Çuçi: Mbledhje tjetër e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas auditimit në SHISH

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Mbledhja e Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes u shoqërua me debate lidhur me situatën e sigurisë kombëtare në vend dhe zhvillimet e fundit që lidhen me hetimet për Shërbimin Informativ Shtetëror.
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu deklaroi se zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje për funksionimin dhe sigurinë e institucioneve shtetërore.
“Jo vetëm ne, nëpërmjet këtyre institucioneve nuk kontrollojmë dot pastrimin e parave apo çfarëdo lloj problematike tjetër, por ne praktikisht nuk kemi as sigurinë më minimale, pasi institucionet e niveleve më të larta të sigurisë kanë rënë në duar të krimit të organizuar”, tha ai.
Deputeti demokrat kërkoi që Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes të vendosë si prioritet sigurinë kombëtare dhe të thërrasë institucionet përgjegjëse për të dhënë shpjegime mbi situatën.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, duke shpjeguar votën e tij kundër rendit të ditës në këtë komision, tha se shqetësimi për situatën e krijuar duhet të adresohet përmes institucioneve dhe procedurave përkatëse.
“Për ta thënë pak më shkurt atë që ngremë si shqetësim, që besoj është dhe shqetësimi i gjithsecilit nga ne, pavarësisht nga krahët politikë, si komision që merret me çështjet e sigurisë, mendoj që është në interesin e vendit që ne të adresojmë kërkesë karshi institucioneve që kanë bërë përzgjedhjen e drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, për të parë respektimin e procedurave dhe të gjithë elementët që kanë të bëjnë me vetingun e personave që vijnë”, tha Mediu.
Nga ana e tij, kryetari i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjes, Bledi Çuçi tha që Presidenti mblodhi Këshillin Kombëtar të Sigurisë ditën e hënë dhe aty pati një informacion paraprak nga Shërbimi Informativ Shtetëror.
“Dhe po në Këshill u lanë detyra që të bëhet sa më shpejt një auditim i thellë në lidhje me ndonjë pasojë të mundshme nëse ka për funksionimin e SHISH-it dhe besoj që shumë shpejt do kemi një mbledhje tjetër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku do raportohet edhe më gjerësisht mbasi të jetë bërë ky auditim”, vijoi ai.
Sipas Çuçit, “pasi të ketë një qetësim të situatës dhe të jenë në dispozicion instrumentet për të raportuar institucionet e sigurisë për këtë çështje, më kohën do të sqarohen përgjegjësitë e secilit, qoftë penale, qoftë administrative”.
/e.i/j.p/