Ministri Olldashi ironizon vizitën e deputetëve
Me një deklaratë ironike, ministri i Transportit, Olldashi, ka përshëndetur në emër të qeverisë dhe ministrisë që ai përfaqëson vizitën e deputetëve socialistë në tunelin e Thirrës. Në një deklaratë për shtyp ai është shprehur se përshendet opozitën që "më në fund vizitoi veprën më të madhe infrastrukturore në vend. Është shumë pozitiv fakti që, më në fund, edhe pse me dy vjet e gjysmë vonesë, Partia Socialiste vendosi të prezantohet me projektin më të madh infrastrukturor të vendit", u shpreh Olldashi. "Do të kishte qenë më mirë akoma sikur ekspeditën socialiste ta kishte udhëhequr vetë zoti Rama, por nga ana tjetër jam i bindur që numri i madh i deputetëve që morën pjesë në këtë rrugëtim është i mjaftueshëm për t'i përcjellë zotit Rama ndjesi veçanërisht pozitive, të cilat mund t'i shërbejnë për t'i larguar frikën nga tuneli", ka vijuar ministri i Transporteve.
Në të gjithë ironinë e përcjellë përmes deklaratës, nga ana e ministrit Olldashi nuk është dhënë asgjë lidhur me shifrat marramendëse të shpenzuara për këtë rrugë dhe as për deklaratat nga ana e firmës se tuneli nuk duhet të ishte hapur në kohë fushate. Nga ana e vet, Partia Socialiste ka reaguar duke u shprehur se ministri i Punëve Publike të familjes Berisha vijon t'i ikë detyrimit kushtetues e ligjor për informimin e publikut lidhur me shembjen e tunelit të Kalimashit. "Plaga e rëndë që korrupsioni ka hapur në atë rrugë as mund të mbulohet me gënjeshtra as mund të shërohet pa shkuar edhe Olldashi para drejtësisë bashkë me Bashën",- u shprehën burimet zyrtare të PS-së.