Ligji anti-mafia, prokurorët: Po abuzohet me qytetarin
Shoqata e Prokurorëve Shqiptarë është kundër ndryshimeve të projektligjit të ri "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar" i njohur ndryshe si drafti për anti-mafian
TIRANË- Shoqata e Prokurorëve Shqiptare është kundër ndryshimeve të projektligjit të ri "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar" i njohur ndryshe si drafti për anti - mafian. Kjo shoqatë e ka cilësuar projektligjin në fjalë, si një draft që del jashtë kompetencave ligjore të institucionit të akuzës. Kryetari i kësaj shoqate, prokurori Pehlivan Malaj ka kundërshtuar dje ndryshimet e bëra në projektligjin për anti-mafian ndryshime këto që, sipas tij, sjellin konfuzion në radhët e prokurorëve, për punën e akuzës. Sipas tij, këto ndryshime jo vetëm që nuk do të përmirësojnë punën e organeve kompetente për të zbatuar ligjin, por përkundrazi do të sjellin një konfuzion në punën e prokurorëve.
"Duke pasur një ligj të plotë, unë mendoj se shtesat që tentohen t'i bëhen këtij ligji më tepër do ta ngatërrojnë zbatimin e ligjit, për arsye se shtesat janë bërë në ato nene dhe paragrafë që japin kompetenca jo ligjore, organeve që ushtrojnë këtë të drejtë. Dhe zgjerojnë kuptimin e ligjit tej detyrave, që kishte vënë vetes ligji ekzistues", -tha kryetari i Shoqatës së Prokurorëve. Ndërkohë, në lidhje me faktin se "çdo personi mund t'i sekuestrohet e konfiskohet pasuria nëse konstatohet se ka një standard jetese që nuk justifikon atë pasuri", kreu i Shoqatës së Prokurorëve shprehet se, "gjithçka duhet të shkojë në kuadër të një hetimi dhe jo në kuadër të një konstatimi se ky person ka standard jetesë më të lartë se të ardhurat që ka deklaruar. Kjo duhet të funksionojë dhe të rregullohet vetëm në ato veprat që janë të parashikuara në ligjin ekzistues,"- tha Malaj në fjalën e tij.
Ai shtoi se, "do të abuzohet nga institucionet e ndryshme, pasi nuk mund t'i konfiskohet pasuria një shtetasi, që ka shmangur detyrimet tatimore apo doganore për të arritur një përfitim, që më pas nuk e justifikon dhe të akuzohet sikur i ka fituar nga pjesëmarrja e tij në ndonjë organizatë kriminale, apo krim të organizuar". Pak ditë më parë edhe prokurorë të tjerë kanë reaguar duke kundërshtuar këtë draft-ligjor. "Në asnjë vend të botës, nuk ka një organ shtetëror që heton këdo në shtetin e tij se si i ka vënë paratë apo ku i ka gjetur veshjet e shtrenjta.
Është e drejtë ligjore që kjo të ndodhë në kuadrin e një hetimi mbi krimin e organizuar, i cili kërkon mjete represive për t'u luftuar",- u shprehën prokurorët. Sipas tyre, me këtë ligj, i lihet shteg arbitraritetit të çdo nëpunësi që të hetojë këdo dhe kurdo dhe nuk ka rëndësi nëse ka dyshime apo hetohesh për ndonjë krim. Prokurorët e konsiderojnë si rast unik në botë parashikimin që organi i akuzës të hetojë pasuritë e qytetarëve, rregullim ky që ata pretendojnë se bie ndesh me Kushtetutën pasi është jashtë detyrave, që ajo i ngarkon Prokurorisë, e cila angazhohet vetëm në rastet e ndjekjeve penale.