Cooper: Raundi i ardhshëm i bisedimeve, në fund të qershorit

I dërguari i Bashkimit Evropian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper ka vendosur që raundi i ardhshëm i bisedimeve të mbahet në fund të qershorit.
Ky raund ishte menduar që të mbahej në mesin e muajit qershor, por sipas tyre kjo shtyrje ka për qëllim që palëve t`u jepet kohë për një marrëveshje të mundshme.
Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Maja Kocijancic ka thënë se Cooper ka vlerësuar, se palëve u duhet dhënë më shumë kohë për t`u përgatitur para nënshkrimit të marrëveshjeve të para.
Zyrtarët e BE-së në Bruksel kanë thënë se Cooper ka vendosur që të ndërrojë datën e raundit të ri dhe se nuk mund të komentojnë mbi deklaratën e shefes së ekipit kosovar të negociatave, Edita Tahiri, se pala serbe ka kërkuar shtyrjen.