E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët kundër referendumit për ndarjen e veriut të Kosovës

Drejtuesit e Lëvizjes për Rimëkëmbjen Serbe (SPO) për Kosovë janë shprehur publikisht kundër mbajtjes së referendumit në katër komunat serbe të veriut të Kosovës. Ata janë shprehur edhe kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë.

Përfaqësuesit e kësaj partie kanë shprehur këto qëndrime, gjatë një konference për shtyp, të mbajtur në Qendrën Mediale në Çagllavicë, ku e kanë cilësuar si veprim të guximshëm kundërshtimin e mbajtjes së referendumit në katër komunat serbe të veriut të Kosovës.

Rangjel Nojkiç, i cili është paraqitur si anëtar dhe zëdhënës i kësaj partie, ka deklaruar se ky subjekt politik kundërshton referendumin dhe çfarëdo forme që është planifikuar të mbahet. Këto plane sipas tij janë “ideologji e viteve të 90-të”. Ai ka saktësuar se disa serbë të veriut të Kosovës përmes këtij referendumi po përpiqen të ndajnë veriun e vendit, me qëllim që pastaj atë t`ia bashkojnë Serbisë.

“Kjo për ne është e papranueshme, sepse dëmton rëndë interesat e serbëve të tjerë të Kosovës, të cilët si një komunitet i vetëm nuk duhet të ndahen në serbë të veriut dhe të jugut”, është shprehur Nojkiç.

Ai gjithashtu ka nënvizuar se koncepti i ndarjes së veriut të Kosovës dhe bashkimi me Serbinë po pranohet edhe nga disa grupime në Beograd.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›