E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rrëzohet” ligji për lustracionin në Maqedoni

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e procesit të lustracionit, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, partitë në Maqedoni kanë paralajmëruar një nismë të re për ndryshime në këtë ligj të diskutueshëm.

Nga partia e kryemistrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, thanë se “nuk janë të befasuar nga një vendim i tillë, duke marrë parasysh kundërshtimin e procesit të lustracionit nga ish-funksionarë dhe struktura të ndryshme të ish-regjimit komunist”.

Partitë në pushtet thanë se ky proces nuk do të ndalet dhe se për miratimin e ndryshimeve të reja, kanë shumicën e nevojshme në Kuvend.

Ndryshe, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ndalon procedurën e lustracionit për ish-funksionarët, gazetarët, OJQ-të, avokatët, por jo edhe për funksionarët aktualë.

Gjykata ka konstatuar se procedura e lustracionit, siç është duke u zhvilluar, shkel dinjitetin dhe integritetin moral të këtyre kategorive.

Kushtetuesja ka miratuar edhe masën kohore për ndaliminn e 13 neneve të Ligjit të lustracionit, përkatësisht hapjen e dosjeve.

Komisioni për verifikimin e fakteve, gjatë punës së deritanishme, ka shpallur bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete disa ish-funskionarë të lartë, përfshirë edhe ish kreun e Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›