E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cooper: Lëvizja e lirë, lajm i mirë për të gjithë

"Zbatimi marrëveshjes për lëvizje të lirë u mundëson qytetarëve të udhëtojnë lirshëm, proçes ky që ndihmon në përmirësimin e jetës së tyre", tha ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper.
Në një njoftim për shtyp Cooper thekson se qytetarët tani do të kenë mundësi të udhëtojnë me dokumente identifikimi në ose përmes territorit të palës tjetër.
 

Në pikëkalim, ata do tëpajisen me një dokument hyrës-dalës. Skema e re fillimisht do të zbatohet në pikëkalimet Jarinjë-Rudnicë, Merdarë, dhe Depce-Muçibabë.
“Gradualisht, kjo skemë dotë aplikohet edhe në të gjitha kalimet e tjera. Sa i përket udhëtimit në destinacionin e tretë, fillimisht dy kalime, një midis Serbisë dhe Hungarisë (Horgosh) dhe tjetri midis Serbisë dhe Kroacisë (Batrovci) do të hapen për hyrje-dalje nga Serbia. Gradualisht, të gjitha kalimet e tjera do të jenë të hapura për udhëtim”, thuhet në njoftim.
 

Gjithashtu mësohet se veturat me targa të Serbisë lëshuar për banorët me banim në Serbi dhe veturat me targa KS lëshuar në Kosovë do të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm në ose përmes territorit të palës tjetër.
 

Skema e sigurimit kufitarë do të aplikohet në të dyja anët dhe pagesa e sigurimit do të jetë në përputhje me listën e çmimeve të skemave përkatëse të aplikueshme të sigurimit, ndërkaq për personat që udhëtojnë me targa të automjeteve RKS do të jepen targa të përkohshme në pikëkalime.
“Lajmi që njerëzit kanë mundësi të udhëtojnë lirshëm ose përmes territorit të tjetrit është në të mirë të gjithë popullsisë. Ky është dhe qëllimi kryesor është për të cilën ka nisur dialogu.Për më tepër, lëvizja e lirë është parim themelor i Bashkimit Evropian, kështu që hapat në drejtim të lëvizjes së lirë e bëjnë Ballkanin si një tërësi në zonën evropiane. Nga kjo do të përfitojnë të gjithë ata që e shohin të ardhmen ne Bashkimin Evropian”, përfundon njoftimi i Robert Cooper.
 

Në këtë kontekst, BE përsërit nevojën e heqjes së barrikadave pa kushte dhe për të gjithë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›