Copëza dimri nga Jugu
Ky është një shkrim mbi disa prej ditëve më të çuditshme të vitit. Mbi ato ditë që ndahen mes troshitjes së festës së Vitit të Ri të porsakaluar, mes bilanceve të një viti që porsa kemi lënë pas dhe mes hamendjeve për ditët që presim të kalojmë këtë vit. Janë ditët kur njerëzia janë ca si të hallakatur. Tani hareja e festës ka mbetur larg. Era e thartë e barutit të fishekzjarrëve është harruar. Copat më të fundit të gjelit të detit kanë nisur të zhduken nga tavolinat. Mbeten vetëm rrugët gjysmëbosh, ndonjë kalimtar që ende vazhdon të kryejë me vendosmëri zakonin e vjetër të "të bërit këmbë" për Vit të Ri dhe një lloj përgjumjeje, e paevitueshme pas çdo feste të madhe. Vetëm disa gjëra nuk bëjnë pushim këto ditë. Shiu, dëbora, stuhia, lumenjtë që fryhen nuk para pyesin fort për gjëra të tilla pa rëndësi sikurse janë datat. Pikërisht në këto ditë ne kemi udhëtuar drejt disa qendrave të Jugut tonë.
1 janar 2009, Tiranë-Gjirokastër
Eshtë mëngjes herët në Tiranë, diku andej nga Rruga e Durrësit. Kamerieri i lokalit, ku duhet pirë kafja e pashmangshme e mëngjesit, mezi qëndron në këmbë. Vitin e Ri e ka kaluar këtu, në punë, mes rrëmujës së festuesve. Çuditemi ca me çmimin e dyfishuar të kafesë. Kamerieri ngre supet: "Këto çmime kanë mbetur që mbrëmë në kompjuter, nuk e kam unë në dorë!". Kafja me çmim të dyfishuar është një ndër shenjat e shumta të festës që porsa ka kaluar sikurse edhe copëza fishekzjarrësh, një erë e fortë baruti dhe ndonjë i ri që kthehet në shtëpi me kapelen e plakut të Vitit të Ri ende mbi krye. Viti i Ri ende nuk ka ikur plotësisht. Mbi rrugë tek-tuk kalon ndonjë makinë e rrallë. "Nuk qenkemi vetëm ne të marrë që udhëtojmë në këtë ditë", qetëson veten njëri prej nesh. Një polic, që me sa duket porsa ka marrë turnin e tij, bënë shëtitje me motor. Ende nuk i ka filluar ajo puna e rëndë e ditëve të zakonshme.
Diku afër Ndroqit bëjmë kujdes. Një pellg i madh, i ngrirë është shtrirë për disa metra rrugë. Akulli na kujton se jemi duke udhëtuar në zemër të dimrit, që këtë vit ka vendosur vërtet t‘i nxjerrë dhëmbët dhe të mos pyesë fare për ngrohjen globale. Në afërsi të Durrësit makinat shtohen disi, sidomos ato që dalin nga Tirana në drejtim të Jugut. Shumë prej tyre transportojnë djem të rinj. Janë festuesit e një nate më parë. Më e dalluara prej tyre është një "Mercedes" me targa të Tepelenës. Makina e stërmbushur me djem të rinj duket sikur ka hyrë në garë me të tjerat. Me shpejtësi të paparë i kalon makinat që ka para fët e fët dhe pastaj nuk e shohim më. Urojmë që të mos e shohim në lajme.
Në Rrogozhinë mungojnë shitësit e njohur të karotave. Vetëm andej nga fundi i rreshtit të barangave një plak ka nisur të ndezë zjarrin që do ta ngrohë deri vonë në mbrëmje. Në rrethrrotullimet e rrugës që të çon në Lushnjë kanë nisur të dalin furgonat e parë. Pleq, plaka, gra me fëmijë, mërdhijnë teksa shoferët bëjnë gati makinat e tyre. Një erë e thëllimtë ka ardhur bashkë me mëngjesin dhe njerëzit duken të tkurrur e të lodhur nga festa e gjatë e një nate më parë. Në Fier arrijmë në orët e paradites. Qyteti duket krejt i përgjumur. Vetëm në një lokal të madh në qendër dallojmë gjallëri. Lokali është i stërmbushur. Na duket sikur i gjithë Fieri befas ka zbrazur rrugët dhe është futur në këtë sallë të madhe. Të gjithë janë meshkuj të të gjitha moshave. Mezi arrijmë të dallojmë në skajin më të fundit siluetën e një femre.
Deri në Tepelenë udhëtojmë së bashku me një karvan të gjatë makinash me targa greke. Janë emigrantët e parë që kthehen për në punët e tyre. Në Tepelenë njerëzia janë mbledhur atje ku nisen furgonat. Të gjithë janë mbështjellë fort me shalla e xhupa të rëndë për t‘u mbrojtur nga era e thëllimtë që sjell lugina e Vjosës. Vetëm Ali Pashai i bronztë duket se nuk e çan më fort kokën për ndryshimin e stinëve. Që larg shohim malet e mbuluara me dëborë. Trebeshina, Dhëmbeli, Lunxhëria të gjitha kanë vënë "kapuçat e bardhë" mbi krye. Dhe kështu, të rrethuar nga një panoramë krejt e bardhë, ca nga dëbora e maleve dhe ca nga mjegulla, arrijmë në Gjirokastër andej nga orët e drekës. Qytetin e gjejmë të rrethuar nga një tis dëbore. Gjirokastra e ka përherë atë "magjinë" e saj, porse e rrethuar nga dëbora na duket edhe më e bukur se herët e tjera. Nëpër rrugë kalojnë vetëm pak kalimtarë. Rrimë e sodisim një copë herë shtëpitë e vjetra të rrethuara nga e bardha. Një amvisë ka nderur çarçafët që në ditën e parë të vitit. E bardha e tyre bën garë me dëborën, madje çarçafët e gjirokastrites na duken shumë herë më të bardhë se vetë dëbora. Në këto anë bardhësia e tyre është një gjë fort e rëndësishme. Ajo ka të bëjë me vetë namin e familjes.
"Po ç‘ke kështu more Lushi? Eshtë, apo nuk është festë?", e pyesim Engjëll Serjanin, shokun tonë të vjetër, teksa e shohim të mërzitur. "E ç‘festë kemi more, kjo punë nisi ters që në fillim - psherëtin Lushi - një herë u mërzita me atë punën e ndarjes së ndihmave për banorët e pallatit të shembur. Ishin qesharake dhe ofenduese. Pastaj natën e Vitit të Ri nuk kishim fare drita. E imagjinoni pak se si u ndien fëmijët ndërsa rrinim në errësirë e të ftohtë duke pritur 2009?". Në darkë mblidhemi te Lushi. Dritat kanë ardhur. Eshtë Viti i Ri i vërtetë, për ata dhe për ne.
2 janar 2009, Gjirokastër-Përmet
Në një si lloj tuneli poshtë një pallati të ri në "18 Shtatori" një plak e ka hapur "dyqanin" e tij. Ai është lustraxhi. Pret me durim duke shikuar kalimtarët e pakët nga këmbët se mbase ndokujt do t‘i shkojë mendja të pastrojë ca këpucët e tij. Por askush nuk ndalon dhe kështu, plaku se ku shkon e gjen një këpucë të vetme dhe nis ta lustrojë me përkushtim. Festa për të ka mbaruar prej kohësh. Ne marrim udhën për në Përmet. Dëbora mbi Gjirokastër ka nisur të shkrijë, kurse malet rreth e rrotull nesh tani janë rrethuar nga disa re të rënda që varen deri poshtë, deri fare pranë rrugës Gjirokastër-Përmet. Drino ka përmbytur fushat që shtrihen në krah të tij. Ca më tej do të hasim Vjosën. Nuk është më ai lumi i kaltër, që rrjedh paqësisht nga malet drejt fushës, tani është një gjigant i kafenjtë dhe i murrëtyer që merr përpara çfarë të gjejë. Ecim përgjatë rrjedhës së saj derisa mbërrijmë në Përmet. Këtu bëjmë mund që të shohim ndonjë figurë njerëzore. Sikur të mos ishin oxhaqet që tymosin do të mendonim se jemi në një qytet të pabanuar. Porse poshtë shtëpive përmetare gëlon jeta. Në ditën e dytë të Vitit të Ri, përmetarët vazhdojnë atë traditën e vjetër të të shkuarit te njëri-tjetri.
Portreti i Kiço Cullufes, mikut të vjetër të gazetarëve, duket i habitur teksa na shikon në prag të derës në këtë ditë të pazakontë. "Nuk e kam shumë qejf Vitin e Ri - i përgjigjet Kiço pyetjes sonë se si e kaloi festën - më duket sikur është një festë e imponuar. Duhet të gëzosh me se s‘bën. Gëzojnë të tjerët, gëzo dhe ti!". Kiço, me pak fjalë, e ka hequr qafe, njësoj si një detyrë shtëpie festën më popullore në vend. Rrimë një copë herë në "muzeun" e Kiços, një dhomë në të cilën ai ka mbledhur lloj-lloj veglash e objektesh të tjera nga e gjithë zona. Cili prej nesh vjen këtu për herë të parë, çuditet me punën e madhe të këtij njeriu që jeton vetëm me punën dhe larg festave.
Bashkë me mikun tonë i bëjmë një vizitë Kseno Kllapit, mësuesit. Rrugës hasim fare pak njerëz. Në sheshin qendror të Përmetit, aty ku është monumenti i partizanit, vetëm disa të rinj janë mbledhur për të bërë bilancin e festës. Edhe Kseno nuk na priste që t‘i shkonim këtë ditë. Kemi mardhur ca si shumë këto ditë. Soba me dru e Ksenos na duket objekti më i dashur i këtyre ditëve. Në anë të derës së shtëpisë së mësuesit na bën përshtypje një gëmushë e vogël. Duket si një pemë e vogël e Vitit të Ri. Disa kokrra të vogla varen në degët e saj pa gjethe. Janë të të gjitha ngjyrave: të bardha, të kuqe, jeshile, lejla… Në fakt, nuk është gjë tjetër veçse një spec djegës dekorativ. "E shoh që ju pëlqeu", thotë Ksenua i mirë dhe sakaq e shkul për të na e dhënë me vete. "Zbukurojeni ca Tiranën me të", qesh mësuesi poshtë mustaqeve.
Në Këlcyrë ndalojmë në të ngrysur. Një mjegull e rëndë e ka mbuluar gjithë luginën e Vjosës. Dritat e shtëpive të qytetit duken si njolla të verdha në një sfond krejt të bardhë. I ftohti na e përshkon edhe një herë shtatin. Ndalojmë te një tjetër mik, të Hikmet Mino, mjeshtri i njohur i vozave. Si na shikon të mardhur e të lagur, Hikmeti na fut me të shpejtë në një dhomë të vogël ku gjëmon zjarri bubulak. "Po jeni për punë, jeni për punë! Po jeni për qejf, jeni për qejf!", trishtohet ustai kur mëson se do të qëndrojmë veçse pak minuta.
3 janar 2009, Gjirokastër-Dhuvjan
Eshtë e shtunë. Njerëzia duket sikur e ka kaluar atë mpirjen e parë të pasfestës. Ne nisemi për në Dropull. Rruga që të çon atje është e stërmbushur me makina. Tashmë jeta ka rimarrë ritmin e saj normal. Një mjegull e dendur na e vështirëson hera-herës shikimin. Retë kanë mbuluar malet përqark. Ndalojmë në Sofratikë në një lokal në anë të rrugës. Urimet "Gëzuar, për shumë vjet!" përzihen me "Hronja pola!" (Gëzuar Vitin e Ri në greqisht). Një kalë, të cilin e kanë mbuluar me mushama për ta mbrojtur nga rrebeshi, duket sikur ka ardhur nga një kohë tjetër teksa qëndron i menduar në krah të makinave të shtrenjta që shkojnë e vijnë mbi rrugën nacionale. Në mes të një shiu të ftohtë marrim udhën më lart, për në Dhuvjan. Ky duket se ka qenë dikur një fshat në gjendje të mirë. Siluetat e shtëpive hijerënda prej guri shfaqen herë pas here sa herë që rrallohet mjegulla. Shumë prej tyre janë të braktisura dhe kanë nisur të rrallohen. Shiu "luan" hareshëm përmes dritareve të tyre të shqyera.
Lart fshatit, në majë të një kodre qëndrojmë ca më gjatë. Tani jemi në një manastir fort të vjetër. I rrethuar nga disa pemë gjetherëna që neve na duken të njëkohshme me vetë muret e gurta të tij, manastiri na fut në një atmosferë tjetër. Pasi përshkojmë një tunel të gjatë ndodhemi në mes të një oborri të rrethuar krejt nga muret e gurta dhe të vjetra. Kisha dhe disa prej dhomave të manastirit mbahen ende mirë, porse mure rrethuese kanë nisur të rrëzohen. Brenda në kishë bën edhe më ftohtë se jashtë. Dridhemi paq teksa kemi përballë fytyra shenjtorësh ortodoksë me pamjen e tyre të ngrirë në kohë.
Përballë nesh është Bureto, i mbuluar krejtësisht nga mjegulla. Më kot mundohemi të shohim ndonjë copë Libohovë. Dimri ka vendosur të na e fshehë qytetin e Myfit beut dhe të Avni Rustemit.
4 janar 2009, Gjirokastër-Tiranë
"Tani po! Tani njerëzia u është kthyer punëve", thotë njëri prej nesh duke bërë me kokë nga disa çifte të rinjsh që seç çuçurisin me njëri-tjetrin. Jemi në hollin e hotelit. Pas pak ndahemi me miqtë tanë dhe marrim udhën e kthimit. Rruga është e stërmbushur me makina me targa të huaja që shkojnë drejt Greqisë. Duhet bërë kujdes se shumica e tyre e kanë punën dhe udhën me ngut. Pak kohë pasi kemi kaluar kthesën e Picarit na marrin në telefon. Një aksident i rëndë ka ndodhur këtu porsa kemi kaluar ne. Një djalë i ri, emigrant, ka humbur jetën. Festa mbaroi. Jeta ka rinisur udhën e saj. Dhe bashkë me të edhe vdekja.
HISTORIA
Të njëjtën datë 204 vjet më parë
Puna na e desh që të kalonin në skaj të Tepelenës teksa udhëtonim në Jug ditën e dytë të vitit 2009. Njësoj si në përshkrimin e mëposhtëm të udhëtarit të njohur anglez binte shi dhe frynte një erë e ftohtë. Njësoj si atëherë Vjosa dhe përrenjtë, që derdhen në të, u ngjanin disa përbindëshave të murrëtyer prej uji. Pas 204 vjetësh kalaja e Ali Pashë Tepelenës ishte po atje. Edhe ura që çonte në fshatin e tij të lindjes mbahej ende mbi këmbët e saj shekullore. Po të mos ishin makinat e pakta që kalonin do të na dukej vetja si në kohët e shkuara. Mungonte vetëm Aliu që shikonte i shqetësuar, duke thithur fort çibukun, këmbët e urës së re që mezi po mbahej. Ky pasazh është shkëputur nga njëri prej librave të udhëtimit më të famshëm të kohës së tij. Ai është shkruar nga Uilliam Martin Lik, i dërguari i Mbretërisë së Anglisë në oborrin e Ali Pashës.
"…2 janar 1805. Si pasojë e një shiu të vrullshëm të natës së fundit, Bënça dhe Vjosa janë fryrë deri në një lartësi të madhe. Bënça ka zënë të gjithë shtratin e vet, i cili në grykë është tre ose katërqind jardë nga njëra anë te tjetra. Vjosa është afërsisht gjysmë milje e gjerë poshtë vendit të bashkimit. Ajo sjell një valë të tillë uji drejt urës së Tepelenës, saqë, pothuajse, është ngritur mbi këmbët e urës dhe kërcënon të shkatërrojë muraturat që Pasha ka ngritur mbi to, për të mbështetur dërrasat e trasha që tani shërbejnë në vend të katër harqeve që i kishin rrëmbyer ujërat.
Udhëtarët akoma vazhdojnë të kalojnë nga njëri breg në tjetrin, por Veziri ndoshta jo aq i trembur për fatin e tyre, sesa për sigurinë e urës, rri ulur tërë pasditen në një qoshk të haremit të tij, duke shikuar tërë ankth në drejtim të urës. Një dervish që po e vëzhgonte atë, doli jashtë dhe vallëzonte mbi urë, duke i folur në mënyrë bombastike trungjeve të sjella nga rrjedha e ujit, kur ato kalonin përmes saj dhe, së fundi, bëri një kurban duke therur një qengj të zi dhe dy të bardhë e duke derdhur gjakun mbi një nga këmbët e urës. Mbas kësaj ceremonie turma e popullit u duk e kënaqur, se u garantua siguria e urës dhe, ç‘është e vërteta, nuk ndodhi ndonjë aksident.
Si ura e shkatërruar, edhe riparimi i përkohshëm, qenë bërë nga një inxhinier grek që po ndërton me më shumë sukses një kullë masive te sarajet. Këmbët e urës kanë dritare me harqe me majë dhe pragje të mëdha që i kundërvihen rrymës, por e gjithë vepra në tërësi është me të meta të dukshme në pikëpamje të qëndrueshmërisë. Ka të ngjarë që Vjosa të vazhdojë të jetë e zemëruar me një urë të tillë, derisa ajo të ketë një zot më dorëlëshuar në shpenzime e që do të punësojë një arkitekt, i cili njeh më mirë arritjet e sotme në këtë degë të artit.
Shqiptarët përpiqen të kompensojnë çështjen e fortësisë duke u bërë harqe urave të tyre me një lartësi të tepruar. Kjo metodë, pretendojnë ata, ka vetëm të metën që e detyron udhëtarin të zbresë nga kafshët e transportit, ndërsa lejon një ekonomizim më të madh të materialeve duke qenë se gjerësia e urës nuk ka shumë rëndësi në një vend ku nuk ka karroca me rrota.
Veziri shpreh zhgënjim për dështimin e përpjekjes së tij për të ndërtuar një urë në Tepelenë, meqë ajo do të mënjanonte kalimin në urën e Drinos dhe më pas, edhe në urën tjetër në Stena, për të arritur bregun përballë, kur lumi nuk është i kalueshëm në va. Për më tepër, në këto raste kjo gjë e detyron Lartësinë e Tij të hyjë në grykën e Këlcyrës, ku, nëse toskët e paepur të fshatrave fqinjë do të dilnin në kryengritje, ai mund të rrezikonte veten e tij…".