E Shtunë, 31 Tetor 2026

Copëza Kroacie në Tiranë

Thonë se fotografitë e tij këndojnë. E ndoshta është e vërtetë kjo, këndojnë sepse dora që shkrep vazhdon të jetë e fotografuar me të. Një dashuri që ka nisur herët, që kur ai ishte ende një 16-vjeçar. Për fotografin kroat, Ivo Pervan, natyra ishte në qendër të vëmendjes, njerëzit e monumentet e kulturës gjithashtu. E kështu ndodh akoma. Vendi i tij, Kroacia, i ofronte gjithçka të bukur e magjike për ta ruajtur pas shkrepjeve të tij. Kështu nisi shkrepjet e para, modeste fillimisht, derisa në vitin 1980, mori statusin e fotografit profesionist. Duke nisur prej vitit 1990 punon në mënyrë të pavarur. Ivo Pervan, është fotografi i Kroacisë. Një herë, e përditshmja "The Sunday Times", shkroi: "Fjalët nuk janë të mjaftueshme për të përshkruar talentin e Ivo Pervan. Secila prej fotografive të tij flet vetë, prej thellësisë së shpirtit kroat...". E këtë magji të shpirtit kroat, publiku shqiptar do të ketë mundësi ta prekë nëpërmjet fotografive të Pervanit, të cilat do të ekspozohen në Galerinë Kombëtare të Arteve duke nisur prej ditës së premte në datën 6 shkurt në ekspozitën e titulluar "Ngjyra nga Kroacia".

E nëse fotoja është më e fortë se fjala, atëherë ajo flet në të gjitha gjuhët, e nëse arrin të komunikojë në të gjitha gjuhët, me siguri që flet edhe në shqip, e kështu shumë ka për t‘i thënë edhe dashamirësve e pasionantëve të fotografisë në Tiranë. E kështu, e vërtetë është se fotoja na bën më të afërt, pavarësisht komunikimit të heshtur mes saj e vëzhguesit. Fotografia është krijim i njeriut i cili duke kapur imazhe, e përjetëson atë që nuk është më. Fotografët janë artistë të vëzhgimit, fotografët janë gjithnjë në pritje. Kështu ndihet edhe Ivo Pervan. Që lindi në vitin 1947 në Spalato në një fshat kroat po kaq magjik. Kanë kaluar kohë që kur Pervan realizoi fotografinë e parë të tij. që nga ajo kohë, ai është gjithnjë në kërkim të një imazhi ideal të peizazhit kroat i cili të veprojë si motor i forcës së tij krijuese. Nga ky kërkim, nga ky hulumtim i përhershëm lind një galeri e pasur me ngjyra të ndezura, prej natyrës së paparashikueshme, prej detit e deri te sfumaturat delikate të tij. Ivo Pervan, i cili do të vizitojë Shqipërinë së bashku me ekspozitën e tij, është shtatë herë fitues nëpër ekspozita ndërkombëtare. Ndërkaq, ai është autor i 17 monografive dhe bashkautor i 60-të të tjerave. Me fotografitë e tij, Pervan e ka bërë të famshme Kroacinë. Gjithnjë ka fotografuar më të bukurën e vendit të tij. Fotografitë e Ivo Pervan dominojnë mbi kalimin e kohës, ato posedojnë një forcë magjike, ndonjëherë edhe të çuditshme. Syri i spektatorit ndalet në perëndimin e diellit, mbi dëborë, mbi burime ujërash, mbi qëndismat e formuara prej gëmushave apo grumbujve prej gjetheve të rëna... Natyra është pjesë e krijimtarisë së tij, e bukura e thërret ngaherë. Në peizazhet e fotografit kroat, vështirë se mund të largosh vështrimin. Gjithçka të dashur prej natyrës kroate e gjen aty, edhe detaji nuk i shpëton objektivit të fotografit.

Fytyra e Kroacisë e sjellë prej objektivit të Pervan, janë portat karakteristike, ndërsa sytë e saj, janë dritaret me shkëlqimin fisnik të shtëpive aristokrate. Në fund të kornizave të xhamta, lulet, si buzë të kuqe, dërgojnë aromën prej vazove të tyre të gdhendura me kokë luanësh. Kështu manifestohen edhe rrugët e Lastovo-s kur maskat e karnavaleve zgjojnë ishullin e përgjumur e kur nisin të lëvizin krijesat e maskuara: harmonia e bardhë e gurit, e gjithçka e mundshme në atë peizazh, përmblidhet në një imazh të vetëm - fotografia e Ivo Pervan. Kroacia e tij ka një veshje me lule lejla prej livandës nga ishulli Hvar...

Po njerëzit, a janë ata pjesë e imazheve të tij apo janë ata që i krijojnë ato? Pervan zgjedh ata njerëz që ndiejnë tokën, në duart e të cilëve rrotullohet bollëku i frutave. Duart e tyre dinë si të ndërtojnë një barkë, si të bëjnë djathë. Njerëzit e fotografive të tij janë fshatarët, të cilët në mëngjes shkojnë të mjelin lopën, e mbrëmjeve rendin të hedhin rrjetat në det, e që më pas të mbledhur të gjithë përreth tavolinës së ngrënies, nisin të rrëfejnë histori të së shkuarës ndërsa mbathin çorape të leshta, ndërsa gratë mbajnë në përparëse bukën e rrumbullakët e të nxehtë. Gjithçka në fotografitë e tij e ka një përse: forma e zgjedhjes, ndjesia e ngjyra - gjithçka sjell në vëmendje Kroacinë, ngado gjen gjurmë të saj. Vendi vjen nëpërmjet syve të Ivo Pervan, Kroacia rrëfehet ashtu e bukur në thjeshtësinë dhe natyralitetin e variacioneve që ofron.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›