Creighton politikës shqiptare:Të zbatohet Kodi i ri zgjedhor

Të respektohet kodi i ri zgjedhor. Kjo është thirrja që vjen nga Ministrja irlandeze për Çështjet Evropiane, Lucinda Creighton që përfaqëson Kryetarin e Radhës së OSBE-së, e cila vizitoi sot Shqipërinë.
“Është thelbësore që të gjitha palët politike të dëshmojnë vullnetin politik për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme, ku përfshihet zbatimi i plotë i Kodit Zgjedhor të rishikuar”, theksoi ajo gjatë takimeve që pati me kryeministrin Berisha dhe ministren e Integrimit, Bregu.
Creighton ka vlerësuar se një dialog i sinqertë, me përkushtimin serioz dhe konstruktiv të të gjitha partive të mëdha politike, është tejet i rëndësishëm në çuarjen përpara të axhendës së reformave të Shqipërisë.
“Irlanda e mbështet plotësisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, si një rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të rajonit. Si vendi që do të marrë Presidencën e ardhshme të Këshillit Evropian, ne presim me interes rekomandimet e Komisionit Evropian për përparimin e Shqipërisë drejt statusit të vendit kandidat”, theksoi ajo.
Ndërkaq Ministrja irlandeze përsëriti gadishmërinë e OSBE-së për të mëbshtetur Shqipërinë në zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull, përfshirë reformat në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.