E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitjet për shansin e fundit

Nga Express më 22 dhjetor 2010 në ora 14:06

Luan Krasniqi po vazhdon të stërvitet intensivisht në Gjermani për meçin e tij të 26 shkurtit, kundër amerikanit Johnathon Banks. Boksieri kosovar po stërvit dy herë në ditë në një sallë sportive në qytetin Rottweil dhe pranë tij vazhdimisht qëndron edhe vëllai i tij, Agimi.

Në muret e kësaj salle janë të ngjitur edhe disa posterë, të cilët pasqyrojnë sukseset dhe karrierën e boksierit me prejardhje nga Juniku. Mirëpo, sipas tabloidit gjerman Bild, fotografia e Max Schmelingut është më e madhja dhe ajo qëndron në derën e kësaj salle.

Para se të vdiste legjenda e boksit gjerman, Schmeling, Krasniqi i kishte premtuar atij se do të bëjë çmos që ta rikthejë titullin e kampionit botëror në Gjermani. Por, për ta arritur këtë, 39-vjeçarit fillimisht i duhet patjetër që ta mposhtë Banksin. Ndërsa, humbja eventuale do të sinjalizonte përfundimin e karrierës për Krasniqin.

“Ky është shansi im i fundit dhe unë dua ta shfrytëzoj atë, sepse i kam premtuar Max Schmelingut”, ka thënë Krasniqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›