"Koha e Kometës", në Beograd
Regjisori Fatmir Koçi do të marrë pjesë në Festivalin e 37-të të Filmit në Beograd me filmin e tij më të ri "Koha e kometës". Filmi shqiptar do të jetë pjesëmarrës në Festivalin e Filmit në Beograd ku konkurrojnë filma nga 9 vende të ndryshme të botës, ndër të cilët dhe filma që kandidojnë për çmime "Oscar" apo "Golden Globe". Festivali pritet të nisë më 20 shkurt, ndërsa konkurrimi i filmave do të zgjasë deri më 1 mars. "Koha e kometës" e regjisorit Fatmir Koçi, është mbështetur në novelën "Viti i mbrapshtë" i shkrimtarit të shquar, Ismail Kadare. Në të interpretojnë një kastë aktorësh të zgjedhur si Blerim Destani, Luan Jahja, Xhevdet Ferri, Marsela Lusha etj. Filmi trajton temën e viteve të turbullta pas pavarësisë së Shqipërisë. Shestani, një djalosh nga Shqipëria Juglindore, dashurohet në Agnesën, një vajzë të cilën babai e detyron të bëhet murgeshë. Në produksionin e filmit ka marrë pjesë firma gjermane "Lara Enterprises", me producent boshnjak, ndërsa drejtor i fotografisë është irlandezi Donal Giljan. Filmi është xhiruar në Maqedoni dhe në të kanë interpretuar edhe aktorë maqedonas si Naomi Valeska. "Koha e kometës" u shfaq premierë më 23 gusht 2008 në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës.