E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzika e mëngjarashëve

Imagjinoni se sa e vështirë është për një mëngjarash të presë me gërshërë. Zakonisht është i detyruar të "luftojë" kundër një sendi tipik të ndërtuar për njerëzit që përdorin dorën e djathtë (të tilla janë pothuajse të gjitha sendet e kuzhinës). Në pjesën më të madhe të rasteve, prodhuesit e sendeve të ndryshme harrojnë se në këtë botë jetojnë dhe mëngjarashët. Për shembull, disa prej mjeteve të shkollës, siç janë fletoret e shkrimit, mausi (çdo komandë jepet duke klikuar mbi butonin e djathtë), tastiera e kompjuterit që për të arritur te kuadrati i numrave që ndodhen në pjesën e djathtë duhet të kryqëzojë duart, marshi i makinës i cili përveç Anglisë, Australisë dhe Japonisë, është i vendosur nga krahu i djathtë. Këto dhe mijëra aksesorë të tjerë janë të projektuar nga dhe për personat që përdorin dorën e djathtë.

Në botën e muzikës, kitaristët dhe bateristët nuk e kanë të vështirë të performojnë me instrumentet e tyre: mjafton të akordojnë kordat e instrumentit (kujtoni Xhimi Hendriks dhe Pol Mekartnin). Ndërsa tastiera e pianos, që edhe pse i bie me dy duar, nga mënyra e ndërtimit nuk i favorizon mëngjarashët, sepse notat më të larta janë nga krahu i djathtë. Gjithsesi, pianistët mëngjarashë kanë një avantazh, që është talenti dhe dëshira për të studiuar. Këtë e ka zbuluar një neurolog amerikan.

Si pasojë e këtij avantazhi neurologjik, duke qenë se nga ana statistikore janë një pakicë e vogël e popullsisë, mëngjarashët mund të mburren me solistët e mëdhenj të pianos: rumunin Radu Lupu, francezen Hélène Grimauld, norvegjezin Leif Ove Andsnes (interpretuesi i madh i Grieg), amerikanët Steven Blier dhe Richard Goode. Gjithashtu, po të hedhësh një vështrim në të kaluarën, do të gjejmë pianistë mëngjarashë të mëdhenj si Vladimir Horowitz, Arthur Rubinstein dhe Glenn Gould.

Motivi është ky, ka shpjeguar një neurolog nga Prinstoni: "Në nivelet më të larta, çdo avantazh, edhe më i vogli, ka rëndësinë e tij. Pianistët në përgjithësi, të djathtë ose mëngjarashë, duhet të koordinojnë aktivitetet e dy hemisferave të trurit, sepse secila prej tyre është përgjegjëse për lëvizjen e njërës dorë. Një në shtatë mëngjarashë i ka të shpërndara qendrat e gjuhës në të gjitha hemisferat, pra ka më shumë hapësirë në tru për të analizuar. Vetëm një në njëzetë të djathtë e kanë këtë avantazh".

Nëse kësaj i shtohet edhe fakti se kur mëngjarashët mësojnë t‘i bien pianos, pra të përshtaten me një instrument që është krijuar për të djathtët, atëherë do të thotë se neuronet e tyre bëjnë një punë më të madhe dhe kanë një zhvillim më të shpejtë. Kjo është një lloj gjimnastike suplementare për trurin, një tjetër karakteristikë që mëngjarashët, sipas neurologëve që studiojnë kreativitetin, arrijnë mesatarisht rezultate më të mira se personat që përdorin dorën e djathtë në testet relative mbi të ashtuquajturin "mendimi i kundërt", aftësia për t‘u gjetur një zgjidhje të pazakontë problemeve.

Paul Wittgenstein, pianist i madh austriak dhe vëllai i filozofit Ludwig, humbi dorën e djathtë gjatë Luftës së Parë Botërore, por pavarësisht kësaj fatkeqësie, vendosi që ta vazhdonte karrierën e tij me koncerte. Luante pjesë të kompozuara me pasion për të, për shembull më e famshme mes tyre është "Koncerti i dorës së majtë", i kompozitorit dhe pianistit francez Maurice Ravel, që deri tani është regjistruar edhe nga artistë të tjerë. Edhe Richard Strauss, Hindemith, Prokofiev dhe Benjamin Britten shkruan për Wittgenstein dhe dorën e tij të majtë.

Hélène Grimauld, pianiste franceze mëngjarashe, tregon se ndjen një lidhje të veçantë për muzikën e Bethoven, Schummann, Brahms dhe Rachaninoff. Ajo është e bindur se ata kanë qenë mëngjarashë sepse muzika e tyre për pianon i duket sikur është krijuar për mëngjarashët. (Rachmaninoff ishte mëngjarash, gjithashtu edhe Bethoven. Kjo, sipas biografit të tij, Anton Schinder, të cilit nuk i duhet besuar 100 për qind, sepse ekzistojnë portrete në të cilat Bethoven mban penën në dorën e djathtë).

Schubert dhe Chopin nuk ishin mëngjarashë, por të dy dukej sikur favorizonin të djathtët. Mozart, që ndoshta i përdorte të dyja duart lehtësisht, shumë pianistëve u dukej në këtë sens "neutral".

Për dirigjentët e orkestrës çështja ndryshon: mes atyre më të famshëm është vetëm njëri, skocezi Donald Runnicles, që e mban shkopin në dorën e majtë. Kjo jo sepse të gjithë kolegët e tjerë përdorin të djathtën, por sepse profesorët e orkestrës janë mësuar të shohin veçanërisht atë dorë.

Kështu shumë dirigjentë mëngjarashë e mbajnë shkopin në dorën e djathtë, për traditë, për të lehtësuar profesorët po edhe se kështu i është kërkuar, sepse në të kundërt duhet të kthejnë për së prapthi rreshtimin e instrumenteve të së gjithë orkestrës, ashtu siç bën pa u menduar gjatë Runnicles, duke spostuar kontrabasët dhe violonçelat në të majtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›