pushkën në dorë, të shenjtin mbrojtës të lumturisë dhe begatisë socialiste. Një pikturë që shfaq dukshëm aspektin e përçimit të ideologjisë deri tek qeniet më të reja të shoqërisë dhe indoktrinimit të tyre - në një dialog/ kundërvënie ideale me punën e artistit Alban Hajdinaj, video në dy pjesë, me protagoniste dy vajza të vogla që janë filmuar ndërsa shfletojnë një album me figura të kampionëve të një sporti tipik amerikan: wrestling, dhe më pas recitojnë në arabisht, përmendësh, vargje nga Kurani, doemos pa e ditur kuptimin e tyre. Një punë që nxjerr në pah në mënyrë mjaft efikase situatën aktuale shqiptare, të hapur ndaj tregut publicitar dhe ndaj ndikimeve dhe modeleve amerikane, si dhe asaj çka mbetet nga zakonet shekullore të praktikës fetare myslimane.
Një pikturë nga koleksioni i Galerisë Kombëtare që paraqet një parakalim standard në ditën e 1 Majit, ku skematizmi shumues i katrorëve të njerëzve që mbajnë në duar flamuj të kuq duket sikur nuk do të mbarojë kurrë.

Në sfond, një godinë në ndërtim e sipër, simbol i procesit të ndërtimit të socializmit, versus series së pikturave me titull "Pasi njeriu u largua" të artistit Idlir Koka i cili dokumenton braktisjen dhe rrënimin gradual të ndërtesave më të famshme gjatë regjimit socialist, duke ndërtuar një imagjinatë të gjallimit të xhunglës dhe popullimit me kafshë ekzotike në to. Hotele, kinema, stadiume të lëna pas dore në rrënimin natyral janë pjesë e peizazhit urban të Shqipërisë së sotme. Kohët e fundit disa syresh nga këto godina të zbrazura kanë filluar të gjallohen nga aktivitete artistike duke shënuar edhe ekspozita me kuratorë të huaj të befasuar dhe njëkohësisht të mahnitur nga tranzicioni politik dhe ekzotika orientale e ambientit shqiptar.
Një pikturë që paraqet një ambient tipik të vendit të punës ku një çift zë vendin kryesor në mes të tablosë. Një çift i ri, i bashkuar dhe me sa duket i dashuruar në atmosferën e punës socialiste - në një kundërvënie me punën e artistit Gentian Gjikopulli, një seri pikturash, të blera në pazar me një çmim fare të lirë mbi të cilat artisti ndërhyn duke pikturuar një çift të përqafuar që gjejnë strehë në këtë peizazh "ready made".

Një cikël punësh mbi kitsch-in dhe kulturën popullore që sundon shijet e periudhës passocialiste në Shqipëri. Çifti i pikturuar e singularizon panoramën standarde që prodhohet në seri dhe ka për destinacion tregun e lirë popullor duke u përshtatur mirë brenda saj. Artisti, si shumë prej artistëve të pranishëm, ironizon realitetin e krijuar dhe njëkohësisht manifeston ankthin përballë rrënimit kulturor që vjen pas përmbysjes së një sistemi ideologjiko-ekonomik dhe në të njëjtën kohë kërkon mundësi mbijetese në kushtet e krijuara.

Kurator


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›