Cooper anulon vizitën në Prishtinë, shkak moti i keq

Ndërmjetësi i BE-së në dialogun teknik Kosovë-Serbi Robert Cooper ka anuluar vizitën në Prishtinë për shkak reshjeve të mëdha të borës.
Cooper, një ditë më parë, ka qenë në Beograd, për të biseduar me shefin e delegacionit serb në dialog, Borisllav Stefanoviç.
Mësohet se ky i fundit i ka propozuar ndërmjetësit evropian disa propozime për përfaqësimin rajonal të Kosovës, që, sipas tij, janë në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së.
Dëbora që ka rënë ditë e fundit ka vështirësuar jashtëzakonisht shumë qarkullimin e automjeteve nëpër rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës. Nga të gjitha rrugët nacionale, gjendja më e vështirë është ajo në rrugën që lidh Kosovën me Malin e Zi.
Policia e rajonit të Pejës në paraditen e së mërkurës ka ndaluar qarkullimin e automjeteve në këtë rrugë, nën arsyetimin se aksi rrugor në territorin malazez është i pakalueshëm.